Doktrina Biblike e Lirisë së Vullnetit

Zoti i foli akoma Moisiut duke i thënë: “Folu Aaronit, bijve të tij dhe gjithë bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kushdo nga shtëpia e Izraelit ose nga të huajt në Izrael, që paraqet si olokaust për Zotin një ofertë për çfarëdo kushti ose çfarëdo dhurate sipas dëshirës; për të qënë i mirëpritur, do të ofrojë një mashkull, pa të meta, të marrë nga qetë, nga dhentë apo nga dhitë. Nuk do të ofroni asgjë që ka një të metë, sepse nuk do të ishte e pëlqyer. Kur dikush i ofron Zotit një flijim falënderimi, që është marrë nga kopeja apo nga tufa, qoftë për të përmbushur një kusht, qoftë si ofertë vullnetare, viktima për t’u pëlqyer duhet të jetë e përsosur; nuk duhet të ketë asnjë të metë” (Levitikut 22:17-21)… “Kremtuan gjithashtu festën e Kasolleve, ashtu siç është shkruar, dhe ofruan çdo ditë olokauste, në bazë të numrit që kërkohej për çdo ditë. Pastaj ofruan olokaustin e përjetshëm, olokaustet e hënës së re dhe të gjitha festave të përcaktuara nga Zoti, dhe ato të cilitdo që i bënte një ofertë vullnetare Zotit” (Esdra 3:4-5)… “O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua” (Psalmi 119:108).

  Parathënie   

Para ca vitesh, një pastor më kontaktoi për të më thënë se në Bibël nuk përmendet fare nëse, njeriu, i shpëtuar apo jo, ka liri vullneti. Kam mendimin se ky pastor i ka ngrisur fare ca faqe nga Bibla! Vargjet e mësipërme dhe disa të tjera si ato, të cilat kam për t’i përmendur edhe më vonë, thonë qartë se njeriu është i lirë për t’iu bindur, apo jo vullnetarisht Zotit. Ka nga ata kritikë të doktrinës së vullnetit të lirë, të cilët sugjerojnë se, edhe pse njeriu është i lirë të mëkatojë, ai nuk është i lirë t’i bindet Perëndisë. Një koncept i tillë është marrëzi dhe, ashtu siç na e tregon edhe Bibla, është gabim ta hedhësh poshtë doktrinën e lirisë së vullnetit.

Shpëtimi

Disa besojnë se njeriu nuk është i aftë të vijë tek Krishti dhe t’i besojë Atij si Shpëtimtar. Bibla na mëson se njeriu është plotësisht mëkatar. “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9). Por kjo nuk do të thotë se njeriu është plotësisht i paaftë. Bibla kurrë nuk na sugjeron madje se njeriu është aq i larguar prej Perëndisë, saqë ai është plotësisht i paaftë për të ardhur tek Krishti. Nuk është thjesht mëkati ai që e pengon njeriun së ardhuri tek Shpëtimtari. Problemi qëndron në faktin se ai vetë ka qejf të vazhdojë të jetojë në mëkat. “Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën” (Gjoni 5:40). Jezusi e thotë qartë se puna nuk qëndron tek njeriu, nëse ai mund të vijë ose jo tek Krishti, por nëse ai do që të vijë ose jo tek Krishti. Këtë ide e shohim edhe tek Mateu 23:37, “Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!” Nuk na thuhet se judenjtë nuk mund të vinin dot te Krishti, por thjesht se ata donin ta hidhnin poshtë Atë.

Thirrja e fundit për shpëtim, që na përmendet në Bibël, gjendet tek Zbulesa 22:17, “Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës”. Nëse askush nuk është në gjendje të vijë tek Krishti, atëherë kjo ftesë është e pavlefshme. Ata që lexojnë fjalën “i zgjedhuri” në vend të fjalës “ai që do”, i shtojnë fjalë të tepërta Biblës dhe e gënjejnë vetveten. E vetmja gjë që qëndron mes mëkatarit dhe shpëtimit, është dëshira e mëkatarit për të vazhduar në mëkat. Perëndia e krijoi njeriun si një agjent moral e të pavarur dhe Ai kurrë nuk ia ka hequr njeriut vullnetin apo dëshirën. Vargu i preferuar i kritikëve të vullnetit të lirë është Gjoni 6:44, “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit”. Por, pse ta ndalojmë së lexuari Biblën këtu? “Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek unë” (Gjoni 12:32). Zoti i tërheq të gjithë tek Vetja, por të paktë janë ata, të cilët janë gati t’i besojnë Atij. Çdo njeri, gjatë jetës së tij ka për të marrë ftesa të panumërta, të cilat e ftojnë që të vijë tek Krishti. “Ai (fjala) ishte drita e vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë” (Gjoni 1:9). Por, ashtu si judenjtë dikur, edhe shumica e njerëzve sot nuk pranojnë ta marrin Atë si Zot. “Ai (fjala) ishte në botë, dhe bota u krijua me anë të tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi në shtëpinë e vet dhe të vetët nuk e pranuan, por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia” (Gjoni 1:10-13). Vërtet që vetëm Perëndia është Ai, që mund ta rilindë mëkatarin që e pranon Krishtin, d.m.th. njeriu është plotësisht i paaftë për ta shpëtuar veten apo të tjerët. Por, nëpërmjet hirit të Tij sovran, Perëndia i jep njeriut lirinë për të marrë vendim për ta pranuar ose për ta hedhur poshtë Birin e Tij. “Dhe në rast se ju duket një gjë e keqe t’i shërbeni Zotit, zgjidhni sot kujt doni t’i shërbeni, o perënditë të cilëve u shërbyen etërit tuaj matanë lumit, o perënditë e Amorejve, në vendin e të cilëve ju banoni sot; sa për mua dhe për shtëpinë time do t’i shërbejmë Zotit” (Jozueu 24:15). 

