E lidhur, e ndryshuar dhe e birësuar

Ndërsa Jezusi po shkonte atje, turma po shtyhej përreth tij. Dhe një grua që kishte një fluks gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh dhe kishte shpenzuar ndër mjekë gjithë pasurinë e saj, pa mundur që të shërohej nga njeri, iu afrua nga pas dhe i preku cepin e rrobës së tij dhe në atë çast iu pre fluksi i gjakut. Dhe Jezusi tha:“Kush më preku? ”. Mbasi të gjithë e mohuan, Pjetri dhe ata që ishin me të, thanë:“Mësues, turmat po shtyhen dhe po të ndeshin dhe ti thua:”Kush më preku?” ”. Por Jezusi tha:“Dikush më preku, sepse e ndjeva që një fuqi doli prej meje ”. Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast. Dhe ai i tha:“Merr zemër, bijë; besimi yt të shëroi; shko në paqe! ‘” (Luka 8:43-48).

Parathënie

Historia e gruas me fluks gjaku na shërben si shembull i llojit të besimit, që Jezusi pret prej secilit prej atyre që e ndjekin. Historia e shërimit të saj nuk përfshihet në Bibël thjesht për të na treguar më shumë rreth jetës së Jezusit, apo për të na shërbyer si material shtesë për shkollën e së dielës në kishë. Përkundrazi, kjo histori na tregon se Perëndia ynë bën akoma mrekulli edhe sot dhe se besimi i vërtetë merr bekimin. Këtu na shfaqet, pra, besimi këmbëngulës i një gruaje të pashpresë dhe plot turp.

E lidhur

Gruaja kishte qenë e sëmurë prej 12 vjetësh. Jo vetëm që kishte vuajtur fizikisht  prej sëmundjes (Mateu 9:20), por i ishte dashur të vuante edhe nga ana emocionale dhe të ruhej prej pjesëtarëve të familjes dhe prej miqve, ngaqë, sipas Ligjit, hemoragjia e saj i bënte të papastër të gjithë ata që e preknin apo që i afroheshin. “Në qoftë se një grua ka një fluks në trupin e saj, dhe ky është një fluks gjaku, papastërtia e saj do të zgjasë shtatë ditë; kushdo që e prek atë do të jetë i papastër deri në mbrëmje” (Levitikut 15:19). Ajo kishte 12 vjet që ishte “e papastër”, e jo vetëm “deri në mbrëmje”! Për këtë arsye, kjo grua ishte hedhur poshtë prej shoqërisë. Përveç kësaj, tani ajo ishte edhe shumë e varfër nga ana financjare, ngaqë i kishte shpenzuar tërë kursimet e veta tek doktorët. Ndoshta kishte bredhur lart e poshtë në të gjithë Izraelin, për të parë nëse dikush do të mund ta ndihmonte, por pa sukses.

Askush nga ata të ashtu-quajturit “mjekë profesionistë” nuk mund ta ndihmonin, por në fakt, ia kishin keqësuar edhe më shumë jetën. “Dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq” (Marku 5:26). Luka, autori i këtij ungjilli, e kuptonte mirë problemin e kësaj gruaje, ngaqë ishte mjek vetë. Ai e dinte se vetëm një mrekulli mund ta shpëtonte atë prej një vdekjeje të tmerrshme. Kjo grua ishte e lidhur prej litarëve të sëmundjes dhe askush nuk kishte ilaç për të. Për më tepër, mendja e saj ishte e lidhur prej litarit të frikës së vdekjes.

E ndryshuar

Një ditë, gruaja dëgjoi se një shërues i famshëm kishte ardhur në qytetin e saj. Nuk kishte para, për ta bindur Atë që të lutej për të. Ishte absolutisht e dëshpëruar, ngaqë tani i duhej ta shkelte madje me qindra herë edhe vetë Ligjin, për t’iu afruar Atij përmes turmës. Po ta kapnin priftërinjtë, sipas Ligjit, ata kishin të drejtë ta vrisnin me gurë. Ç’vendim të madh mori kjo grua atë ditë! Pa dyshim që donte të fliste drejtpërsëdrejti me Jezusin. Donte që Ai thjesht ta prekte, por ajo ishte fizikisht dhe emocjonalisht e dobët për të qëndruar në praninë e Tij. Po i afrohej vdekja, ndaj edhe s’kishte ç’të humbiste më në këtë jetë!

Në gjendjen e saj të mjeruar, gruaja e kuptonte se nuk kishte shpresë tjetër shërimi. Në fakt, ishte aq e dobët, saqë ka mundësi që të ketë ecur këmba-dorës përtokë, për ta prekur cepin e rrobës së Jezusit. Besimin e kishte vërtet të madh! “Kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit, sepse thoshte:“Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem” (Marku 5:27-28). Besimi i saj preku fuqinë e Jezusit dhe Ai e ndjeu atë prekje plot besim. “Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha:“Kush m ‘i preku rrobat?” (Marku 5:30). Një besim i tillë merr bekimin. “Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson” (Marku 9:23).

E birësuar

“Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje” (Marku 5:29). Gruaja mund të ishte larguar nga turma pa bërë zë fare, sidomos tani që e dinte se ishte e çliruar prej litarëve të sëmundjes kronike, por Jezusi kishte tjetër mendim. Ai donte që të gjithë ta dinin sesa shumë besim kishte kjo grua dhe se tani ajo ishte e pastër dhe e lirë për t’u shoqëruar me të gjithë. Ai donte që ajo t’iu tregonte të tjerëve se ishte shëruar. “Atëherë gruaja, duke parë se nuk mbeti e padiktuar, erdhi, duke u dridhur e tëra, dhe i ra ndër këmbë dhe i deklaroi në prani të gjithë popullit, përse e kishte prekur dhe si ishte shëruar në çast… Atëhere gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç ‘i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën” (Luka 8:47, Marku 5:33).

Atë ditë, kjo grua nuk mori thjesht vetëm shërim. Erdhi si një “grua”, por u largua si një “bijë” e Perëndisë! “Por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12). E shohim, pra, se besimi e pruri atë tek Jezusi, e pastroi prej “sëmundjes” (Marku 5:34), e bëri fëmijë të Perëndisë dhe i pruri paqe në shpirt. Jezusi e birësoi këtë grua, për shkak të besimit të saj.

Përfundim

Ja pra, një grua e lidhur prej sëmundjes dhe prej frikës së vdekjes. Askush nuk mund ta ndihmonte – askush, përveç Jezusit! Ai ia ndryshoi situatën, sapo ajo i vari shpresat menjëherë vetëm tek Ai. Shumë njerëz e prekën Jezusin atë ditë, por kjo grua e preku Atë me dorën e besimit. Ata që ndryshohen prej Zotit, bëhen bij të Tij. Kështu na ndodhi edhe neve, në momentin kur erdhëm tek Ai me besim. Ai na çliroi prej mëkatit dhe vdekjes dhe na bëri të Tijët. “Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim:“Aba, o Atë!” (Romakëve 8:15). 

Mbrapa