Doktrina e Shpëtimtarit mbi Vetë-Mohimin

Jezusi, pasi e qortoi Pjetrin, kur u përpoq ta pengonte domosdoshmërinë e vdekjes së Tij sakrifikuese mbi kryq, i njoftoi pasuesit e Tij se edhe ata vetë duhet të mbajnë mbi supe një kryq. Brez pas brezi, doktrina e vetë-mohimit është nënvlerësuar vazhdimisht prej të krishterëve.

Kryqi          

“Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Marku 8:34).

Vihet re qartë prej këtij teksti se të mohuarit e vetvetes është një domosdoshmëri absolute për cilindo, që deklaron se është pasues i Krishtit. E pranojmë se shpëtimi është një favor falas dhe i pamerituar prej Perëndisë, me anë të gjakut të Krishtit: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, jo nga vepra, që të mos mburret askush” (Efesianëve 2:8-9). Por, ndërkohë që shumë njerëz ndalojnë tek ky varg dhe thonë se i shpëtuari nuk ka nevojë të bëjë gjë tjetër, Pali vazhdon më tutje: “Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to” (Efesianëve 2:10). Nuk jemi të shpëtuar me anë të veprave, por veprat tregojnë se jemi të shpëtuar. Shenja dalluese e besimtarëve të vërtetë është, sipas Jezusit, “vetë-mohimi”. Ata që e pranojnë ofertën e Krishtit për shpëtim, duhet ta vënë në dukje realitetin e “veprës së Tij”, duke marrë kryqin  e tyre e duke e ndjekur çdo ditë: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka 9:23). Kjo do të thotë se duhet të marrim kryqin e doktrinës dhe kryqin praktik, kryqin e Krishtit dhe kryqin e vetë-mohimit. Vini re se si shumica e njerëzve i kushtojnë më shumë rëndësi pjesës së parë të vargjeve të mirënjohura, por i neglizhojnë fjalët, që vijnë më pas! Fjalët e Jezusit nuk mbarojnë këtu: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”, por Ai shton: “Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj. Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë!” (Mateu 11:28-30).

Doktrina e mohimit të vetvetes është e rëndë për t’u zbatuar, por Zoti do të na japë fuqinë për ta zbatuar atë gjatë gjithë jetës: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13). Me miliona besimtarë kanë vdekur për shkak të besimit të tyre, duke e mbajtur këtë zgjedhë mbi supe deri në martirizim, me qëllim që të mos e mohonin Krishtin. Të hysh në Qiell është falas, por duhet të paguash për abonimin vjetor.

Është e qartë se siç u përpoq Pjetri për ta penguar Krishtin, ashtu edhe shumë të krishterë do të mendojnë se ne jemi shumë strikt. Por janë pikërisht ata vetë, që janë në rrezik ta humbasin shpirtin, duke mos iu bindur mësimeve të qarta e të thjeshta të Biblës. “Sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni” (Romakëve 8:13). Po të mos e mbajmë mbi supe kryqin, kurrë nuk do të arrijmë ta mbajmë mbi kokë kurorën. Duhet të vazhdojmë të ecim me guxim e të mos lejojmë asnjeri apo asgjë që të na pengojë nga të shërbyerit Zotit. Kryqi mbahet vetëm për pak vite, por kurora do të mbahet përgjithmonë.

Çmimi

Sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë. Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?” (Marku 8:35-37).

