Fuqia dhe mençuria

Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë. Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve”. Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote? Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit, sepse Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe Grekët kërkojnë dituri, por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët, kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë; sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit” (1 Korintasve 1:18-25).

Parathënie   

Ateistët përpiqen që të na e mbushin mendjen, që të mos besojmë tek Perëndia, por fakti është se shumica e njerëzve nuk janë ateistë, por besojnë në një qënie hyjnore. Ateistët do ta kuptojnë se e kanë gabim, po qe se do t’i ngrenë sytë lart, për të parë ato që ka krijuar Zoti. “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij” (Psalmi 19:1).

Në tekstin e studimit tonë, Pali na shpall fuqinë dhe mençurinë e mahnitshme të Perëndisë, duke na thënë se ata që besojnë, nuk janë më skllevër të marrëzisë, në të cilën besojnë ateistët. Ungjilli i shpëtimit shërben si vijë kufiri mes jetës së përjetshme dhe mallkimit të përjetshëm. Ata që besojnë, kanë jetën, kurse ata që e hedhin poshtë të vërtetën, do të humbin përgjithmonë.

Skandali

Djalli, nëpërmjet ateizmit, teorisë së evolucionit dhe feve të rreme, mundohet të bëjë të pamundurën, për t’i ndaluar njerëzit së menduari e së arsyetuari. Ai nuk do që ungjilli i Krishtit t’iu mësohet fëmijëve në shkolla, nga frika se mos nxënësit ia falin jetën Zotit dhe i besojnë Atij. Ai do që kishat tona të predikojnë një ungjill shoqëror, në të cilin nuk përmendet fare shpëtimi. Ateisti kërkon prova rreth egzistencës së Perëndisë, por vetë nuk arrin të na japë dot një teori të besueshme, që të na tregojë se si gjërat që shohim, e patën origjinën e tyre prej asgjëje. Jobesimtari kërkon të shohë mrekulli, që ta bindin atë se Krishti është Shpëtimtari dhe, në këtë mënyrë, ai e shkatërron edhe atë pak besim që ka tek Zoti. “Jezusi i tha: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!” (Gjoni 20:29).

Të gjithë, duke përfshirë këtu edhe të krishterët, i kërkojnë Perëndisë që ta shfaqë fuqinë e Tij, për t’i treguar botës se Ai është i vetmi Perëndi i vërtetë. Por, pse duhet ta bëjë këtë gjë Perëndia? Edhe sikur mrekullia më e madhe të ndodhë, shumica e njerëzve nuk kanë për të besuar. Shenjat dhe mrekullitë vërtet që mund t’ia rrisin besimin njeriut, por, në fakt, njerëzit mund të shpëtohen vetëm nëpërmjet besimit në fjalën e Perëndisë. “Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish” (Luka 16:31)… “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Romakëve 10:17). Ungjilli i Krishtit është manifestimi më i madh i fuqisë së Perëndisë dhe vetëm një i marrë mund ta mohojë këtë.

Mençuria

Njerëzit më të mençur, që kanë jetuar ndonjëherë, kanë qenë ata, që e kanë pranuar Jezus Krishtin si Zot dhe Shpëtimtar. Ata që e mohojnë Krishtin, nuk arrijnë ta kuptojnë dot as Biblën, as nevojën për shpëtim. Iu është mbushur mendja se nuk ia vlen të shqetësohen për këtë punë. Me filozofitë e tyre, ata i inkurajojnë të tjerët, duke iua justifikuar kështu mëkatin. “Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij” (Gjoni 3:20).

Ky brez kujton se është i mençur, ngaqë e ka hedhur poshtë besimin tek Perëndia, duke mos e kuptuar se po ecën në errësirë shpirtërore, nga e cila mund ta çlirojë vetëm Krishti. “Sepse Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë”, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 Korintasve 4:6). Njerëzit sot iu shkojnë pas atyre të ashtu-quajturve “njerëz të ditur të botës”, por shumë shpejt kanë për ta parë se udhëheqësit e tyre janë budallenj të verbër. “Një i verbër a mund t’i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë?” (Luka 6:39).

Marrëzia

Krahasuar me të vërtetën e shfaqur në fjalën e Perëndisë, mençuria e kësaj bote është komplet marrëzi. Njeriu shkon në fund të oqeaneve, gërmon thellë në rërë, apo studjon me hollësi universin, për të gjetur njohuri e dituri. Por për shekuj me rradhë, përpjekjet e njerëzimit nuk e kanë çliruar dot atë prej mëkatit. Është marrëzi dhe kotësi të kërkosh të gjesh përgjigje diku tjetër, përveçse tek Krishti. Në të kaluarën, njeriu ishte fajtor, ngaqë kishte krijuar perëndi, sipas shëmbëlltyrës së vet, por tani ai kujton se është vetë perëndi. “I pamendi ka thënë në zemër të tij: “Nuk ka Perëndi” (Psalmi 19:1). Budallai më i madh është ai, që kujton se është zot i jetës së vet.

Këta të marrë thonë se besimtarëve iu nevojitet Perëndia, ashtu siç të çalit i nevojiten patericat. Kujtojnë, pra, se të krishterët janë aq të dobët, saqë nuk kanë fuqi për të jetuar në botë, po të mos i besojnë një përralle. Njerëz të tillë nuk arrijnë ta kuptojnë dot se atyre iu nevojitet alkoli, cigarja, apo gjërat e tjera, thjesht për të jetuar. Janë aq të varur tek këto vese, saqë shkatërrohen nga ana mendore dhe fizike, po qe se heqin dorë prej tyre. Kush është i dobët atëherë? Një besimtari i duhet kurajo e guxim, që t’i dalë përkrah Perëndisë në këtë botë të sëmurë prej mëkatit, sepse është bota ajo që i përqesh ata, që i besojnë Krishtit. Bota mund të na quajë të dobët, por ne nuk kemi nevojë për ato gjëra, që ka nevojë bota.

Të marrët kujtojnë se të predikuarit rreth Krishtit dhe shpëtimit është çrregullim mendor. Por kush është ai, që ëndërron madje të besojë në një Perëndi, i cili e krijoi universin në gjashtë ditë?  Kush është ai, që beson se Jezus Krishti është e vetmja rrugë për në Qiell? Vetëm ai që e ka mendjen të shëndoshë.  Falemnderit Zotit, që na dha mundësinë, për t’i besuar. Vetëm një vështrim në kryqin dhe atë që nënkupton ai, mjafton për ta larguar përgjithmonë errësirën e kësaj epoke.

Përfundim                      

Të humburve nuk mund t’iu ofrojmë dot asgjë, “veç Jezu Krishtit dhe atë të kryqëzuar” (2 Korintasve 2:2). E pse duhet të shpikim metoda se si ta bëjmë ungjillin sa më të pranueshëm për botën? Mençuria dhe fuqia e Perëndisë gjendet tek e vërteta e shfaqur prej Tij, ndaj edhe është marrëzi ta kërkosh atë diku tjetër. Ka vetëm një rrugë shpëtimi, ndaj edhe le t’iua shpallim këtë fakt atyre, që na rrethojnë, madje edhe atyre, që kujtojnë se jemi të marrë. Secili prej nesh konsiderohet i marrë prej dikujt tjetri. Por të diturit kanë marrë vendim të jenë “të marrë për Krishtin” (1 Korintasve 4:10).

Mbrapa

Advertisements