Dy pyetje të rëndësishme

“Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?” (Markut 8:36-37).

Parathënie

Të gjithë sot duan të kenë një jetë të rehatshme. “Ah, sikur të fitoja llotarinë” – mund të thotë dikush, “atëherë jeta ime do të ishte më e ëmbël!” Të gjithë, pra, ëndërrojnë për një jetë më të begatshme e pa probleme. Edhe mes të krishterëve, ka nga ata, që duan një ungjill “të rehatshëm”, që nuk iu kërkon shumë llogari për mëkatin, apo që nuk iu harxhon shumë kohë, por që iua ngroh zemrat me histori sentimentale. Në fjalën e Perëndisë nuk prezantohemi me një ungjill të tillë. Përkundrazi, fjala e Tij na prezanton me jetën e një pasuesi të vërtetë të Krishtit. Ata që nuk besojnë (dhe fatkeqësisht edhe disa që besojnë) nuk e duan një Shpëtimtar, që iu thotë të vërtetën!

Sfida

Dy pyetjet që na bën Jezusi në studimin e sotshëm, na bëjnë të mendohemi mirë rreth jetës sonë të rehatshme. Pyetje të tilla duan përgjigje. A e vrasim mendjen ndonjëherë për mënyrën se si jetojmë, ose më saktë, nëse me të vërtetë jetojmë një jetë të përkushtuar ndaj Zotit? Ndoshta nuk i bëjmë vetes një pyetje të tillë, ngaqë e dimë se jemi hipokritë. Thjesht jetojmë, duke kujtuar se jemi në rregull, ngaqë nuk jemi aq të këqinj sa të tjerët. Ndoshta edhe e lavdërojmë veten, ngaqë bëjmë të njëjtat gjëra si edhe të krishterët e tjerë. Mos, vallë, Jezusi vdiq në kryq për të na shpëtuar, në mënyrë që të jetojmë një jetë të tillë?

Thellë në zemër, e dimë se nuk ia kemi arritur asaj jete të bollshme, për të cilën na foli edhe Jezusi. “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Shumica e të krishterëve mundohen t’i plotësojnë nevojat e tyre shpirtërore me anë gjërash tokësore, por materializmi dhe lakmia për prona e pasuri kurrë nuk na e mbyll dot vrimën në zemër. Gjëra të tilla tokësore nuk rrojnë, kurse ne do të rrojmë përjetë, ndaj edhe kemi nevojë për atë që është e përjetshme. “Përkundrazi mblidhni për vete thesare në qiell, ku as tenja as ndryshku nuk prishin dhe ku vjedhësit nuk shpërthejnë dhe nuk vjedhin” (Mateu 6:20).

Pyetje të tilla duhet të na bëjnë aq të pakënaqur me gjërat e kësaj bote, saqë duam t’i hedhim ato poshtë përgjithmonë. Le të mos e harrojmë faktin se kush na i drejton këto” pyetje. Në të njëjtën kohë, le t’i vëmë re mirë pasojat e tmerrshme që vijnë, kur iu shkojmë pas gjërave që nuk na japin dot jetë. Zoti na e bën mëse të qartë faktin se ata që iu shkojnë pas gjërave të kësaj jete, kanë për ta humbur shpirtin. Shkurtimisht, pra, pasuritë e kësaj bote na e grabisin shpëtimin, sepse është e qartë se nuk mund t’i shërbejmë dot “Perëndisë dhe mamonit” (Mateut 6:24).

Kryqi

Kryqi është personal. Na kërkon gjithçka. Jezusi na i drejton dy pyetjet e mësipërme, menjëherë pasi na ka folur rreth domosdoshmërisë për t’ia përkushtuar plotësisht  jetën tonë shërbesës së Tij. “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë, sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë” (Marku 8:34-35). A e kuptojmë, pra, se nuk jemi këtu në tokë me qëllim për ta “gjetur” veten, apo për t’u bërë të famshëm? A e dini se heronjtë më të famshëm të kësaj bote, të cilët vdiqën pa e patur Krishtin në zemër, janë në fakt, humbësit më të mëdhenj të përjetësisë?

Nuk ia vlen të përfitosh në këtë jetë. Fitimtarët e vërtetë janë ata, që ia kanë “humbur” veten Krishtit! As paraja, as rehati nuk na bëjnë plotësisht të lumtur, sepse ato nuk barazohen me humbjen e shpirtit. Pse nuk i bindemi atëherë Zotit, kur na thotë që t’ia dorëzojmë jetën Atij, ta marrim kryqin dhe ta ndjekim? “Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë” (Markut 8:38). Shumicës së krishterëve të sotshëm iu vjen turp për Krishtin. Nuk duan të duken si fanatikë fetarë në sytë e të tjerëve. Janë aq të zënë me punët e kësaj bote, saqë nuk kanë kohë për Krishtin! Janë aq të zellshëm për t’u pasuruar këtu në tokë, saqë e kanë humbur durimin për të marrë thesaret e Qiellit! Edhe ti mund të thuash se nuk të vjen turp për Krishtin, por në fakt, të vjen turp, nëse nuk ia ke dorëzuar jetën plotësisht Atij. 

Përfundim

Si do t’iu ishim përgjigjur ne, vallë, pyetjeve të Jezusit? A do të na vinte turp t’i përgjigjeshim Atij? Apo mos, vallë, do të bënim ashtu siç kanë bërë për shekuj me rradhë edhe të krishterë të tjerë, d.m.th. do të kujtonim se këto ishin thjesht pyetje retorike, që s’kishin nevojë për përgjigje? E vetmja përgjigje që Zoti pret prej nesh është një jetë plotësisht e përkushtuar ndaj Tij, një shpirt që ia ka shitur plotësisht veten Atij. “Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Mateu 16:24). 

Mbrapa