Fitoret e Davidit

“Pas këtyre gjërave, Davidi i mundi Filistejtë, i poshtëroi dhe u hoqi nga dora qytetin e tyre më të rëndësishëm. Mundi edhe Moabitët dhe i mati me litar, mbasi i shtriu për tokë. Me dy litarë mati ata që duhet të vriteshin dhe me një litar të plotë ata që do të mbeteshin të gjallë. Kështu Moabitët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit. Davidi mundi edhe Hadadezerin, birin e Rehobit, mbret të Tsobahut, ndërsa ai shkonte të rivendoste sundimin e tij gjatë lumit Eufrat. Davidi i mori njëmijë e gjashtëqind kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Ai u preu gjithashtu leqet e këmbëve tërë kuajve, por la mjaft prej tyre për njëqind qerre. Kur Sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadadezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë prej tyre. Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut dhe Sirët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit; Zoti e mbronte Davidin kudo që shkonte. Davidi mori monedhat prej ari që shërbëtorët e Hadadezerit kishin me vete dhe i çoi në Jeruzalem. Mbreti David mori edhe një sai të madhe bronzi në Betah dhe në Berothai, qytete të Hadedezerit. Kur Toi, mbret i Hamathit, mësoi që Davidi kishte mundur tërë ushtrinë e Hadedezerit, i dërgoi mbretit David të birin Joram, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse i kishte bërë luftë Hadedezerit dhe e kishte mundur. Në fakt Hadedezeri ishte gjithnjë në luftë me Toin; Jorami kishte me vete enë argjendi, ari dhe bronzi. Mbreti David ia shenjtëroi edhe këto Zotit, ashtu siç i kishte shenjtëruar atij argjendin dhe arin që vinte nga kombet që kishte nënshtruar: nga Sirët, nga Moabitët, nga Amonitët, nga Filistejtë nga Amalekitët dhe nga plaçka e Hadedezerit, birit të Rehobit, mbret i Tsobahut. Davidi i bëri emër vetes kur u kthye, mbasi kishte mundur tetëmbëdhjetë mijë Sirë në luginën e Kripës. Vendosi garnizone edhe në Idumea; kështu tërë Idumea dhe tërë Edomitët u bënë nënshtetas të Davidit; dhe Zoti e mbronte Davidin kudo që shkonte. Kështu Davidi mbretëroi mbi tërë Izraelin, duke dhënë vendime dhe duke administruar drejtësinë tërë popullit të tij. Joabi, bir i Tserujahut, ishte komandant i ushtrisë; Jozafat, bir i Ahiludit, ishte arkivist; Tsadoku, bir i Ahitubit, dhe Ahimeleku, bir i Abietharit, ishin priftërinj; Serajahu ushtronte funksionin e sekretarit; Benajahu, bir i Jehojadit, ishte kreu i Kerethejve dhe i Pelethejve, dhe bijtë e Davidit ishin ministra.” (2 Samuelit 8:1-18).

Parathënie

Ky kapitull i rradhon një nga një disa prej fitoreve, që korri Davidi kundër kombeve armike, që e rrethonin Izraelin në atë kohë. Nëpërmjet këtyre fushatave ushtarake, Davidi ishte në gjendje t’i zgjeronte edhe më shumë kufijtë e Izraelit, gati duke përmbushur kështu premtimin, që i bëri Perëndia Abrahamit. “Unë u jap pasardhësve të tu këtë vend, nga përroi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin e Eufratit: Kenejtë, Kenizejtë, Kadmonejtë, Hitejtë, Perezejtë, Refejtë, Amorejtë, Kanaanejtë, Girgazejtë dhe Jebuzejtë” (Zanafilla 15:18-21).

Kombet

Po t’i hedhim një sy hartës së asaj kohe, do të vëmë re se Izraeli ishte komplet i rrethuar prej kombeve armike. Të paktën gjashtë prej këtyre kombeve konsideroheshin të fuqishëm dhe të aftë për ta mundur Izraelin e vogël. Këto kombe ishin: Filistenjtë, Moabitët, Tsobahu, Siria, Hamathi dhe Edomi. Por, siç do ta shohim, Perëndia ishte me Davidin dhe i dha atij fitore kundra armiqve.

Filistenjtë përmenden të parët, ndoshta ngaqë ata kishin qenë armiq të Izraelit prej shumë vjetësh. Davidi sulmoi Methegamahun, qytetin e tyre më të rëndësishëm, i cili, sipas 1 Kronikasve 18:1, njihet gjithashtu edhe me emrin Gath. Marrja, pra, nën zotërim nga ana e Davidit e kryeqytetit, çoi në dorëzimin pa kushte të qyteteve të tjera të filistenjve.

E dimë se stërgjyshja e Davidit, Ruthi, erdhi nga vendi i Moabit,  një vend që s’kishte qenë gjithmonë armik i Izraelit. Por, kësaj rradhe, Davidi e pa se Moabi mund t’i paraqiste probleme Izraelit, ndaj edhe e mobilizoi ushtrinë e tij kundra këtij kombi. Davidi e ndau Moabin në tre zona. I vrau banorët e dy prej këtyre zonave, kurse ata të zonës së tretë i bëri shërbëtorët e tij. Ky lloj veprimi mund të na duket i tmerrshëm, por në fakt, nëpërmjet këtij veprimi u përmbush pjesërisht profecia e Baalamit, e thënë atëherë kur Moabitët donin që Baalami ta mallkonte Izraelin: “E shoh, por jo tani; e sodis, por jo afër: një yll do të dalë nga Jakobi dhe një skeptër do të ngrihet nga Izraeli, i cili do ta shtypë Moabin fund e krye” (Numrave 24:17).

