Elohim

“Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne” (Zanafilla 1:26).

Parathënie

Emri i parë, që përdoret në hyrje të Biblës për Perëndinë, është ‘Elohim’. Ky emër gjendet i përdorur edhe mbi 2500 herë të tjera në Bibël. Emri i dikujt na tregon se kush është ai njeri. Vazhdimisht, qeveria dhe media na thonë se duhet të tregohemi të kujdesshëm, që të mos na e fallsifikojnë të tjerët emrin. E dimë, pra, se emrat kanë rëndësi të madhe. Perëndia ka shumë emra dhe tituj, por emri i Tij i parë, Elohim, na tregon qartë se kush është Ai në të vërtetë.

Në numrin shumës

Shumica e njerëzve kujtojnë se doktrina e Trinitetit është një zbulim, që Perëndia na e ka shfaqur vetëm në Dhiatën e Re. Kulti i unitarianëve, p.sh. thotë se Dhiata e Vjetër nuk bën fjalë kurrë për Trinitetin. Por e kanë gabim. Ata, që e hedhin poshtë të vërtetën e Biblës, zakonisht nxitohen dhe e hedhin poshtë edhe egzistencën e Trinitetit.

Emri ‘Elohim’ ose ‘Perëndia’, siç na shfaqet edhe në vargun e mësipërm, është në numrin shumës (shiko foljen “ta bëjmë”, që na jep të kuptojmë idenë e Trintetit). Njeriu u krijua sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. “Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën” (Zanafilla 1:27). Kështu, pra, përemrat “sonë” dhe “ne” tek Zanafilla 1:26 i referohen vetëm Perëndisë e jo ndonjë qënieje tjetër të krijuar. Kjo gjithashtu na tregon se Perëndia egziston në më shumë sesa një person, ose siç e thotë edhe më mirë nga ana biblike deklarata e besimit: “Ne besojmë se ka vetëm një Perëndi, i Cili egziston përjetësisht në tre Persona: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë”. Ka nga ata, që thonë se Ligji i Përtërirë 6:4 bie në kundërshtim me këtë doktrinë. “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm”. Por të tillë njerëz nuk arrijnë ta kuptojnë dot se fjala “një” është në numrin shumës në gjuhën hebraishte, gjë që na sugjeron unitet. Jemi të besimit se besimtarët, që jetuan si gjatë kohës së Dhiatës së Vjetër, ashtu edhe asaj së Resë, e kuptonin mirë numrin shumës të Perëndisë. “Pastaj dëgjova zërin e Zotit që thoshte: “Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?” (Isaia 6:8).

Doktrina e Trinitetit mund të na duket e vështirë për t’u kuptuar dhe për t’u shpjeguar, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk është e vërtetë. Ngaqë jemi krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, nuk duhet të habitemi që secili prej nesh është gjithashtu në numrin shumës: “Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Thesalonikasve 5:23). Fjala “Hyjnia” tek Romakëve 1:20 dhe Kolosianëve 2:9, si edhe shprehja “natyra e perëndishme” tek Veprat e Apostujve 17:29 janë fjalë biblike, që përdoren në vend të fjalës “Trinitet”. 

I fuqishëm

Pjesa “El” e emrit “Elohim” na thekson faktin se Perëndia është i Gjithëfuqishëm. Ai na shfaqet tek Zanafilla si Krijuesi i gjithçkaje. “Në fillim Perëndia [Elohim] krijoi qiejt dhe tokën… Këto janë origjina e qiellit dhe e tokës kur u krijuan, ditën që Zoti Perëndi [Elohim] krijoi tokën dhe qiellin” (Zanafilla 1:1, 2:4). Ky emër i Perëndisë përdoret edhe 35 herë të tjera, përpara vargut të mësipërm. Prandaj, pra, Ai është mbi të gjithë. “Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme. Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë. Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan” (Psalmi 148:3-5).

Prandaj edhe, nëse e kuptojmë ashtu siç duhet Biblën, atëherë urdhërimi i parë duhet zbatuar në mënyrë absolute. “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3). Gjithçka (duke përfshirë këtu njeriun dhe engjëjt), është më e ulët sesa Krijuesi. Ata, që merren me idhujtari të formave nga më të ndryshmet, nuk kanë njohuri fare se kush është Perëndia. Sa herë që emri “Elohim” na shfaqet në Bibël, ai na vë në dukje madhështinë e Perëndisë, fuqinë e Tij krijuese dhe karakteristikat e Tij, që kanë lidhje me drejtësinë dhe autoritetin.

Personal

E shohim se Perëndia është një Perëndi, që merret drejtpërsëdrejti me krijesat e Tij. Vetë fakti që njerëzimi është krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij, është provë e kësaj marrëdhënieje personale. Ka nga ata, që besojnë se Perëndia vërtet e krijoi universin, por kurrë nuk ndërhyri në punët njerëzore. Bibla na vërteton se ky mendim është i gabuar, sepse tek Zanafilla 3:8 lexojmë se Elohim eci dhe bisedoi së bashku me Adamin në Kopshtin e Edenit.

Emri “Elohim” ka lidhje me idenë e besëlidhjes: “Por kjo është besëlidhja që do të vendos me shtëpinë e Izraelit mbas atyre ditëve,” thotë Zoti: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im” (Jeremia 31:33). Perëndia, pra, lidh një marrëveshje me ata, që i besojnë Atij dhe që e ndjekin. Ç’është më e mrekullueshme është fakti se Ai i siguron të gjitha gjërat e nevojshme për themelimin e një besëlidhjeje të tillë. Ajo që Ai  kërkon prej nesh është thjesht besim dhe bindje. Që nga vargu i parë i Biblës, na thuhet se Perëndia kërkon që të ketë një marrëdhënie personale me ne. Kjo do të thotë se Ai është shumë i përfshirë në jetën tonë. Është Perëndia Ai, që na drejton, na udhëheq dhe na bekon.

Nuk jemi aksidente të evolucionit, por jemi “krijuar në mënyrë të mrekulluar” (Psalmi 139:14). Zanafilla 1:29 na mëson se Perëndia është vërtet i interesuar në jetën tonë. “Dhe Perëndia [Elohim] tha: “Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë…” E pse duhet të habitemi, pra, që Satanai donte ta shkatërronte një marrëdhënie të tillë mes Perëndisë dhe njeriut?                      

Përfundim   

Emri “Elohim” flet rreth Perëndisë së Gjithëfuqishëm, Krijuesit dhe Lidhësit të Besëlidhjes. Vetëm nëpërmjet Zotit Jezus Krisht mund të përjetojmë dhe të shijojmë një marrëdhënie personale me Perëndinë e Gjithëfuqishëm. Ky fakt e vë Krishtërimin Biblik mbi të gjitha fetë dhe besimet e tjera fetare, sepse i drejtojmë njerëzit tek Perëndia i Vërtetë. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Jemi krijesat e Tij dhe Ai nuk na ka lënë pa praninë e Tij (Frymën e Shenjtë), por vazhdon të veprojë në ne dhe me ne. “Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira” (Efesianëve 2:10).

Mbrapa

Advertisements