Familja e Davidit

“Lufta midis shtëpisë së Saulit dhe shtëpisë së Davidit qe e gjatë. Davidi bëhej gjithnjë më i fortë, ndërsa shtëpia e Saulit dobësohej gjithnjë e më shumë. Në Hebron Davidit i lindën disa djem. I parëlinduri i tij qe Amnoni, që ia lindi Jezreelitja Ahinoam; i dyti qe Kileabi, ia lindi Karmelitja Abigail, dikur bashkëshorte e Nabalit; i treti qe Absalomi, bir i Maakahut, e bija e Talmait, mbret i Geshurit; i katërti qe Adonijahu, bir i Hagithit; i pesti qe Shefatiahu, bir i Abitalit, dhe i gjashti qe Ithreami, bir i Eglahit, bashkëshorte e Davidit. Këta fëmijë i lindën Davidit në Hebron.” (2 Samuelit 3:1-5).

Parathënie   

Vargu i parë i këtij kapitulli na tregon se së shpejti mbretërimi i Davidit mbi Izraelin do të bëhej realitet. Por ky mbretërim nuk do të arrihej pa luftra e pa probleme, madje do të bëhej edhe luftë civile mes të dyja kampeve. Por, në të gjitha këto ngjarje, ishte dora e Perëndisë ajo, që po e udhëhiqte Davidin drejt fronit mbretëror.

Lufta

Kishin kaluar shtatë vjet, që prej ditës kur Ish-Boshethi kishte filluar të sundonte në Izrael. Këto kishin qenë shtatë vjet lufte, për shkak sidomos të arrogancës së Abnerit, i cili bëri të pamundurën për ta penguar Davidin që të bëhej mbret. Abneri e kishte bërë Ish-Boshethin mbret të Izraelit, por, në fakt, ai e kishte vetë në dorë fuqinë e fronit mbretëror (1 Samuelit 2:8-10). Ishte Abneri ai, që u bë shkak i fillimit të luftës civile mes Judës dhe Izraelit, një luftë kjo që filloi thjesht si lojë mes të dyja kampeve, por që rezultoi në vdekjen e 24 djemve të rinj (2 Samuelit 2:11-16). Abneri vrau njërin nga djemtë e Joabit, Asahelin (2 Samuelit 2:17-23) dhe kërkoi armëpushim vetëm atëherë, kur Joabi, nipi i Davidit, ishte gati për ta mundur. Por 379 burra humbën jetën atë ditë (2 Samuelit 2:24-32).

Pavarësisht nga fakti se lufta vazhdoi për një kohë të gjatë, regjimi i vjetër gradualisht filloi të dobësohej, kurse Davidi po forcohej në mbarë vendin. Njerëzit po e kuptonin se ai ishte mbreti i zgjedhur nga Perëndia, për të mbretëruar në një Izrael të bashkuar. Davidi po forcohej gjithnjë e më shumë, pavarësisht nga humbjet e shumta që po përjetonte. “Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses” (Isaia 54:17). Forca ushtarake e Abnerit ishte më superiore se ajo e Davidit, e megjithatë, ai nuk arriti dot ta mundte mbretin e ardhshëm.

Bashkëshortet

Davidi tani kishte edhe një familje, që po rritej nga ditë në ditë. Në tekstin e këtij studimi, vëmë re se ai kishte gjashtë gra. E dimë se ishte martuar më parë gjithashtu edhe me Mikalin, të bijën e Saulit, d.m.th. ai tani kishte shtatë gra. Por poligamia e Davidit do t’i bëhej atij mallkim e jo bekim për gjithë jetën. Gjashtë gratë e tij ishin Ahinoami, Abigaili, Maakahu, Hagithi, Abitali dhe Eglahi. Disa prej këtyre martesave mund të ishin bërë për arsye politike, për t’i dhënë mundësi Davidit të lidhte aleanca të forta me udhëheqësit e kombeve të tjera, p.sh. Maakahu ishte e bija e mbretit sirian të Geshurit. Davidi, pra, “synonte ta forconte veten kundër ushtrisë së Ish-Boshethit, me ndihmën e një miku e një aleati të fuqishëm nga veriu” (nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun). Ka mundësi që Eglahi të jetë një emër tjetër i përdorur për Mikalin, ngaqë, në tekstin e mësipërm, prej të gjitha grave të tjera, vetëm ajo (Eglahi) quhet me emrin ‘bashkëshortja e Davidit’. Secila prej këtyre grave lindi një trashëgimtar të mundshëm për vazhdimësinë e mbretërisë së Davidit. Kështu, pra, e shohim përsëri se si Davidi nuk po ia vinte veshin siç duhej Perëndisë.