Hiri

Duke marrë parasysh atë që thamë më lart rreth atyre që e hedhin poshtë lirinë e vullnetit kur vjen puna tek shpëtimi, mund të themi se ka edhe të tjerë që thonë se askush nuk mund t’i rezistojë dot hirit të Perëndisë, prandaj edhe askush nuk është i lirë për ta hedhur poshtë atë hir. Shprehja “hir i parezistueshëm” do të thotë se Perëndia ka marrë vendim për të shpëtuar vetëm një grup të zgjedhur njerëzish dhe është absolutisht e pamundur që ata të mos e pranojnë Krishtin si Shpëtimtar. Hidhini një sy vetë Biblës dhe keni për ta parë se fjala “i parezistueshëm” nuk gjendet asnjëherë përpara fjalës “hir”. Fjala “hir” do të thotë “favor falas dhe i pameritueshëm” i Perëndisë, ndaj edhe t’ia shtosh kësaj fjale fjalën “i parezistueshëm” do të thotë t’ia zvogëlosh asaj fuqinë dhe t’ia shtrembërosh asaj kuptimin. Me qëllim që hiri të jetë falas, marrësi i këtij hiri duhet të ketë liri për ta pranuar ose për ta hedhur poshtë atë. Nëse ky hir i imponohet me forcë qoftë edhe një njeriu të vetëm, atëherë ai nuk është hiri falas, të cilin na e përshkruan Bibla.

A bëhet fjalë në Bibël rreth hirit të parezistueshëm? Fjalët e Urta 29:1 na thonë se njeriu ka lirinë e vullnetit për t’i rezistuar Perëndisë, apo për ta hedhur poshtë thirrjen e Zotit në jetën e tij. “Njeriu që fortëson qafën kur qortohet, do të thyhet papritmas pa tjetër”. Vini re përdorimin e fjalëve “fortëson” dhe “kur”. Kjo do të thotë se Perëndia mund të hidhet poshtë më shumë sesa vetëm një herë dhe se një rezistencë e tillë të çon drejt mallkimit. “Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje, përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time” (Fjalët e Urta 1:24-25). Edhe Dhiata e Re na vë në dukje pikërisht të njëjtën liri për t’i rezistuar vullnetit të Perëndisë. “O njerëz qafëfortë dhe me zemër e veshë të parrethprerë, ju gjithnjë e kundërshtoni Frymën e Shenjtë; ashtu siç bënin etërit tuaj, ashtu bëni edhe ju. Cilin nga profetët nuk e përndoqën etërit tuaj? Ata vranë edhe ata që paralajmeronin ardhjen e të Drejtit, për të cilin tani ju jeni bërë tradhtarë dhe vrasës; ju, që e morët ligjin të shpallur nga engjëjt dhe nuk e keni respektuar!” (Veprat e Apostujve 7:51-53).

Perëndia iu ofron të gjithë njerëzve dhuratën falas të shpëtimit. “Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve” (Titit 2:11). Secili duhet që, me vullnetin e tij, të marrë vendimin për ta pranuar ose për ta hedhur poshtë një hir të tillë.

Përfundim                      

A është biblike doktrina e lirisë së vullnetit? Po, absolutisht që është biblike! Perëndia e krijoi Adamin si një agjent moral e të pavarur, me fuqinë për të zgjedhur mes bindjes dhe mëkatit. Adami vendosi t’i shkojë pas përvojës së re fetare e jo fjalës së Perëndisë (Zanafilla 3). Kur ia hoqi, pra, Perëndia njeriut vullnetin e lirë? Nëse njeriu nuk pati vullnet të lirë që në fillim, atëherë Zoti e kishte planifikuar me kohë mëkatin dhe Adami nuk ishte gjë tjetër veçse një bashkëpunëtor në këtë krim. Nëse Perëndia ia hoqi njeriut vullnetin e lirë për shkak se ai mëkatoi, atëherë mos, vallë, Ai kishte bërë gabim që e kishte krijuar njeriun në fillim me atë liri vullneti? Puna qëndron këtu se vullneti i lirë nuk është një ide e shpikur prej disave, por një mësim biblik. Pa dyshim që kritikët janë të lirë të vazhdojnë të besojnë se nuk janë të lirë për ta kritikuar doktrinën e tyre! Një fjali e tillë na tregon se sa shumë e kanë zhytur veten ata në gabim! “Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet” (Zanafilla 1:27), jo si një robot me kurdisje, pa liri vullneti. Ngaqë kemi liri vullneti, i ofrojmë Krijuesit tonë adhurim dhe lavdërim. “Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë” (Psalmi 54:6). Ngaqë kemi liri vullneti, ndajmë me të tjerët Ungjillin e Shpëtimit. “Falas morët, falas jepni” (Mateu 10:8). Ngaqë kemi vullnet të lirë, mund të marrim vendim për ta pranuar apo për ta hedhur poshtë zërin e Tij. “Kur thuhet: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes” (Hebrenjve 3:15).

Mbrapa