Do t’i vijë dita!

“Davidi iu drejtua pastaj Hiteut Alimelek dhe Abishait, birit të Tserujahut dhe vëlla i Joabit; dhe u tha atyre: “Kush do të vijë me mua te Sauli në kamp?”. Abishai u përgjegj: “Do të vij unë bashkë me ty”. Kështu Davidi dhe Abishai arritën natën te këta njerëz; dhe ja që Sauli rrinte shtrirë i përgjumur në kampin e qerreve, me shtizën e tij të ngulur në tokë, nga ana e kokës, kurse Abneri dhe njerëzit e tij po flinin rreth tij. Atëherë Abishai i tha Davidit: “Sot Perëndia të ka dhënë në dorë armikun tënd; prandaj, të lutem, më lejo ta godas me shtizë dhe ta mbërthej në tokë me një të rënë të vetme; nuk do të ketë nevojë për një goditje të dytë”. Por Davidi i tha Abishait: “Mos e vrit; kush me të vërtetë mund të ngrejë dorën kundër të vajosurit të Zotit pa u bërë fajtor?”. Pastaj Davidi shtoi: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, vetëm Zoti do ta godasë; o sepse do t’i vijë dita dhe ka për të vdekur, o sepse do të shkojë të luftojë dhe do të vritet. Zoti të më ruajë që të mos e shtyj dorën kundër të vajosurit të Zotit!” (1 Samuelit 26:6-11a).

Parathënie

Davidi pati mundësi ta vriste mbretin Saul dhe të largohej nga kampi, pa dijeninë e askujt, sepse të gjithë ushtarët ishin në gjumë. Ai, për momentin, u tundua prej këtij mendimi, por menjëherë e hodhi poshtë këshillën e Abishait. Davidi kishte marrë vendim, që të vazhdonte të sillej me drejtësi, madje edhe atëherë kur Sauli sillej me dinakëri kundra tij.

Kurajo

Davidi e pyeti si Ahimelekun, ashtu edhe Abishain, nëse donin të shkonin së bashku me të në kampin e Saulit. Vetëm Abishai e pranoi sfidën, ndoshta për shkakun se ai vetë ishte nipi i Davidit. Nëna e tij, Tseruja, ishte motra e Davidit (shiko 1 Kronikasve 2:1-16). Abishai do të luante një rol të rëndësishëm gjatë gjithë kohës, që Davidi ishte mbret i Izraelit. Ai e vërtetoi se ishte me të vërtetë një njeri besnik dhe kurajoz, komandant i ushtrisë së Davidit. “Abishai, vëllai i Joabit, ishte i pari i tre të tjerëve. Ai drejtoi ushtën e tij kundër treqind njerëzve dhe i vrau; kështu u bë i famshëm midis të treve” (1 Kronikasve 11:20)… “Përveç kësaj Abishai, bir i Tserujahut, mundi tetëmbëdhjetë mijë Edomitë në luginën e Kripës” (1 Kronikasve 18:12).

Tundimi

Sa të lehtë do ta kishte patur Davidi atë natë për ta vrarë Saulin, sidomos ngaqë të gjithë, duke përfshirë këtu edhe rojet e armatosura të mbretit, ishin në gjumë! Ashtu si çdo ushtar, që e gjen veten në një situatë të tillë, edhe Davidit, qoftë edhe për një moment të vetëm, do t’i kishte shkuar mendja për ta vrarë Saulin. Por, edhe sikur të ishte larguar nga skena, pa e marrë vesh askush, prapëseprapë, do ta akuzonin se ishte ai që e kishte vrarë mbretin, e kështu Davidi do të futej edhe më shumë në telashe. Është Satanai ai, që bën që tundimi të na shkaktojë të mëkatojmë. Për të, pak rëndësi ka nëse mëkatin e kryejmë apo jo në mënyrë sekrete, fshehtas të tjerëve. Ai e di se Perëndia i sheh të gjitha mëkatet. “Të jeni të sigurtë që mëkati juaj do t’ju gjejë” (Numrave 32:23).

