E drejta jonë e hyrjes në Mbretërinë e Qiellit

Prandaj kujtohuni se dikur ju johebrenj në mish, të quajtur të parrethprerë nga ata që e quajnë veten të rrethprerë, sepse të tillë u bënë në mish, nga dora e njeriut, ishit në atë kohë pa Krishtin, të huaj në qytetërinë e Izraelit dhe të huaj për besëlidhjen e premtimit, pa pasur shpresë dhe duke qënë pa Perëndi në botë. Por tani, në Krishtin Jezus, ju që dikur ishit larg, u afruat me anë të gjakut të Krishtit. Ai në fakt, është paqja jonë, ai që ka bërë nga të dy popujt një dhe ka shembur murin e ndarjes, duke e prishur armiqësinë në mishin e tij, ligjin e urdhërimeve të përftuar nga porosi, për të krijuar në vetvete nga dy një njeri të ri, duke bërë paqen, dhe për t’i pajtuar të dy me Perëndinë në një trup të vetëm me anë të kryqit, mbasi vrau armiqësinë në vetvete. Dhe ai erdhi për t’ju shpallur paqen, juve që ishit larg dhe atyre që ishin afër, sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme. Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjestarë të familjes së Perëndisë, të ndërtuar mbi themelin e apostujve dhe të profetëve, duke qënë Jezu Krishti vetë guri i qoshes, mbi të cilin gjithë ndërtesa, e lidhur mirë, rritet për të qenë një tempull i shenjtë në Zotin, në të cilin edhe ju jeni bashkëndërtuar për të qenë një banesë e Perëndisë në Frymë” (Efesianëve 2:11-22).      

Parathënie

Tempulli në Jeruzalem konsiderohej prej hebrenjve si vendi më i shenjtë në botë. Atyre që s’ishin izraelitë, d.m.th. johebrenjve, nuk iu lejohej të hynin në brendësi të Tempullit. Por edhe vetë hebrenjve iu lejohej të shkonin vetëm deri në hyrje të një vendi të caktuar, të quajtur i Shenjti i të Shenjtëve, një vend i mbuluar me një perde të trashë. Vetëm Kryeprifti i Izraelit mund të hynte brenda një vendi të tillë, një herë në vit. Çdo person tjetër vdiste menjëherë, sapo të përpiqej të kalonte matanë perdes.

Johebrenjtë nuk mund të hynin në brendësi të Tempullit, ngaqë i pengonte një mur rreth 1m e gjysëm i lartë, i ngritur për këtë qëllim. Mbi mur shkruheshin këto fjalë: “Asnjë i huaj të mos hyjë brenda kufijve të ngritur rreth e qark shenjtores. Ai që kapet, e ka vetë fajin dhe do të vdesë, si pasojë e një veprimi të tillë”. Prandaj, pra, vetëm Perëndia mund ta përgatiste rrugën e kalimit, në mënyrë që edhe johebrenjtë të hynin në të Shenjtin e të Shenjtëve.

Ka një rrugëzgjidhje

Është për t’u theksuar fakti se çdo fe e kësaj bote kujton se vetëm ajo e askush tjetër është e vetmja rrugë për tek Perëndia. Secila prej këtyre feve thotë se Perëndisë mund t’i afrohesh nëpërmjet riteve dhe ceremonive të ndryshme fetare, nëpërmjet larjes e pastrimit të trupit, apo duke bërë vepra bamirësie. Hebrenjve, p.sh. iu duhej të shkonin në Tempull, në një kohë që johebrenjtë nuk kishin të drejtë të hynin fare në të. “Duke bërtitur: “O burra të Izraelit, na ndihmoni! Ky është ai njeri që u mëson të gjithëve dhe kudo kundër popullit, kundër ligjit dhe kundër këtij vendi; përveç kësaj ai i ka sjellë Grekët në tempull dhe e ka ndotur këtë vend të shenjtë” (Veprat e Apostujve 21:28). Por Pali, edhe pse nuk kishte marrë me vete asnjë johebre për ta sjellë në Tempull, e dinte se Perëndia e kishte hapur rrugën, që të gjithë njerëzit t’i afroheshin Atij, nëpërmjet gjakut të Krishtit. Krishti është dera e hapur, për të hyrë në të Shenjtin e të Shenjtëve. “Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet” (Gjoni 10:9). Tani, të gjithë ata që i besojnë Atij, janë të pajtuar automatikisht me Perëndinë dhe nuk kanë pse të kenë frikë se do të vriten apo do të hidhen poshtë prej Tij. “Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit” (Hebrenjve 4:16)… “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë” (Gjoni 6:37).

