Do të rrëmbehemi bashkë

“Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur, sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë” (1 Thesalonikasve 4:15-18).

Parathënie

Në këtë pasazh, Pali na ofron një nga përshkrimet më të qarta të Ardhjes së Dytë të Krishtit dhe të Rrëmbimit Lart të Kishës. Këto fjalë kanë si qëllim inkurajimin e atyre që vajtojnë vdekjen e të afërmve, si edhe të të gjithë besimtarëve, që e presin me padurim ardhjen e shpejtë të Zotit.

Është në Bibël

Duke studiuar Shkrimet e Shenjta, si edhe nëpërmjet zbulimit të drejtpërdrejtë, Pali mësoi më shumë rreth Ardhjes së Dytë të Krishtit. Pa dyshim, ai i studjoi me vëmendje ligjëratat e vetë Zotit Jezus, që kishin të bënin me ardhjen e Tij të dytë, ashtu siç paraqiten edhe në Ungjijtë, p.sh. “Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri” (Mateu 24:31). Pali iu tha besimtarëve që ta prisnin “shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (Titit 2:13). Kjo nuk është një doktrinë e re, por një doktrinë, origjina e së cilës gjendet në një nga librat më të hershëm të Dhiatës së Vjetër: “Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra” (Jobit 19:25-27).

Rrëmbimi Lart i Kishës

Kjo ngjarje do të ndodhë, atëherë kur, në kohën e caktuar, Zoti Jezus do të zbresë nga Qielli, atëherë kur “të ketë hyrë tërësia e johebrenjve” (Romakëve 11:25). “Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm dhe ne do të shndërrohemi” (1 Korintasve 15:51-52).

1) Do të dëgjohet një thirrje, urdhëri autoritar i Zotit: “Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij” (Gjoni 5:28)… “Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: “Llazar, eja jashtë!” (Gjoni 11:43). 2) Do të dëgjohet zëri i Kryeëngjëllit Mikael. 3) Do të bjerë buria e Perëndisë, si për ta lajmëruar ardhjen e Zotit, ashtu edhe për t’i mbledhur bashkë besimtarët. “Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive” (Psalmi 47:5).

Në momentin e Rrëmbimit Lart të Kishës, shpirti do të bashkohet me trupin, duke përmbushur kështu një nga aspektet e shpengimit: “Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytet e para të Frymës, vajtojmë në veten tonë, duke pritur flakët birërimin, shpengimin e trupit tonë” (Romakëve 8:23). Edhe pse tek 1 Korintasve 15:51, Pali e quan këtë ngjarje “një të fshehtë“, Rrëmbimi Lart i Kishës nuk është një ngjarje aq sekrete. Ka të ngjarë që ajo të shihet në mbarë botën. Fjala ‘rrëmbim’ rrjedh nga fjala latinishte ‘raptus’, e cila është vetë përkthimi i fjalës greke ‘harpazo’, që do të thotë ‘i kapur tutje’ ose ‘i rrëmbyer’. Pali na shpjegon se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt, “në një moment, sa hap e mbyll sytë” (1 Korintasve 15:51), ose me gjuhën e përditshme, në një të miliardën e sekondës. Të gjithë besimtarët, si ata që janë të vdekur, ashtu edhe ata që janë gjallë, do të rrëmbehen bashkë lart në praninë e Krishtit. Ky varg përmend gjithashtu edhe retë. Kjo tregon se Zoti nuk vjen në tokë në këtë fazë, prandaj edhe kjo ngjarje duhet të ndodhë para ardhjes së Mijëvjeçarit. Jezusi i thërret të Tijët pranë Vetes, për t’i marrë e për t’i çuar në Parajsë: “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3).

Përgjithmonë

Të gjithë besimtarët do të jenë përgjithmonë, gjatë gjithë përjetësisë, së bashku me Zotin. Ata besimtarë që kanë vdekur, do të bashkohen me të afërmit e tyre besimtarë. A do ta njohim njëri-tjetrin në Parajsë? Bibla thotë se po. Na ngushëllon fakti se një ditë Krishti do të vijë për të na marrë pranë Vetes dhe se do t’i shohim përsëri ata, për të cilët tani na merr malli. Në komentimin që i bën këtij vargu, Dhiata e Re e Popullit thotë: “Inkurajoheni njëri-tjetrin me garanci të tilla. Thuajuni atyre që vajtojnë, se kur të thirren për ta takuar Zotin, do të ndodhen në shoqërinë e lavdishme të të afërmve që kanë vdekur”.

Përfundim                      

A mund të themi: “Maranatha” (1 Korintasve 16:22) dhe “Po, eja, Zoti Jezus” (Zbulesa 22:20)? A duam me të vërtetë që Zoti të vijë pikërisht tani? Vetëm ata që e ndjekin me besnikëri Zotin Jezus Krisht, do të rrëmbehen lart, kur të vijë Ai. Prandaj duhet të jemi gati: “Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut” (Mateu 25:13).

Mbrapa

Advertisements