Dituria e vërtetë dhe dituria e rreme (4)

Kush është ndër ju i urtë dhe i ditur? Le të tregojë me sjellje të bukur veprat e tij me zemërbutësi të urtësisë. Por në qoftë se ne zemrën tuaj keni smirë të hidhur dhe grindje, mos u mbani me të madh dhe mos gënjeni kundër së vërtetës. Kjo nuk është dituri që zbret nga lart, por është tokësore, shtazore, djallëzore. Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija, kurse dituria që vjen nga lart, më së pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e bindur, plot mëshirë dhe fryte të mira, e paanshme dhe jo hipokrite. Dhe fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që bëjnë paqen.” (Jakobi 3:13-18).

Parathënie

Si mund ta dallojmë diturinë e vërtetë prej asaj së rreme? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet ta përcaktojmë në fillim, nëse ajo që thuhet është e pastër, e shenjtë dhe e panjollosur prej diturisë së botës. Dituria e vërtetë mund të gjendet vetëm atje, ku vihet në zbatim Bibla dhe mesazhi i saj. Xhon K. Haçisën ka thënë: “Dituria është aftësia për ta parë jetën me sytë e Perëndisë”.

Fakti

Jakobi na shfaq karakteristikat e dikujt, që jeton sipas diturisë së Perëndisë, e jo sipas diturisë së botës. Lista e elementeve përbërëse të kësaj diturie nuk mund të shkurtohet.

Dituri pajtuese: Një dituri, që nuk ka si qëllim paqen me Perëndinë, s’ka dyshim se do të shkaktojë konfuzion e do të ndihmojë në thurjen e herezive të mëdha. Paqja e vërtetë është e bazuar vetëm mbi themelin e fortë të fjalës së Perëndisë. Prandaj edhe Zoti Jezus i përshkruan pasuesit e Tij si “ata që përpiqen për paqen“. Vetëm njerëz të tillë mund të quhen “bij të Perëndisë” (Mateu 5:9).

Dituri e butë: Pasuesve të doktrinave të rreme nuk iu vjen mirë, kur të tjerët iua vënë në dukje se mësuesi apo udhëheqësi i tyre është heretik. Rrallëherë gjejmë pasues të tillë, që të jenë gati për t’i dëgjuar të tjerët me një zemër të përulur. Përkundrazi, në më të shumtën e rasteve, vëmë re tek ata një sjellje krenarie, inati dhe smire.

Dituri e bindur: Dituria e vërtetë është “e arsyeshme” dhe e gatshme për ta hedhur poshtë gjithçka, që nuk bazohet në të vërtetën biblike. Sot, sa të paktë janë ata, që janë gati për t’iu nënshtruar mësimeve të qarta të fjalës së Perëndisë! “Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë ai. Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit. Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia. Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, dhe i tillë nuk është as ai që nuk do vëllanë e vet” (1 Gjonit 3:7-10).

Dituri plot mëshirë: Ata, që janë të ditur, tregojnë mirësi, dashuri dhe dhembshuri, atëherë kur dikush i ofendon apo i persekuton, sepse, duke vepruar kështu, ata përpiqen ta imitojnë Krishtin në jetën e tyre të përditshme.

Dituri me fryte të mira: Të diturit e vërtetojnë se e njohin Zotin, nga mënyra se si jetojnë. Fryti i Frymës në ta tregon se besimi i tyre në Krishtin është i vërtetë, jo fallco. “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj” (Galatasve 5:22-23)… “Sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë” (Efesianëve 5:9)… “Të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë” (Filipianëve 1:11).

Dituri e paanshme: Ai, që është i ditur, nuk ia bën me hile askujt, por i trajton të tjerët njëlloj sikur të ishin të barabartë me veten e tij, pa kujtuar se ai vetë është më i mirë sesa ata. “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten” (Filipianëve 2:3).

Dituri pa hipokrizi: Kjo shprehje i referohet atij, që nuk devijon prej besimit të tij. Një njeri i tillë nuk bën gjoja se është, nga njëra anë, i krishterë në kishë, kurse, nga ana tjetër, kur nuk është mes bashkëbesimtarëve të tjerë, sillet si një mëkatar. I dituri është pasues i vërtetë i Krishtit në çdo fushë të jetës. Ata, që janë të ditur, janë në gjendje ta dallojnë menjëherë një të krishterë fallco prej sjelljes së tij, si edhe prej mënyrës së të folurit.     

Përfundim

Vans Havner ka thënë: “Nëse të mungon njohuria, shko në shkollë. Nëse të mungon dituria, përulu në gjunjë!”

Dituria e vërtetë shfaqet, atëherë kur jemi të përkushtuar ndaj Krishtit në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme. Të tjerët, madje edhe ata, që na përçmojnë, do ta vënë re diturinë tonë, kur e shohin sinqeritetin, pastërtinë dhe bindjen tonë ndaj fjalës së Perëndisë. Dituria është toka ku mbillen e rriten frytet e drejtësisë dhe të shenjtërisë. Dituria e vërtetë është e bazuar plotësisht në shkëmbin e Biblës. “Prandaj, ai që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i vë në praktikë, mund të krahasohet prej meje me një njeri të zgjuar, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi shkëmb. Ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; por ajo nuk u shemb, sepse ishte themeluar mbi shkëmb. Përkundrazi ai që i dëgjon këto fjalë dhe nuk i vë në praktikë, do të krahasohet me një njeri budalla, që e ka ndërtuar shtëpinë e tij mbi rërë. Më pas ra shiu, erdhi përmbytja, frynë erërat dhe u përplasën mbi atë shtëpi; ajo u shemb dhe rrënimi i saj qe i madh” (Mateu 7:24-27).

Mbrapa