Fuqia për t’i shërbyer Zotit

Pagëzimi me Frymën e Shenjtë na jepet, me qëllim që t’i shërbejmë Zotit në përputhje me planin e Tij. Nuk është vullneti, aftësia apo entuziazmi ynë njerëzor, por është Ai, që na jep forcë, në mënyrë që të jetojmë për Të. Në Bibël pagëzimi me Frymën e Shenjtë ka të bëjë zakonisht me të shërbyerit Zotit me fjalë dhe me vepra (shiko Veprat e Apostujve 1:5,8; 2:4; 4:31, 33).

A na pastron nga mëkati?

Në studimin tonë të mëparshëm, e pamë se shpëtimi dhe pagëzimi me Frymën e Shenjtë janë dy vepra të veçanta të Perëndisë në jetën e besimtarit. Ky pagëzim nuk bëhet, me qëllim që ta pastrojë shpirtin prej mëkatit. Vetëm gjaku i Zotit Jezus Krisht e kryen një punë të tillë. Përkundrazi ky pagëzim na ofrohet, për të na fuqizuar dhe për të na vajosur gati për shërbim. Për më tepër, një pagëzim i tillë na shtyn edhe më shumë drejt shenjtërimit.

Fatkeqësisht, ka nga ata që kujtojnë akoma se pagëzimi me Frymën e Shenjtë është një vepër e Perëndisë, e cila na e shkatërron fare natyrën tonë mëkatare dhe na shenjtëron plotësisht. Por në fjalën e Perëndisë nuk vëmë re dot qoftë edhe një varg të vetëm që ta mbështesë një teori të tillë. Disa besojnë se ky pagëzim është i njëjtë me shenjtërimin, ngaqë shpesh quhet edhe “bekimi i dytë”. Por ky bekim i dytë na jepet për t’i shërbyer edhe më fuqishëm Zotit, jo për të na pastruar prej mëkatit. Është e vërtetë që një nga detyrat e Frymës së Shenjtë është që ta largojë besimtarin prej mëkatit. “Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit” (Galatasve 5:16). Fryma na jep fuqi për t’i mposhtur dëshirat tona mëkatare dhe për t’u bërë të denjë për t’i shërbyer Zotit. “Që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm, që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit, që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia, dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianëve 3:16-19). Çdo ditë, nëse jetojmë sipas udhëheqjes së Frymës, atëherë Ai na jep fuqi për të dalë fitimtarë mbi tundimin dhe mëkatin. “Sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes… Sepse, po të rroni sipas mishit, ju do të vdisni; por, nëse me anë të Frymës i bëni të vdesin veprat e trupit, ju do të rroni” (Romakëve 8:2, 13). Pagëzimi me Frymën e Shenjtë i jep besimtarit fuqi mbi mëkatin, sepse Fryma Vetë është e shenjtë, ndaj edhe e udhëheq besimtarin drejt shenjtërisë. Kjo ide na paraqitet edhe tek Mateu 33:11, ku Gjoni tha: “Ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin”.

Fuqia

Na duhet ta theksojmë edhe më shumë arsyen e pagëzimit me Frymën e Shenjtë, sepse tek Veprat e Apostujve 1:8 na thuhet qartë se fuqia i jepet besimtarit, në momentin kur Fryma e Shenjtë hyn në jetën e Tij. Kjo është fuqia për shërbim. Çdo besimtar është i kualifikuar për ta marrë një fuqi të tillë. “Ka larmi dhuntish, por i njëjti Frymë… Dikujt, pra, i jepet, me anë të Frymës, fjalë diturie; një tjetri, sipas të po atij Frymë, fjalë njohurie; një tjetri besim, nga po ai Frymë; një tjetri dhuntitë e shërimeve, nëpërmjet po atij Frymë; një tjetri pushtet për të kryer veprime të fuqishme; një tjetri profeci; një tjetri të dallojë frymërat; një tjetri larmi gjuhësh; një tjetri interpretimi i gjuhëve. Dhe të gjitha këto i bën i njëjti dhe i vetmi Frymë, duke i ndarë gjithsecilit dhunti veç e veç ashtu si do vetë” (1 Korintasve 12:4, 8-11). Fryma i jep secilit prej nesh dhuratën më të mirë dhe më të duhur për t’i shërbyer Atij. Fatkeqësisht, shumë prej besimtarëve që janë pagëzuar me Frymën e Shenjtë, e përqëndrojnë vëmendjen vetëm tek një dhuratë e caktuar – “të folurit në gjuhë të panjohura”, por harrojnë se Perëndia na jep gjithashtu edhe dhurata të tjera. Nëse Fryma e Shenjtë na i jep këto dhurata sipas vullnetit të Tij, atëherë duhet t’i bëjmë pyetje vetes, ashtu si Pali: “A flasin të gjithë gjuhë të ndryshme?” (1 Korintasve 12:30).

Ka të tjerë, që kujtojnë se, sapo ta kenë marrë pagëzimin me Frymën e Shenjtë, janë automatikisht gati për t’u bërë pastorë, ungjillizues apo mësues. Njerëzve të tillë shumë shpejt iu humbet entuziazmi dhe ata fillojnë të veprojnë në kundërshtim me vullnetin e Zotit. Pali shkruan se “ka larmi dhuntish” (1 Korintasve 12:4). Nuk është gabim të dëshirosh, që Zoti të të përdorë në një mënyrë të caktuar. “Por kërkoni me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira; dhe unë do t’ju tregoj një udhë shumë më të lartë” (1 Korintasve 12:31). Por,  nëse Fryma e Shenjtë nuk na ka dhënë fuqi për ta bërë një detyrë të caktuar, atëherë nuk duhet të mendojmë se është vullneti i Tij që ta kryejmë atë detyrë. Një mendim i tillë do të na zhdekurajojë dhe do të na përulë. Për këtë arsye disa edhe largohen fare nga Zoti. Ata që janë të pagëzuar me Frymën, duhet të presin që t’i thërrasë Zoti, jo thjesht ta zgjedhin vetë rrugën e jetës. Le të mos harrojmë gjithashtu se të qënit indiferent ndaj punës së Zotit është një veprim po aq i gabuar, sepse ata që nuk duan t’i shërbejnë Atij, në fakt tregojnë se nuk i janë mirënjohës për shpëtimin. Zoti nuk e bekon, por e qorton dembelin. “Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime” (Zbulesa 3:16).  

Përfundim                     

Jemi thirrur për t’ia përkushtuar jetën tonë shërbesës së Perëndisë dhe çfarëdo lloj detyre që të na japë për të kryer, ajo detyrë ka për të qenë dhurata jonë më e mirë për Të. Duhet të jemi gati për të bashkëpunuar me Zotin dhe jo thjesht duke kujtuar se Ai po bashkëpunon me ne. Nuk duhet të veprojmë sipas qëllimeve apo mundësive tona, por sipas fuqisë së Frymës së Shenjtë. “Fuqia nga lart” është akoma e vlefshme për kishën e Krishtit dhe secili prej nesh mund të bëhet pjesëtar i punës së lavdishme të Perëndisë (Luka 24:49).

Mbrapa