Dy fjalë të rëndësishme (3)

Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë; dhe u tha atyre: “Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish’’ Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën. Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri. Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas” (Mateu 4:18-22).

Parathënie

Thirrja ose urdhërimi për ta ndjekur Krishtin kërkon një përgjigje aktive prej nesh. Jezusi, pasi e thirri Pjetrin dhe Andrean, priti që ata të vepronin, të bënin diçka rreth asaj që kishin dëgjuar. Nuk priti shumë, sepse ata e ndoqën Atë menjëherë. Në këtë pjesë të fundit të studimit tonë, do t’iu hedhim një sy pasojave, që vijnë si rezultat i të ndjekurit të Jezusit, ose, me fjalë të tjera, pasojat, që vijnë nga ajo që tha Jezusi: “Unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”. Jezusi nuk do t’i kishte bërë këta dy vëllezër peshkatarë njerëzish, po qe se ata nuk do ta kishin lënë pas gjithçka për ta ndjekur.

E pse duhet ta ndjekim Jezusin në jetën e përditshme? A nuk mjafton thjesht të jemi anëtarë të një kishe, apo ta quajmë veten të krishterë? Së pari, jemi thirrur për ta ndjekur; së dyti, marrim shpërblim, kur e ndjekim Krishtin; së treti, i mënjanohemi mallkimit të përjetshëm dhe së katërti, e kënaqim vetë Zotin.

1.     Jemi thirrur për ta ndjekur Krishtin

Këtë çështje e kemi shtjelluar edhe në studimet e kaluara, por le t’i hedhim një vështrim shkurtimisht disa vargjeve biblike, të cilat na urdhërojnë që të ndjekim gjërat e Perëndisë. Tek 1 Timoteut 6:11, shohim urdhërimin për t’i shkuar pas drejtësisë. “Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë”. Kjo është e mundur vetëm atëherë, kur Perëndia zë vend të parë në jetën tonë, vetëm atëherë kur e ndjekim Atë, ashtu siç na drejton Ai në fjalën e Tij. “Kërkoni më parë mbretërinë e Perëndisë” (Luka 12:31). Besimtari, që nuk e ndjek Krishtin, nuk përfiton asgjë. Të shumtë janë ata, që kujtojnë se e ndjekin Zotin, por, në fakt, nuk e pranojnë kryqin e Tij. Fatkeqësisht, të tillë njerëz gënjejnë vetveten, duke kujtuar se kanë jetë të përjetshme. “Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë. Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet? Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij. Në të vërtetë ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet’’ (Mateu 16:24-28).

2. Marrim shpërblim, kur e ndjekim Krishtin

Çfarë privilegji është të kesh mundësinë për të hyrë “nga dera e ngushtë”! (Mateu 7:13) Kjo është e vetmja mënyrë për të hyrë në prezencën e Perëndisë. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Bekimet na ndjekin, në momentin kur hyjmë nga dera e ngushtë dhe ecim në rrugën që na tregon Zoti. “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmi 16:11). Jezusi tha: “Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Mateu 6:33). Të njëjtin bekim morën edhe pasuesit e Perëndisë në Dhiatën e Vjetër. “Do të zbatosh plotësisht drejtësinë, në mënyrë që ti të jetosh dhe të zotërosh vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep” (Ligji i Përtërirë 16:20). Pasuesit e vërtetë të Zotit janë vërtet të bekuar. “Atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë” (Psalmi 34:10).

3. I mënjanohemi mallkimit të përjetshëm, nëse e ndjekim Krishtin

Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës’… Nëse do të qëndroni në fjalën time, jeni me të vërtetë dishepujt e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë’’ (Gjoni 8:12, 31-32). Ai që nuk jeton në dritën e fjalës së Perëndisë, është i humbur në errësirë. Mund ta njohim të vërtetën, vetëm kur e studjojmë me zell Biblën. Vetëm kur e ndjekim Jezusin, jemi të siguruar se kemi jetë të përjetshme. Gjoni na tha se duhet “të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë” (1 Gjonit 1:7). Ata që janë të rilindur, e kanë për detyrë të ecin në dritën e Krishtit. Nëse nuk ecim në dritën e Tij, atëherë nuk jemi rigjeneruar kurrë prej Frymës së Shenjtë. Ata që nuk e ndjekin Krishtin, i pret një e ardhme e tmerrshme. “Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë” (Hebrenjve 10:31). Të njëjtën gjë thotë edhe Jezusi tek Gjoni 15:1-11, “Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen” (vargu 6). Ky varg na përshkruan ndarjen prej prezencës së Perëndisë të njeriut kokëfortë që nuk pendohet, i cili, më në fund, përfundon në mallkim të përjetshëm. Kështu thotë edhe Mateu 25:30, “Dhe flakeni në errësirën e jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh”. Si fëmijë të Perëndisë që jemi, nëse ecim në hapat e Jezusit, nuk kemi për të qenë kurrë shërbëtorë të pavlefshëm, por destinacjoni ynë ka për të qenë Parajsa, jo Ferri.

4. Perëndia kënaqet, kur e ndjekim

Jezusi tha: “Ati s’më ka lënë vetëm, sepse bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë’’ (Gjoni 8:29). Duhet të ndjekim shembullin e Jezusit dhe të veprojmë siç veproi Ai. E kënaqim Perëndinë, kur bëjmë atë që është e mirë dhe e drejtë. “Dhe mos harroni bamirësinë dhe t’u jepni ndihmë të tjerëve, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla” (Hebrenjve 13:16). Të gjithëve na pëlqen që t’i dëgjojmë fjalët: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:23), por fjalë të tilla iu thuhen vetëm atyre, që e kanë ndjekur Krishtin dhe i janë bindur Atij. Pali na thotë se ata “që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë” (Romakëve 8:8). Prandaj, pra, “vëllezër, ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t’i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë” (1 Thesalonikasve 4:1).   

Përfundim       

E kënaqim Perëndinë, kur e ndjekim Krishtin. E kemi dëgjuar thirrjen: “Kërkoni fytyrën Time”, ndaj duhet të përgjigjemi: “Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot” (Psalmi 27:8). Jemi mëse të siguruar se jemi të shpëtuar, nëse e ndjekim Krishtin. Ai ka për të na bërë të aftë për t’i shërbyer. Le të bëhemi atëherë “imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur” (Efesianëve 5:1)… “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14).  

Mbrapa