Fjala e shpejtë

“Më në fund, o vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të përhapet me të shpejtë dhe të lëvdohet, porsi ndër ju” (2 Thesalonikasve 3:1).

Parathënie

Kapitulli i tretë i letrës së dytë të Thesalonikasve përmban mendimet, inkurajimet dhe lutjet e fundit të Palit. Këtu vëmë re sesi ai e nis këtë kapitull, duke iu kërkuar besimtarëve që të luten për të dhe për grupin e misionarëve, që janë me të, në mënyrë që ata ta predikojnë fuqishëm fjalën e Perëndisë, kudo që të ndodhen. Nëpërmjet këtij vargu, shohim zemrën e një ambasadori të vërtetë e besnik të Krishtit.

Lutuni për ne

Pali iu kishte kërkuar besimtarëve thesalonikas, që të luteshin për të edhe në raste të tjera. “Vëllezër, lutuni për ne” (1 Thesalonikasve 5:25). E kuptojmë mirë arsyen pse Pali kërkonte, që të tjerët të luteshin për të. Kishte patur raste kur, turmat e judenjve e të paganëve ishin ngritur e kishin shkaktuar trazira, e kishin rrahur dhe e kishin futur në burg (shiko Veprat e Apostujve 18:5-17). Ai që kërkon, që të tjerët të luten për të, e pranon faktin se ai vetë, si person, nuk është në gjendje të ballafaqohet me problemet dhe vështirësitë, që i dalin përpara, pa ndihmën e Perëndisë dhe shoqërinë e bashkëbesimtarëve të tjerë. “Jo se jemi të aftë prej vetiu të kuptojmë ndonjë gjë sikur vjen nga vetja jonë, por aftësia jonë vjen nga Perëndia” (2 Korintasve 3:5).

Të përhapurit me të shpejtë

Kjo shprehje ka të bëjë me shpejtësinë e fjalës së Perëndisë, me faktin se kjo fjalë nuk duhet të pengohet prej askujt. E kuptojmë më mirë atë, që kërkon të na thotë Pali me këtë shprehje, kur lexojmë vargjet e mëposhtme: “Dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit, për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë” (Efesianëve 6:19-20)… “Dhe duke u lutur në të njëtën kohë edhe për ne, që Perëndia të hapë edhe për ne derën e fjalës, për të shpallur misterin e Krishtit, për shkakun e të cili jam edhe i burgosur, në mënyrë që ta bëj të njohur, duke e folur siç duhet” (Kolosianëve 4:3-4).

Si në kohën e Palit, ashtu edhe sot, feja e rreme dhe ligjet e paperëndishme janë pengesat, që ndalojnë predikimin e Ungjillit të vërtetë të Krishtit. Prandaj, lutja është po aq e nevojshme sot, sa ç’ishte dikur. Por, për çfarë duhet të lutemi? Me pak fjalë, duhet të lutemi për të njëjtën gjë, që ndodhi në ditët e themelimit të kishës së parë: “Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit…Ndërkaq fjala e Perëndisë rritej dhe përhapej…Kështu fjala e Perëndisë shtohej dhe forcohej” (Veprat e Apostujve 6:7, 12:24, 19:20). Lutja jonë duhet të jetë kjo: që Perëndia të nderohet përsëri, nëpërmjet predikimit të guximshëm e të fuqishëm të fjalës së Tij të përjetshme. “Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun” (Psalmi 147:15). Jo vetëm pastorët e mësuesit e Biblës, por të gjithë ne, jemi përgjegjës për shpalljen e së vërtetës. “Duke e mbajtur lart fjalën e jetës, që unë të kem me se të krenohem në ditën e Krishtit, se nuk vrapova kot dhe as nuk u mundova kot” (Filipianëve 2:16). 

Lëvdimi i fjalës së Perëndisë

Vini re se ç’thotë vargu. Jo vetëm që Perëndia duhet të lëvdohet, por duhet të lëvdohet gjithashtu edhe fjala e Tij. Po nuk e nderuam fjalën e Perëndisë, nuk do të mund ta nderojmë dot as Atë vetë. “Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër” (Psalmi 138:2). E si duhet ta lëvdojmë fjalën e Perëndisë? Ashtu siç e lëvdoi edhe kisha e parë: “Por ata, duke vazhduar rrugën nga Perga, arritën në Antioki të Pisidisë; dhe, mbasi hynë në sinagogë ditën e shtunë, u ulën…Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan. Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend” (Veprat e Apostujve 13:14, 48-49). Perëndinë dhe fjalën e Tij e nderojmë atëherë, kur jemi gati për ta dëgjuar zërin e Tij e për të mësuar prej Tij, atëherë kur e përhapim Ungjillin me guxim në mbarë botën. Vetëm atëherë, përpjekjet tona për ta nderuar Atë, do të japin rezultate.

Përfundim

Pali e predikoi Biblën, ngado që shkoi. Vini re se si ai nuk kërkoi, që të tjerët të luteshin, që ai të kishte pasuri, apo që të bëhej i famshëm, por, që të kishte fuqi, për të vazhduar detyrën, që i ishte caktuar. Edhe ne e kemi për detyrë, që të veprojmë në të njëjtën mënyrë, si edhe të lutemi për ata, që janë të angazhuar besnikërisht në predikimin e Biblës. “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe” (Hebrenjve 4:12)… “Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:11).

Mbrapa

Advertisements