Ëndrra të mëdha

Unë thashë në zemrën time:”Eja tani, dua të të vë në provë me gëzimin, dhe ti do të gëzosh ëndjen”. Por ja, edhe kjo është kotësi. Për të qeshurit kam thënë:”Éshtë një marrëzi, dhe për gëzimin:” Kujt i shërben? “. Kërkova në zemrën time si ta kënaq trupin tim me verë, duke e nxitur njëkohësisht zemrën time drejt diturisë dhe t ‘i qepet marrëzisë, deri sa të shoh cila është e mira që bijtë e njerëzve do të duhej të bënin nën qiell tërë ditët e jetës së tyre. Kështu kreva punime të mëdha për vete; ndërtova shtëpi, mbolla vreshta, bëra kopshte dhe parqe, duke mbjellë drurë frutorë të çdo lloji; ndërtova pellgje për ujin me të cilat të mund të vadis pyllin që të rriten drurët. Bleva shërbëtorë dhe shërbëtore dhe u bëra me shërbëtorë që lindën në shtëpi; pata pasuri të mëdha në kope me bagëti të trashë dhe të imët më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem. Grumbullova për vete edhe argjend, ar dhe pasuritë e mbretërve dhe të krahinave; gjeta këngëtarë dhe këngëtare, kënaqësitë e bijve të njerëzve, dhe vegla muzikore të çdo lloji. Kështu u bëra i madh dhe u begatova më tepër se ata që kishin qenë para meje në Jeruzalem; edhe dituria më mbeti mua. Tërë ato që sytë e mi dëshironin, nuk ua mohova atyre; nuk i refuzova zemrës sime asnjë qejf, sepse zemra ime kënaqej me çdo punë timen; dhe ky ka qenë shpërblimi për çdo punë të bërë nga unë. Pastaj u ktheva të shikoj tërë veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin tim për t’ i kryer; dhe ja, të gjitha ishin kotësi dhe një kërkim për të kapur erën; nuk kishte asnjë përfitim nën diell.” (Predikuesit 2:1-11).

Parathënie

Bibla na ofron disa parime të rëndësishme, kur vjen puna për t’i vënë ëndrrat, planet dhe shpresat tona në vendin e duhur. Nganjëherë, e ngremë veten lart, duke kujtuar se jemi shumë të aftë, prandaj edhe nuk është keq të zbresim pak poshtë, kur jemi ngritur shumë lart! Perëndia e ka një plan dhe një qëllim për jetën tonë. Duhet të lutemi që Ai të na e tregojë hapur vullnetin e Tij, që ta vëmë atë në praktikë. Plani i Zotit bëhet gjithmonë realitet në kohën e Tij dhe sipas fuqisë së Tij.

Ëndrrat kthehen në ankthe

Nga teksti i mësipërm, vëmë re sesi Salomoni përjetoi kënaqësitë dhe argëtimet e ndryshme të kësaj bote, me qëllim që të gjente lumturinë. Por, sapo i largoi sytë prej Zotit, as paraja, as prona nuk ia mbushi zbrazësirën e shpirtit. Kishte ëndrra të mëdha, për t’u bërë i famshëm, por jo sipas vullnetit të Perëndisë. Shumë shpejt këto ëndrra iu kthyen në ankthe. Salomoni zgjodhi rrugën e gabuar, ngaqë ëndrrat i kishte të gabuara. A nuk veprojnë edhe sot kështu shumica e njerëzve? “Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes” (Fjalët e Urta 14:12, 16:25). Bibla na rradhit shumë njerëz, ëndrrat dhe dëshirat e të cilëve i çuan ata drejt hidhërimit dhe shkatërrimit, si p.sh. Kaini, Mbreti Saul, Absalomi dhe Juda. Edhe ëndrrat tona kanë për t’u kthyer në ankthe, po qe se ne refuzojmë që të jetojmë sipas vullnetit të Perëndisë. “Dhe ti kërkon gjëra të mëdha për vete? Mos i kërko sepse, ja, unë do të sjell fatkeqësi mbi çdo mish “thotë Zoti,” por ty do të të jap jetën tënde si pre në tërë vendet ku do të shkosh” (Jeremia 45:5).

