Dy fjalë të rëndësishme (2)

Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë; dhe u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish’’ Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën. Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri. Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas” (Mateu 4:18-22).

Parathënie

“Ndiqmëni” – dy fjalë të thjeshta, por shumë të rëndësishme, që na tregojnë nëse dikush është ose jo vërtet dishepull i Krishtit. Në studimin e kaluar, e pamë se është e pamundur të jesh i krishterë dhe të mos e ndjekësh Jezusin. Në këtë pjesë të dytë të studimit tonë, do t’i hedhim një sy ‘urdhërimit’: “Ndiqmëni”.

Urdhëri për ta ndjekur Krishtin

Fjala “ndiqmëni” duhet të konsiderohet si një thirrje dhe si një urdhërim. Dy peshkatarët, Pjetri dhe Andrea, duhet të jenë habitur shumë, kur Jezusi iu doli përpara në atë lloj mënyre. Pa imagjinoheni veten një të dielë, tek i afroheni një të panjohuri dhe i thoni që t’ju ndjekë për në kishë. Të gjithë kanë për të kujtuar se jeni i çmendur! Jezusi, duke iu thënë vëllezërve (Pjetrit dhe Andreas) që ta ndiqnin, po iu thoshte në fakt se kishte dëshirë të bëhej udhëheqësi i tyre, plot fuqi dhe autoritet. Fjalët e Tij janë, pra, më shumë sesa një thirrje – ato janë një urdhërim. Peshkatarët i lanë rrjetat dhe, pa hezitim, e ndoqën Jezusin. Nuk bënë asnjë pyetje, asnjë lutje përkushtimi – thjesht iu bindën menjëherë urdhërimit.

E pse duhet të jetë ndryshe sot? Pse duhet të dëgjojmë pastorë të ndryshëm, apo të lexojmë libra, të cilët na shpjegojnë se ç’do të thotë ta ndjekësh Jezusin? Po ta ndjekim vërtet Atë, nuk do të kemi nevojë, që të na udhëheqë, apo të na mësojë dikush tjetër. Fatkeqësisht, ndryshe nga Pjetri dhe Andrea, ne kujtojmë se duhet t’i bëjmë pyetje vetes se ç’do të thotë ta ndjekësh Jezusin. Ndoshta hezitojmë, ngaqë nuk jemi të gatshëm për ta ndjekur. E ndoshta nuk jemi të gatshëm për ta ndjekur, ngaqë e duam më shumë botën sesa Krishtin. Prandaj, pra, para se të vazhdojmë më tej, duhet t’i japim përgjigje pyetjes: Ç’do të thotë ta ndjekësh Zotin sot?

Kolosianëve 3:1-10 na mëson sesi duhet të sillen dhe të veprojnë pasuesit e Krishtit në botë. “Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë, sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë. Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të. Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari; për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes, midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to. Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj. Mos gënjeni njeri tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij, edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi”. Pali na thotë se, në mënyrë që ta ndjekim vërtet Krishtin, duhet ta zhveshim tokësoren dhe të vishemi me hyjnoren – d.m.th. jeta jonë duhet të jetë plotësisht e ndryshuar! Tek Efesianëve 5:1-10, na jepet urdhër: “Bëhuni pra imitues të Perëndisë” (vargu 1), duke hedhur poshtë mëkatin dhe duke ecur “si bij të dritës” (vargu 8). Vetëm atëherë mund ta provojmë se “çfarë është e pranueshme për Perëndinë” (vargu 10).

Sjellja e pasuesve

Ka nga ata, që kujtojnë se po e ndjekin Jezusin, ngaqë i shërbejnë Atij. Por në fakt, njerëz të tillë po i shërbejnë thjesht një kishe të caktuar dhe kanë shumë pak (ose aspak) njohuri nga Bibla. Është e pamundur t’i shërbesh Zotit, pa e ndjekur Atë. “Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë” (Gjoni 12:26). Po ne, a jemi vërtet pasues të Krishtit, apo thjesht ndjekim rregullat e një kishe? Përgjigja qëndron tek Mateu 16:24: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë”. Fatkeqësisht, të shumtë janë ata, që e pranojnë këtë të vërtetë, por nuk e vënë atë në praktikë.

Metoda më e mirë për ta ndjekur Jezusin është të jetosh siç jetoi Ai, sipas mësimeve që mësoi kur ishte në botë. Kështu pikërisht thuhet edhe tek 1 Pjetri 2:21-23: “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij. “Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij’’ Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek ai që gjykon drejtësisht”. Jezusi e mposhti çdo lloj tundimi me anë të fjalës së Perëndisë (shiko Mateu 4:1-11). Ai iu ka dhënë pasuesve të Tij po të njëjtën fuqi, për të vepruar në të njëjtën mënyrë si Ai. Mënyra më e mirë për ta mposhtur tundimin është të qëndruarit afër Zotit dhe të vënit në praktikë të mësimeve të Biblës kundra Satanait. “Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve” (Jakobi 4:7-8). Çdo tundim mund të mposhtet prej pasuesit të Krishtit. “Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni” (1 Korintasve 10:13).

Perëndia nuk ka lënë pa shembuj tokësorë, që t’i ndjekim, d.m.th. nuk është gabim t’i ndjekësh ata, që ndjekin Zotin, por pa i ngritur njerëz të tillë në pjedestal. Pali, p.sh. e inkurajoi kishën e Korintasve, që ta ndiqnin shembullin e tij. “Prandaj ju bëj thirrje të bëheni imituesit e mi” (1 Korintasve 4:16). Një ide e tillë vihet re edhe tek Filipianëve 3:17, “Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne”. T’iu shkosh pas atyre që ndjekin Zotin, është njëlloj sikur t’i shkosh pas vetë Zotit.

Përfundim       

Urdhërimi për ta ndjekur Krishtin nuk është një opcjon, por një kërkesë drejtuar të gjithë atyre, që thonë se janë dishepujt e Tij. Bibla na thotë se është e pamundur të ndjekësh dy rrugë njëkohësisht. Për më tepër, i krishterë është ai, që zbaton mësimet e Jezusit. Në studimin tonë të ardhshëm  lidhur me këtë çështje, do t’iu hedhim një sy pasojave, që vijnë nga të ndjekurit e Jezusit.

Mbrapa