Është hequr pengesa

Në fakt, e vetmja pengesë, që i ndalon si hebrenjtë, ashtu edhe johebrenjtë prej së hyri në të Shenjtin e të Shenjtëve është mëkati. “Por paudhësitë tuaja kanë shkaktuar një ndarje midis jush dhe Perëndisë tuaj, dhe mëkatet tuaja kanë bërë të fshihet fytyra e tij prej jush, që të mos ju dëgjojë më” (Isaia 59:2). Kjo pengesë e mëkatit u zhduk njëherë e përgjithmonë, me anë të sakrificës së Zotit Jezus Krisht mbi kryq. Në këtë mënyrë, mëkatarët kanë mundësi tani të pendohen përpara Fronit të Mëshirës (Vendit të Pajtuesit). “Dhe Jezusi bërtiti edhe një herë me zë të lartë dhe dha frymë. Dhe ja, veli i tempullit u shqye në dy pjesë, nga maja e deri në fund” (Mateu 27:50-51). Tani “kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (Romakëve 10:13) dhe do të gjejë shfajësim dhe paqe me Perëndinë. “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë” (Romakëve 5:1-2).

Plani

Vetëm Perëndia ishte Ai, që mund ta hapte rrugën, në mënyrë që të gjithë njerëzit, si hebrenjtë, ashtu edhe johebrenjtë, të mund të vinin në praninë e Tij dhe të gjenin shpëtim të përsosur. Njeriu është aq mëkatar dhe Perëndia është aq i shenjtë, saqë të dyja palët nuk mund të takohen dot kurrë me njëri-tjetrin. Perëndia e ka hedhur poshtë gjithmonë çdo plan, që njeriu ka thurur për t’iu afruar Atij, sepse plane të tilla kanë qenë të bazuara tek drejtësia e njeriut dhe jo e Perëndisë. Prandaj edhe Perëndisë iu desh ta vinte në praktikë planin e Vet, që u bë realitet me anë të Birit të Tij. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij” (Gjoni 3:16-17)… “I cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës. Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri, i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar” (1 Timoteut 2:4-6). Nëse Perëndia e ka bërë gati rrugën, në të cilën duhet të ecim, atëherë është marrëzi të mos ecim në të. “Kjo është rruga, ecni në të!” (Isaia 30:21).

Përfundim   

Teksti në hyrje të këtij studimi na e bën shumë të qartë faktin se për njeriun sot nuk ka asnjë pengesë, që ta ndalojë atë prej së ardhurit direkt tek Perëndia për shpëtim. Rruga është e hapur. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Por është dashuria, që tregon vetë njeriu ndaj mëkatit, ajo që e pengon atë prej së marruri në konsideratë rrugën e jetës. Prandaj edhe njeriu vazhdon të qëndrojë i ndotur dhe i paaftë për të ardhur në praninë e Perëndisë. “Aty do të jetë rruga kryesore, një rrugë që do të quhet “rruga e shenjtë”; asnjë i papastër nuk do të kalojë nëpër të; ajo do të jetë vetëm për ata që e ndjekin; edhe mendjeshkurtërit nuk do të mund të humbasin” (Isaia 35:8). Por ata që pendohen dhe e ndjekin Krishtin, udhëhiqen prej Frymës së Shenjtë në rrugën e jetës. Atyre iu është dhënë e drejta e hyrjes për në Mbretërinë e Qiellit.

Mbrapa