Drita e Vërtetë dhe Llamba besnike

Parathënie

Vargjet, që do t’i shikojmë në këtë studim, kanë si pikësynim përforcimin e shëmbëlltyrës së mbjellësit. Tek Marku 4:21-25 gjejmë atë mësim, që ka pasoja në jetën e një besimtari vërtetë të rilindur.

Drita jonë shpirtërore

Pastaj u tha atyre: “A merret vallë llamba për ta vënë nën babunë ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen? Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë” (Marku 4:21-22).

Shumica e atyre besimtarëve, të cilët e kanë dëgjuar fjalën e Perëndisë, nuk iu tregojnë të tjerëve rreth Zotit. Është njëlloj sikur të kesh një elektrik dore, por të mos ia japësh askujt e t’i lësh të tjerët në errësirë. Drita shpirtërore, që na ka dhënë Krishti, është si për përfitimin tonë, ashtu edhe atë të të tjerëve. E kemi për detyrë që ta shpallim mesazhin e shpëtimit në të gjithë botën: “Ju jeni drita e botës” (Mateu 5:14). Kjo dritë vjen nga “Drita e Vërtetë”. Jezusi tha: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12). Ai është ajo “Drita e Vërtetë, që ndriçon çdo njeri që vjen në botë” (Gjoni 1:9). Ata që e kanë këtë dritë, mund t’ua fshehin atë të tjerëve, vetëm atëherë kur nuk i binden Zotit.

Çdo besimtari do t’i kërkohet llogari, kur të hapet “Libri i Jetës” në ditën e gjyqit: “Vepra e secilit do të shfaqet, sepse dita do ta tregojë; sepse do të zbulohet me anë të zjarrit, dhe zjarri do të provojë veprën e secilit e ç’lloji është” (1 Korintasve 3:13, shiko gjithashtu edhe Zbulesa 20:12-13). A do të ndihemi fajtorë, kur të zbulohet se e kemi fshehur dritën e fjalës së Perëndisë? “Në fund erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një talent dhe tha: “Zot, unë e dija se je njeri i ashpër, që korr atje ku nuk ke mbjellë dhe vjel ku nuk ke shpërndarë, prandaj pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd nën tokë; ja, unë po ta kthej” (Mateu 25:24-25). A kënaqemi me të qënit dembelë, të krishterë që nuk bëjnë asgjë, që nuk e vrasin mendjen fare për të humburit dhe për ndëshkimin e tyre të përjetshëm? A kemi frikë dhe turp që të flasim për Krishtin? Të predikuarit dhe të mësuarit e së vërtetës nuk iu takon vetëm disave, por çdo njërit, që është pasues i Zotit. Kemi ilaçin për shpirtin e sëmurë prej mëkatit: “Gjithsecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë, si kujdestarë të mirë të hirit të shumëfarshëm të Perëndisë” (1 Pjetrit 4:10). Ndjenjat e apostullit Pal duhet të jenë edhe ndjenjat tona: “Sepse, në qoftë se unë predikoj ungjillin, s’ka asgjë që unë të mburrem, sepse kjo është një nevojë që më është ngarkuar; edhe mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!” (1 Korintasve 9:16). Dikush ka thënë se shumica e të krishterëve janë si Deti i Vdekur, të mbyllur tek gryka!

Dëgjimi ynë shpirtëror

Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!” Dhe u tha atyre: “Vini re atë që dëgjoni” (Marku 4:23-24a).

Si besimtarë që jemi, duhet ta duam të vërtetën dhe t’i bindemi asaj. Vetëm atëherë, ajo që dëgjojmë, do të na kthehet në besim: “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Romakëve 10:17). Po nuk patëm veshë për të dëgjuar, do të jetë e pamundur që të marrim nga Perëndia: “Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja” (Hebrenjve 3:7-8). Po qe se ne nuk jemi gati për ta dëgjuar fjalën e Tij, atëherë si mund të presim që të humburit ta dëgjojnë Fjalën? Rrallëherë ndodh që dikush të shpëtohet, pa e dëgjuar Fjalën: “Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj…” (Efesianëve 1:13).

Predikimi mund t’iu duket “marrëzi” të humburve, por, prapëseprapë, ai është një nga mënyrat e fuqisë dhe hirit të Perëndisë (1 Korintasve 1:18). Shumica e atyre që shkojnë në kishë, janë të kënaqur me formalitetet, me himnet dhe lutjet, por e hedhin poshtë predikimin dhe domosdoshmërinë për t’i thërritur të humburit tek Krishti. Besimtari i vërtetë duhet t’i dalë përkrah Biblës dhe ta shpallë atë: “Mos i përbuzni profecitë” (1 Thesalonikasve 5:20). (Në Greqisht, fjala “profeci” përkthehet “predikim, instruksion, paralajmërim”)… “Prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë. Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave” (2 Timoteut 4:2-4).

Jeta jonë shpirtërore

Me atë masë që ju matni, do t’iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t’iu jepet edhe më. Sepse atij që ka, do t’i jepet, por atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo që ka” (Marku 4:24b-25).

Gjithçka që kemi në jetën tonë të krishterë, është dhuratë nga Perëndia. Pendesa, besimi dhe shenjtëria e një besimtari maten nga niveli i zellit dhe bindjes që ka ai. Perëndia nuk e bekon kurrë përtacinë dhe dembelizmin, por ata që këmbëngulin dhe durojnë deri në fund, ata do të marrin shpërblimet e Tij: “Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria” (Fjalët e Urta 19:15). Duhet t’ia përkushtojmë plotësisht jetën Zotit, në mënyrë që ta ruajmë atë që kemi.

Duhet t’i kushtojmë vëmendje parimit të pasurisë shpirtërore. Ata që rriten në hir, njohuri dhe shenjtëri, janë studentë të zellshëm të Biblës. Janë të zellshëm në fjalë, në lutje, në shoqëri me besimtarët e tjerë dhe në ndarjen e Lajmit të Mirë. Ashtu siç forcohen muskujt, sa më shumë që t’i përdorësh, ashtu edhe shpirti rinohet, duke dëgjuar fjalën e Perëndisë dhe duke iu bindur asaj. Do të korrim atë, që kemi mbjellë: “Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme” (Galatasve 6:7-8). Perëndia na ka dhënë gjithçka që na duhet për jetën tonë shpirtërore. Nëse nuk e përdorim, atëherë do e humbim madje edhe atë, që kujtojmë se e kemi.      

Përfundim

A duam që të rritemi në Zotin? A duam që t’i shohim të tjerët të vijnë tek Krishti? Atëherë, ne, si të krishterë që i besojnë Biblës, duhet të jetojmë sipas dritës. Duhet “ ecim në dritë” (1 Gjonit 1:7) dhe ta shpërndajmë këtë dritë, në mënyrë që edhe të tjerët të tërhiqen drejt saj. Sa më shumë vëmendje që t’i kushtojmë fjalës së Perëndisë, aq më e fortë do të jetë drita e hirit dhe e fuqisë së Tij në jetën tonë. 

Mbrapa

Advertisements