Davidi e mundi Tsobahun, por e pa se Siria po përpiqej t’i vinte Tsobahut në ndihmë. Më vonë, Siria i erdhi në ndihmë edhe Edomit, por Davidi e mundi edhe këtë komb. Siria ndërhyri aty ku s’duhej dhe vuajti si pasojë prej gabimeve të saj. Mbreti i Hamathit, me mendjemprehtësi të madhe, e pa se Davidi do ta sulmonte nga çasti në çast, ndaj edhe bëri paqe me të, duke i dërguar atij dhurata, të cilat iu dedikuan Zotit, për t’u përdorur në ndërtimin e tempullit të ardhshëm.

Edomitët ishin pasardhës të Esaut, por, edhe pse ishin pjesëtarë të familjes së Izraelit, ata e kishin kërcënuar vazhdimisht Izraelin, që nga fillimi. Edomi u mund, si pasojë e kurajos së treguar prej Abishait: “Përveç kësaj Abishai, bir i Tserujahut, mundi tetëmbëdhjetë mijë Edomitë në luginën e Kripës. Vendosi garnizone edhe në Idumea dhe tërë Edomitët u bënë nënshtetas të Davidit; dhe Zoti e përkrahte Davidin kudo që shkonte” (1 Kronikasve 18:12-13).

Administrata

Në vargjet e fundit të këtij kapitulli, e shohim se, edhe pse Davidi u bë i famshëm për shkak të fitoreve të korrura, ai nuk e mori për vete plaçkën e luftës, por e pruri atë në Izrael. Për më tepër, edhe pse ai u ruajt dhe u mbrojt prej Perëndisë, nuk u bë mendjemadh dhe nuk i hyri vetja në qejf. Përkundrazi, ai vazhdoi të sundonte me drejtësi dhe mençuri. Nuk u bë diktator, por i trajtoi të gjithë njëlloj. Dhuratat e shumta që i dhanë, as nuk ia rritën mendjen, as nuk ia korruptuan gjykimin, d.m.th. ai nuk pranoi të merrte rryshfete.

E shohim gjithashtu se Davidi e organizoi Izraelin si nga ana shpirtërore, ashtu edhe nga ajo politike. Caktoi në poste të rëndësishme njerëz të besueshëm, me qëllim që ta qeverisnin vendin. Dy burra për secilën prej tre sferave të qeverisjes së mbretërisë, d.m.th. për fushën ushtarake, fetare dhe atë civile. Davidi iu dha gjithashtu edhe bijve të tij poste kryesore në qeveri, por, siç e shohim edhe tek 1 Kronikasve 18:17, ata ishin thjesht në shërbim të mbretit: “Bijtë e Davidit ishin të parët në krah të mbretit”. Davidi i zgjuar e pa se bijtë e mbretit duhej t’i shërbenin popullit, e jo ta bënin popullin shërbëtor të vetes. Prandaj edhe iu dha atyre përgjegjësi të ndryshme, duke i bërë ata në fakt shërbëtorë, e jo zotër. Bibla na tregon se shumica e bijve të Davidit nuk arritën ta përdornin dot autoritetin dhe fuqinë e tyre, ashtu siç duhej, një fakt ky, që do t’i shkaktonte shumë dhimbje Davidit në të ardhmen. Ndoshta prandaj edhe Davidi i mbajti ata që në fillim nën kontrollin e vet. Askush, pra, nuk mund ta akuzonte dot Davidin për nepotizëm, d.m.th. se po tregonte favorizim ndaj pjesëtarëve të familjes së tij.  

Përfundim   

Kapitulli fillon, duke na përmendur beteja të ndryshme të përgjakshme, por përfundon, duke na shfaqur një komb në paqe e siguri. Edhe pse mund të ketë nga ata, që nuk janë dakort me vrasjen e armiqve të Izraelit, ne si besimtarë, duhet t’i marrim parasysh të gjitha faktet. Davidi e dinte mirë se armiqtë duheshin vrarë, në mënyrë që Izraeli të jetonte. Këto kombe e kishin kërcënuar vazhdimisht Izraelin dhe, siç e pamë, ishin gati të lidhnin marrëveshje me njëri-tjetrin kundra Izraelit. Një fakt tjetër gjithashtu, që nuk mund të hidhet poshtë, është edhe kërcënimi shpirtëror që këto kombe i bënin Izraelit. Ata ishin kombe idhujtarësh. Së fundi, Davidin e shohim tek ngre themelet, jo vetëm për mbretërinë e Salomonit, por edhe për mbretërimin e ardhshëm mijëvjeçar të Krishtit, sepse Izraeli duhet të egzistojë, me qëllim që të kthehet Krishti për së dyti në tokë. “Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jeruzalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit; dhe ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur” (Zakaria 12:10)… “Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për të” (Zbulesa 1:7).

Mbrapa

Advertisements