Dhoma e fronit të Perëndisë (1)

Pas këtyre gjërave, pashë dhe ja, një derë u hap në qiell dhe zëri i parë që kisha dëgjuar të fliste me mua si bori, tha: “Ngjitu këtu dhe do të të tregoj gjërat që duhet të ndodhin pas këtyre gjërave”. Dhe menjëherë erdha në frymë; dhe ja, një fron ishte në qiell dhe mbi fron rrinte një i ulur. Dhe ai që ishte ulur nga pamja i ngjante një guri diaspri dhe sardi; dhe rreth fronit ishte një ylber që i ngjante smeraldit” (Zbulesa 4:1-3).

Parathënie   

Në këtë vizjon, Gjoni sheh Perëndinë të ulur në fron. Mund ta imagjinojmë sesa emocjonuese do të ketë qenë një skenë e tillë për apostullin, i cili pa gjëra që asnjë sy njerëzor s’i ka parë ndonjëherë. Çfarë nderi! A nuk do të bëheshim edhe ne me krahë, po qe se mbretëresha e Anglisë të na ftonte për vizitë në pallatin e saj mbretëror? Ta shohësh Zotin është diçka akoma më e mrekullueshme sesa kjo! Gjoni përjetoi diçka që çdo besimtar i rilindur një ditë ka për ta përjetuar edhe vetë.

Sundimi i Perëndisë

Gjoni na thotë se, sapo u hap dera, ai pa një fron. Froni ka të bëjë me faktin se Perëndia është autoriteti sovran dhe absolut si në Qiell, ashtu edhe në tokë. “Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë” (Psalmi 47:8)… “Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka” (Psalmi 103:19). Froni i Perëndisë është i patundur dhe i përjetshëm. Nuk ka armik në qiell apo në tokë, që ta rrëzojë Zotin nga froni. “Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie” (Psalmi 45:6).

Pak rëndësi ka nëse kjo botë mëkatare nuk do që ta pranojë fuqinë sovrane të Perëndisë së Qiellit. Edhe sikur e tërë bota ta mohojë Zotin, Ai prapë ka për të mbretëruar përgjithmonë. Njerëzimit mund të mos i shkojë fare mendja tek Zoti, e megjithatë, Ai sheh dhe dëgjon gjithçka. Ai di gjithçka dhe një ditë ka për t’i gjykuar njerëzit për mëkatet. Çdo njeri që ka jetuar në këtë tokë, ka për të patur një ditë një takim me Mbretin. “Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27).

Perëndia si Mbret

Gjoni vazhdon së përshkruari Atë, që sheh mbi fron. Dikur edhe profeti Isaia pati të njëjtin vizjon. “Unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin. Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte. Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij”. Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym” (Isaia 6:1-4).

Gjoni e përshkruan Perëndinë në mënyrë simbolike, të ngjashëm me një gur diaspri dhe sardi. Kjo nuk do të thotë se gjithçka që pa Gjoni, ishte simbolike. Përkundrazi, ai e pa vërtet Perëndinë, por nuk gjen fjalë njerëzore për ta përshkruar si duhet Atë. Natyrisht që Perëndia nuk është i përbërë prej gurësh të çmuar, por këto gurë i referohen lavdisë dhe madhështisë së Tij. Diaspri është një gur i shndritshëm, shumë i ngjashëm me diamantin. Kjo na tregon se Perëndia është i fortë dhe i pandryshueshëm. “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj” (Malakia 3:6). Guri i sardit është i kuq flakë dhe ka të bëjë me faktin se Perëndia është sovran dhe se Ai është gjithashtu Çlirimtari ynë, gati për t’i shpëtuar të gjithë ata, që i afrohen me besim. “Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim” (2 Pjetrit 3:9). E si mund të ketë njeriu një marrëdhënie të ngushtë e personale me një Zot, i Cili nuk dëshiron që njerëzit të shpëtohen? Prandaj, pra, e shohim se Perëndia është i shenjtë dhe i drejtë e megjithatë, Ai ia përgatit rrugën njeriut që të vijë tek Ai. “Jezusi i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6).   

Është me interes këtu për t’u theksuar fakti se guri i sardit ishte guri i parë mbi gjoksoren e kryepriftit, kurse diaspri ishte guri i fundit (shiko Eksodin 28:17-21). “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi”, thotë Zoti “që është dhe që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi” (Zbulesa 1:8).

Ylberi i Perëndisë

Froni është i rrethuar prej një ylberi me ngjyrë smeraldi. Një ylber i tillë nuk është parë kurrë ndonjëherë mbi tokë. Ylberi ishte një shenjë e dukshme, për t’i sjellë ndërmend Noeut se Perëndia nuk do ta përmbyste më kurrë tokën (Zanafilla 9:11-17). Ylberin e Perëndisë do ta shohim, kur ta takojmë Atë ballë-për-ballë në Qiell. Atëherë do të na kujtohet se, në paqen e Tij të përsosur, të gjitha stuhive tona personale do t’iu ketë ardhur fundi. “Dhe Perëndia do të thaijë çdo lot nga sytë e tyre; dhe vdekja nuk do të jetë më; as brengë, as klithma, as mundim, sepse gjërat e mëparshme shkuan” (Zbulesa 21:4).

E shohim, pra, se ky ylber bën fjalë rreth mëshirës dhe dashurisë së Perëndisë. Ngjyra e tij prej smeraldi na tregon se Ai (Perëndia) është i gjallë dhe i fuqishëm. Me këto fjalë, Gjoni na i ngroh zemrat dhe na sjell ndërmend faktin se Perëndia gjithmonë i mban premtimet. “Besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:23). Edhe pse Zoti një ditë ka për ta derdhur zemërimin e Tij mbi këtë botë, Ai, prapëseprapë, akoma vazhdon të tregojë mëshirë ndaj atyre, që i kthehen me besim. “O Zot, unë dëgjova të folurën tënde dhe kam frikë; o Zot, bëj që të ringjallet vepra jote gjatë viteve, bëje të njohur gjatë viteve. Në zemërim e sipër, kujtoje mëshirën” (Habakukut 3:2). 

Përfundim                      

Një ditë secili  prej nesh ka për t’u takuar personalisht me Perëndinë, të ulur mbi fronin e Tij. Do të shohim të njëjtat skena të lavdishme, që pa edhe apostulli Gjon dhe atëherë kemi për t’i kuptuar edhe më mirë simbolet që përdori ai. A jemi gati për një takim të tillë? A po përgatitemi për ta takuar Zotin? “Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen” (2 Korintasve 5:10).

Mbrapa