Domosdoshmëria e vdekjes së Krishtit

“Atëherë ai u tha atyre: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?” (Luka 24:25-26).

Parathënie
Po të kishte një mënyrë tjetër për të shpëtuar mëkatarët, atëherë Perëndia do ta kishte zgjedhur atë rrugë. Por jo, në planin hyjnor nuk kishte asnjë mënyrë tjetër për ta shlyer fajin. Derdhja e gjakut të Zotit Jezus Krisht ishte e vetmja zgjidhje për problemin e mëkatit. Krishti duhej të vdiste në vend të mëkatarit dhe të mbartte mbi supet e Tij mëkatin e botës dhe zemërimin e Perëndisë. 

Perëndia nuk e kishte për detyrë të na shpëtonte
Perëndia nuk e kishte për detyrë ta shpëtonte njeriun, thjesht sepse ai ishte i zhytur e i humbur në mëkat. Perëndia nuk e kishte për detyrë ta dërgonte Birin e Tij të vetëmlindurin, që të paguante për shlyerjen e mëkatit (Gjoni 3:16). Kur mëkatuan ëngjëjt, Perëndia i ndëshkoi ata me burgim, në pritje të gjygjit final (2 Pjetrit 2:4). Ai do të kishte vepruar me drejtësi të përsosur dhe absolute, edhe po qe se do të na kishte braktisur plotësisht. 

Mëshira e Perëndisë
Mëshira shpërthen, atëherë kur drejtësia hyjnore takohet ballë për ballë me dashurinë. Nga njëra anë, drejtësia kërkon që mëkatari ta paguajë plotësisht çmimin për mëkatin, edhe pse një gjë e tillë është e pamundur. Nga ana tjetër, mëshira hap rrugën për ta çliruar mëkatarin nga borxhi. Ky çlirim dhe kjo mëshirë manifestohet tek Krishti. Tek lutej për ato që do të ndodhnin ditën e nesërme, Jezusi i tha të Atit: “Ati im, në qoftë se është e mundur, largoje prej meje këtë kupë; megjithatë, jo si dua unë, por si do ti” (Mateu 26:39). Në këtë tekst shohim dy të vërteta të rëndësishme. Së pari, nuk kishte asnjë lloj mënyre tjetër që të mund ta shlyente mëkatin e njeriut dhe së dyti, ishte vullneti i Perëndisë që Biri i Tij ta paguante çmimin për mëkatin, si Qengji i Perëndisë. Vdekja e Tij mbi kryqin e Kalvarit ishte i vetmi mjet i mundur për shpëtimin tonë (Veprat e Apostujve 4:12).

Në tekstin në hyrje të këtij studimi, duket qartë se vdekja e Krishtit në kryq ishte absolutisht e domosdoshme, në mënyrë që të shpëtohej njeriu. Ai e vërtetoi këtë nëpërmjet shumë vargjeve biblike (Luka 24:27). 

Një si ne
Fuqia shfajësuese e gjakut të Jezus Krishtit ishte mënyra që zgjodhi Perëndia si për të ruajtur drejtësinë e Tij, ashtu edhe për të shpëtuar mëkatarin. Ky çlirim nuk vjen nëpërmjet veprave të mira, por përmes besimit (Romakëve 3:26-28; Efesianëve 2:8-9).

Vetëm Krishti mund ta realizonte këtë akt mëshire. Është e pamundur për njeriun, që ai ta shlyejë vetë mëkatin e tij. Nuk mjaftojnë as sakrifikimet e kafshëve. Edhe pse kafshët nuk e dinë se ç’është mëkati, prapëseprapë ato nuk e kuptojnë arsyen pse duhet të vuajnë ato në vend të mëkatarit. Hebrenjve 10:4 thotë: “Sepse është e pamundur që gjaku i demave dhe i cjepve të heqë mëkatet”. Duhej një sakrificë më e mirë, një sakrificë, që të mund ta përmbushte këtë domosdoshmëri të njeriut. Zoti Jezus u bë si ne, në mënyrë që Ai të zinte vendin tonë në kryq… “Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit, sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen” (Hebrenjve 2:17-18).

Përfundim
Shkurtimisht, nuk egziston asnjë lloj mënyre tjetër shpëtimi, veçse nëpërmjet gjakut të Zotit Jezus Krisht. Ata që kërkojnë një rrugë tjetër, ose që u prezantojnë mëkatarëve një mënyrë tjetër, e çnderojnë Zotin, i cili pagoi çmimin më të lartë për të na çliruar nga mëkati. Nuk ka asnjë lloj rruge tjetër. Jezusi tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6).

Mbrapa

Advertisements