Fundi i jetës

A i keni parë ndonjëherë vrapuesit e maratonave kur bëhen gati për gara? Janë aq të gëzuar në fillim, por në fund mezi ecin, ose më mirë, çalojnë drejt vijës së finishit! Ka nga ata që e lënë garën përgjysëm nga lodhja dhe stërmundimi. Edhe Bibla na përshkruan një personazh të tillë, i cili e filloi jetën aq mirë e bukur, plot me vendosshmëri për t’i shërbyer Zotit, por fundin e pati të keq. Ky ishte Salomoni, njëri prej mbretërve më të mëdhenj të Izraelit.

Bekime hyjnore

Në Gabaon, Zoti i doli në ëndërr natën Salamonit. Perëndia i tha: “Kërko ç’të duash dhe unë do ta jap”. Salamoni u përgjigj: “Ti ke treguar një dashamirësi të madhe ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, sepse ai ecte para teje me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të pastër ndaj teje; ti ke vazhduar të shfaqësh ndaj tij këtë dashamirësi të madhe dhe i ke dhënë një bir që të ulet mbi fronin e tij, siç po ndodh sot. Tani, o Zot, Perëndia im, ti ke bërë të mbretërojë shërbëtori yt në vend të Davidit, atit tim, por unë jam veçse një fëmijë dhe nuk di si të sillem. Përveç kësaj shërbëtori yt është në mes të popullit që ti ke zgjedhur, një popull i madh, tepër i shumtë për t’u numëruar dhe llogaritur. Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të zgjuar, në mënyrë që të administrojë drejtësinë për popullin tënd dhe të dallojë të mirën nga e keqja. Kush në fakt mund të administrojë drejtësinë për popullin tënd kaq të madh?” I pëlqeu Perëndisë që Salomoni bëri këtë kërkesë” (1 Mbretërve 3:5-10).

Ç’fillim i mrekullueshëm për një mbret! Perëndia e bekoi Salomonin, ngaqë ai donte të mbështetej vetëm tek Ai, jo tek pasuria apo fama. Zoti i dha jo vetëm mençuri, por edhe begati. Fama e Salomonit u përhap madje edhe në vendet më të largëta. E megjithatë, mbretërimi i tij përfundoi me disfatë. Në vend të bekimit, Perëndia derdhi mbi mbretërinë e Salomonit zemërimin e Tij. Mëkati dhe mosbindja e këtij mbreti ishin dy gjëra të neveritshme në sytë e Zotit. Edhe ne, jemi bekuar me favore hyjnore – na është dhënë hiri, dashuria, mëshira dhe paqja e Perëndisë nëpërmjet Jezus Krishtit. “I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin” (Efesianëve 1:3). Por kjo nuk do të thotë se kemi për ta mbaruar garën me sukses! Kemi dëshirë të gjithë të themi si Pali: “E përfundova vrapimin, e ruajta besimin” (2 Timoteut 4:7). Por ndoshta shumë prej nesh kanë për të hequr dorë e kanë për t’ia kthyer kurrizin Krishtin. Jeta e Salomonit na vlen si shembull, për të na treguar se sa keq mund të përfundojë besimtari, nëse nuk i përqëndron sytë tek Zoti.

Besnikëri të përçara

Por mbreti Salomon, veç bijës së Faraonit, dashuroi shumë gra të huaja, moabite, amonite, idumeje, sidonie dhe hiteje, që u përkisnin popujve për të cilët Zoti u kishte thënë bijve të Izraelit: “Ju nuk do të lidhni martesë me ta, as ata me ju, sepse ata do ta kthejnë me siguri zemrën tuaj nga perënditë e tyre”. Por Salamoni u bashkua me këto gra nga dashuria. Ai pati si bashkëshorte shtatëqind princesha dhe treqind konkubina; dhe bashkëshortet e tij ia çoroditën zemrën” (1 Mbretërve 11:1-3).

