Dhuratat dhe Mbështetja

“Dhe u gëzova shumë në Zotin, sepse më në fund kujdesi juaj për mua u rigjallërua; në realitet ju edhe e kishit në mendje, por nuk kishit rast. Nuk e them këtë se jam në nevojë, sepse unë jam mësuar të kënaqem në gjëndjen që jam. Unë di të jem i përunjur dhe di të jetoj edhe në bollëk; në çdo vend dhe për çdo gjë jam mësuar të nginjem dhe të kem uri, të kem me tepri dhe të vuaj në ngushticë. Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:10-13).

Parathënie

Kjo pjesë e letrës së Palit ka të bëjë, në përgjithësi, me temën e ofertave të ndryshme që japin anëtarët e kishës, për t’i mbështetur dhe për t’i përkrahur ata që janë të angazhuar në predikimin apo në mësimin e fjalës së Perëndisë, apo edhe në ungjillizim. Të krishterët duhet t’i mbështesin financjarisht ata, që përhapin ungjillin si në të gjithë botën, ashtu edhe në qytetin apo në kishën e tyre. “Sepse Shkrimi thotë: “Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë,” dhe: “Punëtori e ka hak mëditjen e tij” (1 Timoteut 5:18). Besimtarët filipianë, të frymëzuar prej Frymës së Shenjtë, i kishin dërguar Palit dhurata në burg me anë të Epafroditit (shiko Filipianëve 4:18). Kisha e filipianëve ishte një kishë e bekuar prej Zotit, pikërisht ngaqë anëtarët e saj jepnin oferta sakrifikuese me gjithë zemër. “Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur” (2 Korintasve 9:6).

Kujdesi

Filipianët e kishin mbështetur Palin, sa herë që kishin patur mundësi. “Kujdesi” i tyre nuk kishte të bënte thjesht vetëm me të luturit për apostullin, por përfshinte gjithashtu edhe kujdesin që kishin treguar ata për çdo nevojë të jetës së tij. Ishin kujdesur, pra, për gjithë mirëqënien e Palit. Kishte patur raste kur nuk kishin patur mundësi për ta ndihmuar. Folja “u rigjallërua” na përshkruan një pemë, që fillon të çelë gjethe të reja pas një periudhe thatësie, d.m.th. filipianët kishin filluar të kujdeseshin përsëri për Palin pas një periudhe të gjatë, kur ndoshta nuk i kishin dërguar dhurata, ngaqë kishin dëgjuar lajme jo të vërteta rreth tij. E shohim se Pali nuk iu mban mëri, as nuk i kritikon që nuk e kishin mbështetur.

I kënaqur

Pali nuk ishte lypës dhe nuk përdorte dredhi për të marrë para prej kishave. Nuk e konsideronte veten të varfër, edhe pse ishte në një gjendje të mjeruar në burg. Sa turp do  t’i vinte atij sot, po ta shikonte se ç’lloj mjetesh përdorin organizata të ndryshme të krishtera, si e si për të marrë para prej besimtarëve! Shoqata të tilla duhet të jenë të kënaqura, ashtu siç ishte edhe Pali, me ato që iu ka dhënë Zoti. Përkundrazi, ato nuk kënaqen kurrë, duke shfaqur kështu një mungesë shenjtërie dhe perëndishmërie. Zoti, të cilit i shërbejnë, e ka emrin “para”. “Debatet e kota të njerëzve me mendje të prishur dhe të shterur nga e vërteta, sepse mendojnë se perëndishmëria është burim fitimi; largohu prej këtyre. Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka. Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete; por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq. Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim. Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje” (1 Timoteut 6:5-10).

Pali punoi për Zotin dhe mori prej Tij fuqinë që i duhej, për të qenë i kënaqur në çdo situatë. E dinte se si të ishte fitimtar madje edhe në momentet më të vështira, sepse pikërisht në momente të tilla e kishte kuptuar se i duhej të mbështetej edhe më shumë tek Zoti. Kur jemi të kënaqur, i shmangemi kurthit të lakmisë dhe egoizmit. Në greqisht, fjala “i kënaqur” (autarkeia) do të thotë “të jesh plotësisht i shkëputur prej rrethanave”. Ai që është i kënaqur, ia hap derën Perëndisë dhe bekimeve të shumta të Tij.

Pali vërtet që ishte i kënaqur, por jeta nuk i kishte shkuar si në vaj. Na thotë se kishte kaluar si momente varfërie, ashtu edhe momente begatie. E dinte se as varfëria, as begatia nuk kishin të bënin fare me gjendjen e tij shpirtërore. Përkundrazi, besimin e kishte përqëndruar tek Krishti. “Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua” (Psalmi 40:17). Besimi ynë nuk matet as nga varfëria, as nga begatia. “Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5).

Krishti

Çdo besimtar besnik i Krishtit merr fuqinë, që i duhet për ta përmbushur vullnetin e Tij. Perëndia kurrë nuk na kërkon të bëjmë diçka, për të cilën nuk kemi fuqi. Përkundrazi, na jep fuqi, për ta kryer atë detyrë të caktuar. Fjalia “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” na përshkruan faktin se është Krishti Ai, që na jep fuqinë për t’i shërbyer. “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5). Tek 1 Timoteut 1:12, Pali na shkruan: “Dhe e falënderoj Krishtin Zotin tonë, që më bën të fortë, sepse më çmoi të denjë për t’u besuar, duke më vënë në shërbimin e tij”. Shprehja “më bën të fortë” vjen nga greqishtja (dunamis) dhe është e njëjta fjalë, prej së cilës rrjedh fjala “dinamit”, një substancë shumë e fuqishme. Ky fakt, pra, na tregon se Krishti na jep fuqinë për ta përballuar çdo situatë. “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20).

Pali i shkroi kështu kishës së korintasve: “Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”. Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë. Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë” (2 Korintasve 12:9-10). Edhe ne, ashtu si Pali, mund ta përballojmë çdo vështirësi me fuqinë që na e jep vetëm Krishti. “Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:37-39)… “Që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm” (Efesianëve 3:16)… “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime” (Isaia 41:10).

Përfundim                     

Nuk ka dyshim se Pali nuk ishte grabitës – nuk donte të përfitonte, apo të pasurohej në kurriz të bashkëbesimtarëve të tjerë. Ai ishte një pastor, që nuk merakosej nëse kishte apo jo fonde të mjaftueshme për ta kryer punën e tij. Nuk dërgoi asnjë letër si lypës, për t’i inkurajuar të tjerët, që t’i jepnin para. Edhe pse gëzohej kur i vinin ndihma e dhurata, prapëseprapë, vëmendjen e kishte të përqëndruar tek Krishti. Nga Pali duhet të marrin shembull të gjithë ata, që i shërbejnë Zotit. Në studimin e ardhshëm, do ta shohim sesa mirënjohës ishte Pali për kishën e filipianëve dhe kujdesin që tregonin ata për të.

Mbrapa

Advertisements