Falenderoni

“Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju” (1 Thesalonikasve 5:18).

Parathënie

A duhet ta falenderojmë Perëndinë për çdo lloj gjëje, të mirë a të keqe? A duhet ta falenderojmë Atë, kur na vdes një i afërm nga një sëmundje e pashërueshme? Mund të mos falenderojmë për gjithçka, por duhet të falenderojmë në gjithçka, d.m.th. në çdo lloj situate, që të ndodhemi. Pali na e bën të qartë se është vullneti i Perëndisë që besimtarët të falenderojnë.

Falenderimi është karakteristikë e një besimtari të vërtetë

Edhe pse nuk jemi të detyruar, që të kemi falenderim në zemër për gjërat e tmerrshme që ndodhin në jetë, prapëseprapë, mund ta falenderojmë Perëndinë për bekimet dhe mrekullitë e shumta, që Ai na sjell: “Duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht” (Efesianëve 5:20). Nuk duhet ta supozojmë se Perëndia jep falenderime për të gjitha të ligat që ndodhin në tokë, prandaj edhe Ai nuk pret nga ne, që ta falenderojmë Atë për to.

Duhet t’i kujtojmë vazhdimisht të gjitha të mirat, që Zoti ka bërë për ne, e të mos e kemi mendjen gjithmonë tek fatkeqësitë dhe vuajtjet: “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri; ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja” (Psalmi 103:1-5).

Ata që pushojnë së falenderuari dhe lavdëruari Perëndinë, fillojnë shumë shpejt të bëjnë një jetë rebele dhe mëkatare: “Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua” (Romakëve 1:21)… “Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë, të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu” (2 Timoteut 3:1-5).

Ata që falenderojnë, shfaqin karakterin e Krishtit

Zoti Jezus Krisht e dinte mirë se ç’do t’i ndodhte në kryq, por, prapëseprapë, zemra e Tij, gjatë gjithë kohës, ishte e mbushur me falenderim: “Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori bukë, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Merrni, hani; ky është trupi im”. Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj” (Marku 14:22-23). Kjo ishte më shumë sesa thjesht një shprehje falenderimi ndaj Perëndisë, më shumë sesa një lutje para buke. Tërë jeta e Tij ishte një jetë e mbushur me falenderime: “Unë të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i dheut” (Mateu 11:25)… “O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar” (Gjoni 11:41)… “Duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë” (Hebrenjve 12:2).

Është vullneti i Perëndisë, që të falenderojmë

Lutja dhe falenderimi janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim” (Filipianëve 4:6). Prandaj, pra, ai që i lutet Perëndisë, duhet të kthehet prapë tek Ai, për ta falenderuar. Ky vullnet i Perëndisë ka të bëjë me çdo aspekt të jetës sonë: “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij” (Kolosianëve 3:17). A nuk duhet ta falenderojmë Atë për shpëtimin, që na e bleu me gjakun e Krishtit? “Me anë të tij, pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij” (Hebrenjve 13:15).

Përfundim                      

Cilët njerëz po inkurajonte Pali, duke iu thënë atyre që të falenderonin? Besimtarët thesalonikas, disa prej të cilëve po persekutoheshin dita-ditës, kurse disa të tjerë ishin gati për të hequr dorë prej besimit në Krishtin. Po përndiqeshin prej autoriteteve romake, prej paganëve dhe prej drejtuesve fetarë. Por Pali nguli këmbë, duke iu thënë se duhej ta falenderonin Perëndinë. Nëse jemi fëmijët e Perëndisë, atëherë nuk ka asgjë, për të cilën nuk arrijmë ta falenderojmë dot Atin tonë: “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28). Kur e falenderojmë Perëndinë, i tregojmë Atij se kemi besim në Të, e sidomos atëherë, kur na duket sikur punët nuk po na shkojnë ashtu siç i dëshirojmë: “Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër” (Psalmi 23:4).

Mbrapa

Advertisements