Këto fjalë tregojnë arsyen e rëndësisë së vetë-mohimit në jetën e krishterë. Nëse këto fjalë janë të ngulitura thellë në zemrën tonë, atëherë do ta shohim se bota dhe djalli nuk do ta kenë fort lehtë për të na tërhequr larg prej Krishtit. Gjithkush ka një shpirt, që do të jetojë përgjithmonë. Të gjithë kemi një shpirt, për të cilin do të japim llogari përpara fronit të Perëndisë. Edhe pse jemi besimtarë, ah, sa pak vëmendje i kushtojmë shpirtit! Askush nuk mund ta shpëtojë shpirtin e vet, por gjithkush mund ta humbasë atë në flakët e Ferrit. Nuk janë thjesht mëkatet e dukshme, që e dënojnë njeriun në përjetësi të humbur, sepse edhe thjesht besimi në një fe të rreme apo në supersticione njerëzore të çojnë në Ferr. Vini re se Jezusi nuk po iu flet këtu turmës së njerëzve, por dishepujve të Tij. Nëse ata nuk jetojnë një jetë vetë-mohuese, atëherë do ta humbin shpirtin. Çdo besimtar do të japë llogari për jetën e vet.

Sumica e besimtarëve i kanë kthyer sytë tek bota për ta kënaqur shpirtin. Ata harrojnë se po shkojnë drejt shkatërrimit të përjetshëm. “Sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë” (2 Timoteut 4:10)… “Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të, sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë” (1 Gjonit 2:15-17). Ata janë si Esau, që e shkëmbeu parëbirërinë e tij me një supë me thjerrëza (shiko Zanafilla 25:34).

Duhet të meditojmë mbi seriozitetin e kësaj teme. Nëse veprojmë kështu, atëherë do të jemi të armatosur më së miri, kur ari i të pamendit të kësaj bote na del përpara syve e na duket se ka më shumë vlerë sesa jeta e përjetshme, apo kur persekutohemi për kauzën e Krishtit.

Fatkeqësia

Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë” (Marku 8:38).

Asnjë besimtar i vërtetë nuk ka deklaruar ndonjëherë se atij i vjen turp nga Krishti. Përkundrazi, ai ka rrëfyer se Jezusi është Zot. Por, në praktikë, kur një njeri nuk jeton një jetë të shenjtë, atëherë ai e tregon se i vjen turp nga Krishti. I vjen turp të konsiderohet prej familjes dhe miqve si pasues i vërtetë i Krishtit. Nuk do të duket sikur është tip i veçantë , ndryshe nga ata që e rrethojnë. Ai që nuk do që të ndjekë doktrinën e vetë-mohimit, e vërteton se i vjen turp nga Krishti dhe, menjëherë, e gjykon veten, ashtu siç thotë edhe vargu i mëposhtëm. Salomoni kishte të drejtë, kur tha: “Frika e njeriut përbën një lak” (Fjalët e Urta 29:25). Sa keq, kur shohim besimtarë, që janë më të gatshëm për t’i shkuar pas botës, sesa fjalës së Perëndisë! “Sepse unë tani vallë kërkoj të fitoj miratimin e njerëzve apo të Perëndisë? Apo kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Sepse, po të kërkoja t’u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit” (Galatasve 1:10). Frika e talljes e skllavëron shpirtin dhe e detyron atë të jetojë sipas opinioneve të botës.

Përfundim

Duhet t’i lutemi Perëndisë për besim dhe guxim, që ta ndjekim me të vërtetë Krishtin çdo ditë. Nuk duhet të na vijë turp aspak nga Krishti. Përkundrazi, duhet të turpërohemi, kur e njollosim emrin e Krishtit nëpërmjet mëkatit, mosbesimit apo të jetuarit si bota. E si mund të na vijë turp nga Ai, që vdiq në kryq për të na shpëtuar shpirtin? Duhet të mësohemi ta mos e vëmë re talljen, kritikën dhe përçmimin e botës dhe të besimtarëve mishorë, por, përkundrazi, duhet të vazhdojmë t’i mbajmë sytë tek Krishti, derisa t’i dëgjojmë ato fjalë lavdëruese: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:21). Është njëmijë herë më mirë ta dëshmosh Krishtin këtu, si me fjalë, ashtu edhe me vepra dhe të durosh talljet e të tjerëve, sesa të mohohesh prej Tij përpara Atit në Ditën e Gjyqit.

Mbrapa

Advertisements