Disiplina në Kishë

“Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t’i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë. Vështroni se mos dikush t’ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njeri tjetri, edhe te të gjithë” (1 Thesalonikasve 5:14-15).

Parathënie

Në këtë tekst, Pali përmend 6 gjëra, që kanë lidhje me disiplinën në kishë. Vini re se si udhëzimet e tij nuk i drejtohen vetëm drejtuesve të kishës, por të gjithëve në bashkësi. Çdo anëtar i kishës mban përgjegjësi për bashkësinë, në mënyrë që besimtarët e shkujdesur, mësimi i rremë, sjellja e keqe dhe grindjet të mos kenë vend në të.

Qortoni të parregulltit

Fjala “qortoj” do të thotë t’iu tërheqësh vërejtjen atyre, që nuk sillen mirë. Fjala “i parregullt” i referohet ushtarit, që nuk ecën ashtu siç duhet, në rresht me shokët. Kështu, pra, Pali e ka fjalën për ata, sjellja e të cilëve e çnderon emrin e Krishtit dhe të kishës së Tij. Duhet që t’i vëmë qëllim vetes, që t’i ndihmojmë ata që janë kokëfortë e të paqëndrueshëm në besim, që edhe ata të marrin rrugën e mbarë e të jetojnë sipas parimeve të fjalës së Perëndisë, sepse çdo kishë ka të parregulltit e vet, ashtu siç kishte edhe kisha e parë.

Ngushëlloni zemërlëshuarit

Kjo do të thotë se duhet që t’i ngushëllojmë ata, që dekurajohen shpejt, sidomos kur ballafaqohen me persekucione, probleme, apo vështirësi të ndryshme. Një lloj ngushëllimi të tillë e gjejmë tek Gjoni 11:19, që thotë: “Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t’i ngushëlluar për vëllanë e tyre“. Gjon Uesli e përshkruan kështu fjalën “zemërlëshuar”: “ata, që nuk kanë fare kurajo shpirtërore”. Kemi dëshirë të shohim “zemërluanë” në kishë, por puna është se, në më të shumtat e rasteve, do të ndeshemi me ata që janë zemërlëshuar. Ka nga ata, p.sh. që janë të dobët nga ana emocionale, ngaqë iu ka vdekur një i afërm, sidomos kur ky i afërm vdiq pa e njohur Krishtin si Shpëtimtar.

Ndihmoni të dobëtit

Këtu Pali e ka fjalën si për ata, që janë të dobët nga ana shpirtërore, ashtu edhe për ata që janë të dobët nga ana morale. Fjala “ndihmoj” këtu ka kuptimin e të shtrënguarit fort të diçkaje. Kemi dëshirë t’i shohim anëtarët e kishës të jenë të fortë në besim, duke ecur me Zotin. Por, në të njëjtën kohë, nuk duhet ta harrojmë faktin se të shumtë janë ata, të cilëve iu duket e vështirë jeta, apo që mundohen të dalin fitimtarë mbi  mëkatin. Nuk duhet të nxitohemi për t’i gjykuar e për t’i dënuar këta njerëz, por duhet të tregohemi të gatshëm për t’i ndihmuar ata. “Duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët” (Veprat e Apostujve 20:35)… “Prandaj forconi duart e kapitura dhe gjunjët e këputur” (Hebrenjve 12:12)… “Pranojeni atë që është i dobët në besim, pa e qortuar për mendimet” (Romakëve 14:1).

Jini të duruar me të gjithë

Kjo do të thotë të tregosh vetëkontroll në raste provokimi, apo ofendimi. “Dashuria është e durueshme; plot mirësi” (1 Korintasve 13:4). Duhet durim i madh, kur ke të bësh sidomos me ata njerëz, që janë kokëfortë e nuk duan të ndërrojnë rrugë. Njerëz të tillë të lodhin, por ne duhet të vazhdojmë t’i nxisim ata, që të ecin me Zotin. Një lloj durimi i tillë është sinonim i faljes e i pajtimit, e jo i hakmarrjes, apo i hedhjes poshtë së dikujt. “Me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri” (Efesianëve 4:2).

Mos ia ktheni dikujt të keqen me të keqe

Sapo dikush merret me thashetheme, e fillon të përhapë gënjeshtra rreth nesh, apo të na ofendojë, ne, menjëherë, fillojmë të kurdisim mënyra nga më të ndryshmet, se si të hakmerremi ndaj këtij personi. Por, cikli i së ligës prishet, atëherë kur vendosim që të bëjmë mirë, në vend që të zihemi me të tjerët. “Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund” (Fjalët e Urta 26:20). Romakëve 12:17-21 thotë: “Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve. Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti”. “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur”. Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën“. Nuk është për t’u habitur, pra, se, duke mos vepruar në këtë mënyrë, të shumtë janë ata, që nuk arrijnë t’i marrin dot bekimet e Perëndisë në jetën e tyre. “Pa e kthyer të keqen me të keqe ose fyerjen me fyerje, po, përkundrazi, bekoni, duke e ditur se për këtë u thirrët, që të trashëgoni bekimin” (1 Pjetrit 3:9). Pse? Sepse ata që përhapin të liga, nuk e njohin Perëndinë. “Shumë i dashur, mos imito të keqen, por të mirën. Ai që bën të mirën është nga Perëndia, por ai që bën të keqen nuk e ka parë Perëndinë” (3 Gjonit, vargu 11). Hakmarrja është e kundërta e dashurisë së krishterë. “Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti” (Levitikut 19:18).

I shkoni pas së mirës

Prandaj, sa të kemi rast, le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit” (Galatasve 6:10). Duhet t’i vëmë si qëllim vetes që t’iu bëjmë mirë të gjithëve. Pikërisht një pikësynim i tillë ka qenë, për shekuj me rradhë, etika e krishterë e shoqërisë. Por, kur kisha filloi t’i pranonte si të drejta mësimet e rreme e të sheqerosura të Lëvizjes së Besimit e të Pasurisë (një doktrinë e rreme), atëherë etika e krishterë u harrua fare. Krishtërimi ka qenë ai, që ka ndryshuar kombe të tëra, shoqëri të tëra, dhe jetë të panumërta. Pothuajse çdo vepër e mirë, qoftë në arsim, qoftë në mjekësi, apo financë, ka ardhur si rezultat i besimtarëve, që janë treguar përgjegjës në postet e tyre në shoqëri, duke sjellë kështu, njëherë e përgjithmonë, një shndërrim radikal për të mirën e të gjithëve. Ku është sot e mira në politikë, në fe, apo në ndonjë fushë tjetër shoqërore? Nëse duam që bota t’i shkojë pas së mirës, atëherë duhet ta vëmë vetë në praktikë atë që predikojmë, d.m.th. kërkimin e së mirës. Edmond Burk ka thënë: “E liga triumfon, kur burrat e mirë rrinë duarkryq”.

Përfundim                      

Na duhet të jetojmë së bashku në kishë. Kjo do të thotë se duhet të shkojmë mirë me njëri-tjetrin. Një kishë, që i vë në praktikë këto gjashtë gjëra, që përmend Pali në këtë studim, ka për të qenë një kishë e shëndetshme, e bashkuar dhe frytdhënëse. Disiplina në kishë është shumë e rëndësishme, nëse vërtet duam që t’i rezistojmë Satanait, si edhe ta drejtojmë botën për tek Krishti. Bibla Studimore e Gjenevës thotë kështu: “Duhet t’i kushtojmë vëmendje çdo njeriu dhe ilaçi duhet dhënë sipas sëmundjes që ka  secili”.

Mbrapa

Advertisements