Dilema e Davidit

“Filistejtë i mblodhën tërë forcat e tyre në Afek, ndërsa Izralitët e ngritën kampin e tyre pranë burimit të Jezreelit. Princat e Filistejve ecnin me qindëshet dhe mijëshet e tyre, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij ecnin në praparojë me Akishin. Atëherë krerët e Filistejve thanë: “Çfarë po bëjnë kështu këta Hebrenj?”. Akishi iu përgjegj krerëve të Filistejve: “A nuk është ky Davidi, shërbëtori i Saulit, i mbretit të Izraelit, që ka qenë me mua këto ditë o këto vite? Tek ai nuk kam gjetur asnjë të metë të madhe nga dita e dezertimit të tij e deri më sot!”. Por krerët e Filistejve u zemëruan me të dhe i thanë: “Ktheje prapa atë njeri me qëllim që të kthehet në vendin që i ke caktuar. Të mos vijë të luftojë me ne që të mos na bëhet armiku ynë gjatë betejës. Si mund ta rifitojë ai favorin e zotërisë së tij, veçse me kokën e këtyre njerëzve? Nuk është ky Davidi për të cilin këndonin në kor në vallet, duke thënë: “Sauli ka vrarë mijëshen e tij dhe Davidi dhjetë mijëshen e tij?””. Atëherë Akishi thirri Davidin dhe i tha: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ti je një njeri i drejtë dhe shoh me kënaqësi ecejakun tënd me mua në ushtri, sepse nuk kam gjetur asgjë të keqe që prej ditës që ti erdhe e deri më sot; por ty nuk të përlqejnë princat. Prandaj kthehu prapa dhe shko në paqe, mos bëj asgjë që nuk u pëlqen princave të Filistejve. Davidi i tha Akishit: “Çfarë kam bërë dhe çfarë ke gjetur te shërbëtori yt prej ditës që erdha me ty e deri më sot, që të më pengojnë të luftoj kundër armiqve të mbretit, zotërisë tim?”. Akishi iu përgjegj Davidit, duke thënë: “E kupton që për sytë e mi ti je i këndshëm si një engjëll i Perëndisë; por princat e Filistejve kanë thënë: “Ai nuk duhet të marrë pjesë me ne në betejë!”. Prandaj çohu herët nesër në mëngjes bashkë me shërbëtorët e zotërisë tënd që kanë ardhur bashkë me ty; çohuni në mëngjes herët dhe nisuni në të gdhirë”. Kështu Davidi dhe njerëzit e tij u ngritën herët në mëngjes për t’u nisur dhe për t’u kthyer në vendin e Filistejve. Filistejtë përkundrazi shkuan në Jezreel” (1 Samuelit 29:1-11).

Parathënie

Davidi nuk e kishte imagjinuar kurrë se do ta gjente veten në këtë situatë, krah për krah Akishit. Por, po të mos ndërhynte Zoti, Davidi tani ishte gati të luftonte kundra mbretit Saul. Edhe pse ka të ngjarë që ai nuk iu lut Perëndisë, prapëseprapë Perëndia, me mëshirën e Tij, e çliroi Davidin prej një problemi të tmerrshëm. Davidi ishte përpjekur shumë për t’u futur në ushtrinë e Akishit, kurse tani Perëndia po punonte, që ta nxirrte prej andej.

Kundërshtimi

Ndërsa ushtarët po parakalonin, duke u bërë gati për luftë, princët e filistenjve nuk ishin dakort me praninë e Davidit në fushën e betejës, edhe pse ai ishte i rreshtuar nga fundi. Mirë e tha edhe njëri prej tyre: Davidi nuk duhej të ndodhej mes filistenjve. Pavarësisht se sa respekt mund të kishte Akishi për të, prapëseprapë ata kurrë nuk mund t’i zinin besë një hebreu. Sipas tyre, Akishi nuk e kishte marrë në konsideratë faktin se Davidi mund t’i tradhtonte filistenjtë në mes të betejës, po ta shihte se Sauli kishte nevojë për ndihmë. Të gjithë udhëheqësit e filistenjve, pra, ishin të inatosur me budallallëkun e Akishit.

Vëzhgimi

Princët e filistenjve e dinin se sa luftëtar i fortë ishte Davidi. E kishin dëgjuar dikur këngën, që kishin kënduar vajzat rreth kurajos dhe fuqisë së tij. E dinin se ai mund të vepronte njëlloj edhe kundra tyre, po t’i lejohej të qëndronte në kamp. Kjo këngë, pra, i shqetësoi si udhëheqësit e izraelitëve, ashtu edhe ata të filistenjve. E njëjta këngë i ishte përmendur edhe Akishit para ca vitesh, kur Davidi po mundohej të shkonte në Gath: “Shërbëtorët e Akishit i thanë: “A nuk është ky Davidi, mbret i vendit? A nuk këndonin në kor për të në valle, duke thënë: “Sauli ka vrarë një mijë të tij dhe Davidi dhjetë mijë të tij”?” (1 Samuelit 21:11).

Urdhërimi

Davidi u urdhërua, që të kthehej në Tsiklag dhe të mos merrte pjesë në luftën kundra Izraelit. Akishi e besonte me të vërtetë se Davidin e kishte mik dhe se ai kurrë nuk do të ngrinte dorë kundra filistenjve. Por nuk e njihte aq mirë Davidin! Për të, Davidi ishte si një ëngjëll mbrojtës, i dërguar nga Perëndia. “Paganët besonin në shpirtrat e mirë, të cilët edhe i adhuronin si perëndi të një kategorie pak më të ulët” (Gjon Uesli). Akishi e konsideronte Davidin si një njeri të drejtë e të ndershëm, por nuk e kuptonte faktin se Davidi po vepronte në kundërshtim me vullnetin e Perëndisë.

Davidi bëri gjoja sikur u ofendua prej asaj, që i tha Akishi, por, thellë në zemër, duhet të jetë ndjerë i çliruar. Akoma po mundohej ta mashtronte mbretin. Akishi, nga ana tjetër, kishte shumë besim tek Davidi, aq shumë saqë e kishte bërë atë madje edhe rojen e tij personale. Por, fatmirësisht, filistenjtë e tjerë nuk kishin të njëjtin mendim për Davidin.

Përfundim

Kjo dilemë e Davidit erdhi si rezultat i mosbindjes ndaj Perëndisë. Ai i kishte hapur vetes një gropë aq të thellë, saqë nuk gjente dot asnjë rrugëdalje prej saj. Nuk e zgjidhte dot problemin, që i kishte sjellë vetes. I kishte futur edhe ata, që e ndiqnin, në këtë batak mashtrimesh e gënjeshtrash. E madje edhe në këtë gropë të thellë, që i kishte hapur vetes, ai nuk i thirri Perëndisë për ta çliruar. Por Perëndia, me hirin e Tij dhe për hatër të lavdisë së Tij, i zgjati dorën për t’ia zgjidhur problemin e pamundshëm për t’u zgjidhur. “Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia” (Psalmi 40:2). “Dhe mirësia e Perëndisë ndaj Davidit ishte akoma më e madhe, sepse do të kishte qenë plotësisht e drejtë, po qe se Ai do ta kishte lënë Davidin të zhytur në ato shqetësime, që kishin ardhur si rezultat i vetë mendjes së tij mëkatare” (Gjon Uesli). E megjithatë, ne i shërbejmë një Perëndie besnik, i Cili vazhdon të kujdeset për të Tijët. “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” (1 Korintasve 10:13).

Mbrapa

Advertisements