Dita e gjërave të vogla

Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla?” (Zakaria 4:10).

Parathënie

Në vitin 1797-ë, David Evereti shkroi: “Lumenjtë e mëdhenj prej rrëkeve të vogla rrjedhin, lisat e lartë prej farave të vogla çelin”. Këto fjalë na vënë në dukje faktin se gjërat e mëdha e kanë origjinën tek fillimet e vogla. Shpeshherë, Perëndia e fillon punën mes popullit të Tij në mënyra shumë të vogla, madje të papërfillshme.

Problemi

Rreth 500 vjet para se të lindte Zoti Jezus Krisht, populli i Izraelit filloi të kthehej prej syrgjynimit babilonas. Por Jeruzalemin e gjetën të shkretuar. Tempulli, që dikur kishte qenë i lavdishëm, tani ndodhej komplet i shkatërruar. E panë, pra, se ku ishte problemi, ndaj edhe iu vunë punës me gjithë zell, për ta rindërtuar e për ta restauruar qytetin. Por, sapo filloi puna, udhëheqësi Zorobabel u ballafaqua me kundërshtarë, që s’ishin dakort me këtë projekt. Këta armiq thoshin se donin ta ndihmonin popullin, por Zorobabeli iua kuptoi mirë qëllimet e vërteta, që kishin (shiko Ezra 4). “Atëherë njerëzit e vendit filluan ta shkurajojnë popullin e Judës dhe ta trëmbin, me qëllim që të mos ndërtonin” (Ezra 4:4). Armiqtë ia arritën qëllimit, duke ia ngadalësuar punën judenjve e duke i tallur ata aq shumë, saqë populli u zhdekurajua dhe e la punën përgjysëm. Pa dyshim, pra, Zorobabeli e ndjeu veten sikur kishte dështuar si njeri, si përpara Zotit, ashtu edhe përpara popullit. Filloi të merrej me ndërtimin e shtëpisë së vet, sepse askush nuk po i kundërvihej në këtë drejtim. Kështu, pra, vizioni i rindërtimit të Jeruzalemit u shua fare.

Ndoshta edhe ne, kur ballafaqohemi me dështime të dukshme, veprojmë po njëlloj si Zorobabeli. Fillojmë e merremi me gjëra, që s’na nxjerrin shumë telashe. Kur të tjerët na pyesin se ç’vizion kishim dikur për punën e Perëndisë, iu themi se ai vizion ndoshta nuk ishte në përputhje me vullnetin e Zotit. Kur na digjen ëndrrat dhe shpresat, atëherë fillojmë e ëndërrojmë për diçka më të thjeshtë. Dikur kërkonim më shumë nga jeta, kurse tani jemi të kënaqur vetëm me pak. E zakonshmja, monotonia e përditshme ia ka zënë vendin dëshirës, që kishim për një rigjallërim të mrekullueshëm.

Profeti

Në mes të gjithë këtij dështimi, zhdekurajimi dhe letargjie, ngrihet një njeri i Perëndisë me një mesazh prej Tij. Jo një mesazh të ri, por një fjalë inkurajimi, për ta shtyrë popullin prapë tek puna. Profeti Zakaria i tha me guxim Zorobabelit: “Kjo është fjala e Zotit”, një shprehje, që do ta ketë ngritur atë prej gjumit, “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time,” thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6). Puna e rëndësishme nuk do të përfundohej me forcat e njerëzve, por nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Këto fjalë do t’ia kenë bërë zemrën mal Zorobabelit. Por, si do t’ia dilnin mbanë armikut? Puna ishte penguar njëherë. A do të pengohej përsëri? Profeti kishte një mesazh edhe për këtë çështje: “Kush je ti, o mali i madh? Përpara Zorobabelit ti do të bëhesh fushë. Dhe ai do ta bëjë gurin e majës së malit të shkojë përpara midis britmave: “Mëshirë, mëshirë për të!”” (Zakaria 4:7). Perëndia e kishte vajosur Zorobabelin, për ta përfunduar detyrën, pavarësisht nga dështimet, që kishte hasur në të kaluarën. “Duart e Zorobabelit kanë hedhur themelet e këtij tempulli dhe duart e tij do ta përfundojnë” (Zakaria 4:9). Mali mund të ishte i lartë, por me Perëndinë ai nuk ishte i palëvizshëm. “Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: “Zhvendosu nga këtu atje,” dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju” (Mateu 17:20). Ndoshta Zorobabeli kujtoi se përpjekjet e tij të para, për ta rindërtuar qytetin, kishin qenë të parëndësishme e të kota. Por Perëndia kishte tjetër mendim. “Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla? Por ata të shtatë gëzohen kur shohin plumbçen në duart e Zorobabelit” (Zakaria 4:10). Që nga fillimi e deri në fund, Perëndia e bekoi punën, pavarësisht nga pengesat e shumta, që hasi populli.