Po ta lexojmë kapitullin 10-ë të 1 Mbretërve, do të shohim të përshkruar mbretërinë e lavdishme të Salomonit, por sa keq na vjen, kur shohim kapitullin tjetër tek fillon me fjalë kaq të rënda! Salomoni pati shumë bashkëshorte dhe konkubina. Poligamia nuk ishte si traditë në Izrael dhe sa herë që ky zakon përmendet në Bibël, e shohim se gjithmonë ai sillte pasoja të dhimbshme. Perëndia e kishte bekuar Salomonin me paqe, ndaj edhe ai nuk kishte pse të lidhte aleanca me kombet e tjera, duke u martuar me vajzat e mbretërve të atyre kombeve. Gra të tilla përdorën fenë, racën dhe politikën, për t’ia çoroditur zemrën Salomonit e për ta kthyer atë kundra Perëndisë. Na duhet, pra, një zemër plot me përkushtim ndaj Krishtit, me qëllim që ta fitojmë garën e jetës. “Ti do ta duash, pra, Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemër, me gjithë shpirt dhe me tërë forcën tënde” (Ligji i Përtërirë 6:5). Nëse një dashuri e tillë është e përçarë, apo e holluar, atëherë tërë jeta shkon drejt shkatërrimit shpirtëror.

Pasoja shkatërruese

Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij. Salomoni ndoqi, pra, Ashtorethin, perëndeshën e Sidonëve, dhe Milkomin, të neveritshmin e Amonitëve. Kështu Salomoni bëri atë që ishtë e keqe në sytë e Zotit dhe nuk e ndoqi tërësisht Zotin, ashtu si kishte bërë i ati David. Atëherë Salomoni ndërtoi mbi malin përballë Jeruzalemit një vend të lartë për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit, dhe për Molekun, të neveritshmin e bijve të Amonit. Kështu bëri për të gjitha bashkëshortet e huaja të tij që digjnin temjan dhe u ofronin flijime perëndive të tyre. Prandaj Zoti u zemërua me Solomonin, sepse zemra e tij qe larguar nga Zoti, Perëndia i Izraelit, që i ishte shfaqur dy herë, dhe lidhur me këtë e kishte urdhëruar të mos shkonte pas perëndive të tjera; por ai nuk respektoi atë që Zoti e kishte urdhëruar. Prandaj Zoti i tha Salomonit: “Me qenë se kë bërë këtë gjë dhe nuk ke respektuar besëlidhjen time dhe statutet e mia që të kisha urdhëruar, unë do të ta heq mbretërinë nga dora dhe do t’ja jap shërbëtorit tënd. Megjithatë, për dashurinë që ndiej për Davidin, atin tënd, këtë nuk do ta bëj gjatë jetës sate, por do ta heq nga duart e birit tënd. Por nuk do t’i marr tërë mbretërinë, do t’i lë birit tënd një fis, për dashurinë që ndiej për Davidin, shërbëtorin tim, dhe për hir të Jeruzalemit që kam zgjedhur” (1 Mbretërve 11:4-13). 

Nga pamja e jashtme, aleancat politike të Salomonit dukeshin të dobishme. Izraeli në atë kohë ishte kombi, që kishte ndikim më të madh mbi të gjitha kombet e tjera. Çdo izraelit ndihej krenar që ishte anëtar i një kombi kaq të begatuar. Të gjithë ishin të kënaqur me mbretin. Të gjithë, me përjashtim të Perëndisë! Dhe mendimi i Perëndisë vlente më shumë nga të gjithë! Zoti i tregoi mbretit se ku kishte gabuar dhe se ç’vendim do të merrte Ai si ndëshkim. Këtij mbretërimi të lavdishëm do t’i vinte fundi! Pse? Ngaqë Salomoni po merrej me idhujtari. E kishte thyer besëlidhjen, që kishte bërë me Zotin dhe nuk kishte treguar respekt për urdhërimet e Ligjit. Do të vuante tani pasojat e veprimeve të veta. Po ne, mos kujtojmë, vallë, se do t’i shpëtojmë ndëshkimit të Zotit, kur nuk i bindemi? Secili prej nesh është përgjegjës për veprimet e veta: se me kë martohemi, apo se cilin urdhërim thyejmë. Çdo veprim që bëjmë, ka ndikim në të ardhmen dhe në mënyrën se si do ta përfundojmë jetën. 

Përfundim

Çfarë ka për të na thënë Zoti, kur jetës sonë t’i vijë fundi? Do të na thotë: “Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?” (Galatasve 5:7)? Kur plakemi, trupi na ngadalësohet – mezi i ngjitim shkallët e pallatit! Nuk jemi më për maratona! Por nga ana shpirtërore, mund të vrapojmë akoma për Krishtin. “Por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur” (Isaia 40:31). Nuk kemi pse ta përfundojmë jetën si Salomoni, përkundrazi, duke i qëndruar afër Zotit dhe duke mos e lejuar askënd që të na pengojë, kemi për ta mbaruar me sukses garën. “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:21).

Mbrapa