Ëndrrat e mira

Nuk është gabim të kesh ëndrra të mëdha. Ndoshta jemi fajtorë që e kemi nënvlerësuar atë që Perëndia është në gjendje të bëjë për ne, ose që i kemi vënë Atij kufij për të vepruar në mënyrë të mahnitshme. “Është me të vërtetë dora ime tepër e shkurtër për të shpëtuar apo nuk paskam forcën për të çliruar?” (Isaia 50:2). E megjithatë, duhet të jemi realistë dhe t’i lutemi Zotit që të na tregojë vullnetin e Tij për gjithçka. Jabetsi ishte një njeri, që veproi pikërisht kështu, sepse i kërkoi gjëra të mëdha Perëndisë dhe, ngaqë pati besim tek Zoti, mori prej Tij atë që dëshironte. “Jabetsi kërkoi ndihmën e Perëndisë të Izraelit, duke thënë:”Oh, sikur të më bekoje dhe zgjeroje kufijtë e mi, dhe dora jote të ishte me mua dhe të më ruante nga e keqja që të mos vuaj!”. Dhe Perëndia i dha atë që kishte kërkuar” (1 Kronikasve 4:10). Ata që dëshirojnë vullnetin e Perëndisë në jetën e tyre, nuk imagjinojnë më shumë sesa besimi që kanë. Për vite me rradhë, kemi dëgjuar apo kemi parë të krishterë të ndryshëm, që janë mburrur sesa të famshëm janë, apo sesi janë në gjendje ta shkatërrojnë mbretërinë e Satanait me forcat e tyre. Pali na flet rreth një besimi të tillë jobiblik tek Romakëve 12:3, “Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit”.

Mund të kemi fuqinë njerëzore, apo talentin për të bërë diçka të madhe, por kjo nuk do të thotë se duhet ta bëjmë një veprim të tillë. P.sh. mund të ëndërrojmë që të bëhemi miljonerë. Dhe ndoshta, ëndrra mund të na bëhet realitet, por sa na kushtoi ajo ëndërr? “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” (Mateu 16:26). Edhe Davidi kishte si ëndërr që t’i ndërtonte Zotit një tempull të mahnitshëm – diçka kjo shumë e pranueshme dhe e nderuar nga të gjithë. Por fatmirësisht, ai ia vuri veshin asaj që i tha Zoti lidhur me këtë çështje (shiko 1 Kronikasve 22:5-10). Ajo që na duket mirë neve, mund të mos i duket mirë Perëndisë. “Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët” (Fjalët e Urta 16:2).

Ëndërrimi me durim

Edhe kur ëndrrat dhe dëshirat tona janë plotësisht në përputhje me vullnetin e Perëndisë, edhe atëherë duhet të jemi të duruar. Nganjëherë besimtarët nxitohen për të bërë punën e Zotit, pa pritur për udhëheqjen e Frymës së Shenjtë. Qëllimet e Zotit gjithmonë dalin për mbarë sipas planeve të Tij të caktuara. Nxitimi nga ana jonë tregon se duam të dukemi se jemi shërbëtorë të mirë. “Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t ‘ju lartësojë ne kohën e duhur” (1 Pjetrit 5:6). Ja, Moisiu, p.sh. kur Zoti e thirri në fillim, ai kujtoi se mund ta çlironte Izraelin me forcat e veta prej tutelës egjiptiane, ndaj edhe vrau një egjiptas. Ëndrra iu kthye në ankth dhe u detyrua që të largohej për 40 vite me rradhë (Veprat e Apostujve 7:23-36). Sa të vërteta janë fjalët e Salomonit tek Fjalët e Urta 19:2! “Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë”. Duhet ta presim me durim vajosjen dhe drejtimin e Frymës së Shenjtë, edhe kur e dimë se Perëndia na ka treguar se ç’duhet të bëjmë për Të. “Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë” (Psalmi 37:7).

Përfundim       

Nuk është gabim të kesh ëndrra të mëdha, përsa kohë që i lutesh Zotit që të të tregojë vullnetin e Tij për gjithçka. Le të kemi ëndrra të mëdha, edhe për gjërat më të vogla. Le të mos e përçmojmë “ditën e gjërave të vogla” (Zakaria 4:10). Nëse ëndrrat tona nuk janë në përputhje me vullnetin e Zotit, atëherë Ai ka për të na sfiduar. Le të ëndërrojmë, pra, por le ta lejojmë gjithashtu Perëndinë që të na mësojë rrugën. “Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij” (Fjalët e Urta 16:9).

Mbrapa