Premtimi

Në fillim, Zorobabeli mund të mos e kishte konsideruar si të rëndësishme punën, ngaqë nuk e kuptonte se ajo i përkiste Perëndisë. Çdo organizatë e krishterë, që punon për lavdinë e Perëndisë, ka për t’u sulmuar prej armikut, kurse ata, që ngrenë perandoritë e tyre, që mendojnë vetëm për vete e jo për Perëndinë, duken sikur kanë gjithmonë sukses. Ndoshta ndihemi sikur po na hedhin nga tigani në zjarr, ndaj edhe zhdekurajohemi dhe e lëmë punën pas dore. Por Perëndia ynë është mjeshtër; Ai e merr atë, që duket si e parëndësishme dhe e kthen në diçka të bukur e të fuqishme.

Kjo mund të vihet re në shumë shembuj nga historia njerëzore. Perëndia përdori një bastun të thjeshtë prej druri, që i përkiste Moisiut, për ta çliruar Izraelin prej skllavërisë në Egjipt (shiko Eksodi 4:1-9). Një nofull gomari në duart e Samsonit vrau 1000 filistenj (shiko Gjyqtarëve 15:14-16). Një gur në hobenë e Davidit e mundi gjigandin Goliath (shiko 1 Samuelit 17). Me 5 bukë dhe 2 peshq u ushqyen 5000 vetë, nëpërmjet fuqisë së Jezusit (shiko Mateu 14:13-21). Sipas shëmbëlltyrës së Krishtit, një besim aq i vogël sa fara e sinapit mund të kthehet në një pemë aq të madhe, saqë zogjtë bëjnë fole në degët e saj (shiko Mateu 13:31-32).

Thelbi i gjithë këtyre shembujve, pra, është shumë i thjeshtë për t’u kuptuar. Mund ta kemi filluar mirë punën e Perëndisë, por, shumë shpejt, kemi hasur vështirësi e kemi dështuar. Ëndrrat dhe shpresat na janë prishur, por nuk duhet ta përçmojmë një fillim të vogël. A prish punë se anëtarët e kishës sonë janë të paktë në numër? E pse duhet të na vijë turp, ngaqë nuk kemi një godinë lluksoze? Nuk duhet t’ia dorëzojmë veten talljeve të djallit, duke e përqëndruar vëmendjen tek të metat dhe dobësitë tona. Përkundrazi, le të presim e ta shohim se si ka për të ndërhyrë Fryma e Perëndisë. Atëherë do ta shohim se si lavdia e pranisë së Tij ka për të na i mbushur zemrat, për t’i shërbyer edhe më mirë Atij.     

Përfundim   

Ka ardhur koha, që t’iu japim jetë të re ëndrrave tona të prishura. Ka ardhur koha, që t’i shohim gjërat me syrin e Perëndisë, jo me syrin tonë, apo me syrin e armikut. Premtimi i Zotit ndaj Zorobabelit është i vlefshëm edhe për ne sot: “Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time,” thotë Zoti i ushtrive” (Zakaria 4:6). Kështu, pra, le të mos e përçmojmë “ditën e gjërave të vogla” (Zakaria 4:10), sepse “lisat e lartë prej farave të vogla çelin”.

Mbrapa

Advertisements