Abishait iu duk sikur Perëndia e kishte sajuar situatën në mënyrë të atillë, që Davidi të korrte fitore atë natë kundra armikut. Davidit nuk i mbetej gjë tjetër, veçse ta lejonte Abishain që t’ia ngulte shtizën Saulin (ndoshta të njëjtën shtizë, me të cilën Sauli ishte përpjekur ta godiste dikur vetë Davidin). Një këshillë e tillë dukej e llogjikshme dhe e mençur, nga ana natyrale. Abishai nuk e kishte me të keq. Djalli nuk e ka problem t’i përdorë ata, që i kemi më të ngushtë si shokë, duke bërë që të na japin këshilla të mençura – këshilla, që, si përfundim, na shkatërrojnë nga ana shpirtërore. Djalli e di se, në më të shumtën e rasteve, Perëndia nuk është i pranishëm aty, ku zë vend llogjika dhe arsyetimi njerëzor. Për më tepër, djalli nuk mërzitet aspak, kur një vëlla apo motër besimtare i vë tundimit emrin e Perëndisë, duke thënë, p.sh.: “A është vërtet gabim të pish alkol? Edhe vetë Jezusi piu verë, apo jo?” Kështu, pra, djalli na e paraqet mëkatin, sikur të ishte i planifikuar prej vetë Perëndisë. Duhet t’i bëjmë pyetje vetes, se pse ata që nuk i binden Zotit, janë aq të gatshëm të citojnë vargje biblike, me qëllim që ta justifikojnë mëkatin e tyre? “Dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: “Ai do t’u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbi duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur“” (Mateu 4:6).

Davidi s’kishte nevojë ta prekte fare Saulin, sepse Abishai po ofronte vullnetarisht, që ta vriste mbretin në vend të tij, madje edhe me një goditje të vetme, duke i dhënë fund kështu të gjitha problemeve të Davidit. Por, a do ta lejonte Davidi një veprim të tillë? “Edhe pse poshtërsia dhe ashpërsia e Saulit e kishin ulur atë aq poshtë, prapëseprapë Davidi s’kishte asnjë arsye pse ta imitonte mbretin” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Rezistenca

Davidi e dinte se nuk do të korrte fitore ndaj Saulit, po ta pranonte këshillën e Abishait. Iu kujtua ajo, që kërkonte Perëndia prej tij, e jo ajo, që donin të tjerët. Prandaj edhe e hodhi poshtë këshillën e Abishait dhe i dha atij urdhër, që as ta prekte, as ta vriste Saulin. “Kështu, pra, Davidi preferoi t’ia vinte veshin ndërgjegjes së tij, në vend që t’ia vinte veshin interesave të veta, duke i besuar Perëndisë lidhur me këtë çështje” (Mateo Henri).

Davidi i shpjegoi Abishait arsyen pse nuk duhej vrarë Sauli. Një mëkat i tillë do të shkaktonte automatikisht ndëshkimin e Davidit. Me pak fjalë, pra, Davidi po i bindej fjalës së Perëndisë, në bazë të së cilës ai gjykonte se ç’ishte e drejtë e ç’ishte gabim. “Do t’i mësojnë popullit tim të dallojë atë që është e shenjtë nga ajo që është profane dhe do t’i bëjnë të njohur ndryshimin midis asaj që është e papastër dhe asaj që është e pastër” (Ezekieli 44:23). Ah, sikur pastorët të vepronin në të njëjtën mënyrë edhe sot! “Prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë. Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave” (2 Timoteut 4:2-4).

Davidi e dinte se Saulit do t’i vinte dita dhe se ai vetë do t’i jepte llogari një ditë Perëndisë. “Është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27)… “Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen” (2 Korintasve 5:10). Prandaj, pra, Davidi nuk e pa të nevojshme të merrej me Saulin, ngaqë Perëndia e dinte mirë se ç’zemër të ligë kishte ai. Zoti do të merrej me Saulin dhe do të ishte Ai, që do ta rrëzonte atë nga froni.

Përfundim

Davidin e shohim, duke iu shmangur përsëri metodave për t’u bërë mbret i Izraelit në mënyrë të pandershme. Ai e lejoi Perëndinë, që ta realizonte planin e Tij, pa patur nevojë as për ndihmën, as për mençurinë, as për ndërhyrjen e njerëzve. Davidi e quante mëkat të ngrinte dorë kundër Saulit, ndaj edhe nuk e pranoi këshillën e Abishait. Kishte besim se Perëndia do t’i jepte “një mundësi tjetër për t’i treguar Saulit se ishte i pafajshëm” (Gjon Uesli).  

Mbrapa

Advertisements