Edhe pse Davidi po ecte përsëri me Zotin, ai kishte një mëkat nga brenda, që e joshte vazhdimisht e që po ia njolloste jetën. Davidi e dinte mirë se poligamia ishte mëkat. Për më tepër, edhe priftërinjtë duhet ta dinin këtë fakt. Por Davidi po synonte ta ngrinte mbretërinë e tij me forcat e veta. “Nuk duhet të ketë një numër të madh grash, me qëllim që zemra e tij të mos shthuret” (Ligji i Përtërirë 17:17). Çarls Çapmani shkruan se poligamia ishte “një gjë e zakonshme në Lindjen e Mesme të asaj kohe” dhe të pasurit e shumë grave “ia shtonte bukurinë dhe madhështinë” një mbreti. Por Perëndia nuk e kishte urdhëruar kurrë një gjë të tillë. E shohim, pra, se Davidi po jetonte sipas zakoneve dhe traditave të kohës e nuk po i përkushtohej plotësisht Zotit. Të ashtu-quajturat ‘virtyte’ të brezit të sotshëm nuk duhet të bëhen kurrë fener, për t’iu ndriçuar rrugën të drejtëve e për t’iu thënë atyre se si të jetojnë. Opinioni publik dhe moda janë pothuajse gjithmonë gabim, sepse ndryshojnë vazhdimisht. Por Perëndia dhe fjala e Tij nuk ndryshojnë kurrë, për t’iu përshtatur kohës, apo zakoneve e traditave. “Pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17)… “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj” (Malakia 3:6).

Bijtë

Na përmenden gjithashtu edhe gjashtë bijtë e Davidit, që u lindën në Hebron. Këta ishin: Amnoni, Kileabi (i quajtur gjithashtu edhe Daniel tek 1 Kronikasve 3:1), Absalomi, Adonijahu, Shefatiahu dhe Ithreami.

Amnoni më vonë përdhunoi të motrën, Tamarën (2 Samuelit 13) dhe, si pasojë, u vra prej Absalomit. Absalomi, nga ana tjetër, konsiderohej si i pashëm, por zemrën e kishte të ligë, ngaqë u përpoq për ta rrëzuar Davidin, atin e tij, nga froni (2 Samuelit 15). Edhe Adonijahu u mundua gjithashtu për t’u bërë vetë mbret, ndërkohë që Davidi lëngonte në shtratin e vdekjes (1 Mbretërve 1). Nuk na thuhet gjë më tepër për tre vëllezërit e tjerë, prandaj edhe kjo heshtje na sugjeron se ata mund të mos kenë qenë aq të këqinj, sa tre të parët.

Përfundim   

Davidi, nga dëshira e tij për të patur shumë gra, i shkaktoi më shumë probleme sesa bekime vetes. Martesat e tij ishin të gabuara; aftësitë e tij si prind pothuajse nuk egzistonin fare. Për më tepër, ky mëkat i poligamisë iu bë pengesë mbretërisë së tij. “Ja, bijtë janë një trashëgimi që vjen nga Zoti; fryti i barkut është një shpërblim. Si shigjeta në duart e një trimi, kështu janë bijtë e rinisë. Lum ai njeri që ka kukurën e tij plot! Ata nuk do të ngatërrohen kur të diskutojnë me armiqtë e tyre te porta” (Psalmi 127:3-5). E shohim, pra, se ku e pati gabimin Davidi – nga ana familjare, ai nuk u bë shembull i mirë për pasardhësit e vet.

Mbrapa

Advertisements