Gara për fitore

“A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni. Dhe kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha; dhe ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet. Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt; kështu luftoj, por jo sikur rrah erën; madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.” (1 Korintasve 9:24:-27).

Parathënie   

Lojrat Olimpike po afrojnë. Me siguri që të gjithë atletët që do të marrin pjesë në to, po përgatiten më së miri, me qëllim që, në përfundim të garës së tyre, të kenë mundësinë për të qëndruar në podjumin e fitimtarit, me medaljen e artë rreth qafës. Ç’mendim do të kishim për atë njeri, që merr pjesë në gara, pa patur fare as dëshirë, as pikësynim për të fituar? Fatkeqësisht, e tillë është gjendja shpirtërore e shumë besimtarëve të sotshëm. Por, po nuk patëm këmbëngulje për të fituar, nuk arrijmë dot asgjë. Për më tepër, a e nderon Zotin një sjellje e tillë?

Qëllimi i Perëndisë

Perëndia e ka një plan dhe një qëllim për secilin prej nesh, pavarësisht se ç’klase shoqërore i përkasim. Në historinë e Mbretëreshës Ester vëmë re se Zoti mund të zgjedhë cilindo (madje edhe atë që nuk njihet prej askujt) për ta çliruar popullin e Tij prej shkatërrimit. Po sikur Perëndia të na ketë zgjedhur “pikërisht për një kohë të tillë” (Ester 4:14)? Esterit iu desh ta vinte veten në rrezik, me qëllim që ta përmbushte qëllimin e Perëndisë, për të cilin ishte thirrur. Nga ana mishore, është e rrezikshme t’i shkosh pas Zotit, por mund të jemi të sigurtë se Ai gjithmonë ka gati të përgatitur më të mirën për ne. “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Romakëve 8:28). Mund të ballafaqohemi me situata të vështira, por secila prej tyre do të na sjellë diçka të mirë në jetën tonë. Mund të mos mendojmë se jeta është e lehtë, por Perëndia është gjithmonë i drejtë dhe besnik.

Perëndia na kërkon që të vrapojmë, me qëllim për ta fituar çmimin, pavarësisht nga pengesat dhe vështirësitë, që mund të na dalin gjatë rrugës. Në fakt, Ai na ka dhënë Frymën e Shenjtë, për të na drejtuar, për të na forcuar dhe për të na inkurajuar gjatë gjithë vrapimit. Si atleti i lojrave olimpike, ashtu edhe vrapuesi i krishterë duhet të stërvitet shumë, duhet të jetë i vendosur për të fituar dhe i përqëndruar tek vija e finishit. Fituesit nuk bëhen fitimtarë aksidentalisht. Përkundrazi, punojnë e stërviten shumë për t’ia arritur qëllimit të tyre. “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës” (2 Timoteut 2:15).

Çmimi i Perëndisë

Ç’na pengon së arrituri atë, për të cilën na ka thirrur Perëndia? Dy gjëra na pengojnë së avancuari: mëkati dhe frika. Këto na bëhen si barrë mbi kurriz, ndaj edhe nuk mundemi madje as të ecim fare. Na bëhen si litarë rreth qafës, ndaj edhe mezi marrim frymë. Pikërisht në këtë moment, pra, duhet t’i hedhim poshtë ato gjëra, të cilat na e grabisin më të mirën që Perëndia e ka përgatitur për ne. Duhet të pendohemi për mëkatin: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9) dhe duhet ta largojmë dyshimin nëpërmjet besimit: “Mos ji mosbesues, por besues” (Gjoni 20:27).

Dhe, ndërsa përparojmë me Krishtin dhe e vëmë në praktikë besimin tonë tek Ai, asgjë nuk do të na ndalojë së marruri çmimin e madh. “Gjithçka bën do të ketë mbarësi” (Psalmi 1:3)… “Asnjë armë e sajuar kundër teje nuk do të ketë sukses” (Isaia 54:17). Nuk kemi absolutisht asnjë arsye pse të mos synojmë për të fitore, sepse vetëm kështu mund të jemi fitimtarë të bekuar, ashtu siç na dëshiron edhe Perëndia. “Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi” (Romakëve 8:37). Na nevojitet vetëm besimi në premtimet, që na ka bërë Zoti. “Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë” (1 Gjonit 5:4). Edhe pse ky varg citohet shumë nga Bibla, fatkeqësisht, ka nga ata, të cilët e hedhin poshtë dhe nuk e besojnë. Prandaj edhe vetë e kanë fajin, kur nuk e fitojnë garën shpirtërore. “Populli im vdes për mungesë njohurish” (Osea 4:6).

Nëse nuk jemi rritur dhe nuk jemi burrëruar fare shpirtërisht këto muajt, vitet dhe dekadat e fundit, vetë e kemi fajin. Kot e fajësojmë Perëndinë. Ai na i ka dhënë të gjitha mjetet për ta lavdëruar. Ndoshta nuk kemi pranuar të ndryshojmë si njerëz. Ndoshta kemi nxjerrë pretekste të ndryshme, duke thënë se puna që na është ngarkuar, është shumë e vështirë. Sidoqë të ketë qenë arsyeja, fakti qëndron këtu se na ka ikur dëshira për t’i shërbyer Zotit. Duhet të na ndizet përsëri zemra flakë, me një dëshirë të shenjtë për ta vënë Perëndinë në plan të parë në jetën tonë. “Por kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parën e le. Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh” (Zbulesa 2:4-5).

Premtimi i Perëndisë

Nuk mund të themi se po udhëhiqemi prej Frymës së Shenjtë, nëse ia bëjmë qejfin vetes dhe natyrës sonë mishore. Duhet të jemi gati për t’i zbatuar pikë për pikë udhëzimet e Perëndisë, sepse vetëm atëherë do t’i përjetojmë të gjitha bekimet, që Ai ka përgatitur për ne. Bibla nuk na premton një jetë të lehtë. Përkundrazi, na thotë se duhet të vrapojmë shumë, ashtu si atleti, dhe të luftojmë, ashtu si një ushtar besnik. “Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve” (1 Timoteut 6:12). Duhet të tregohemi gjithmonë vigjilent, me qëllim që zemrat të mos i kemi të ftohta. “Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet e jetës” (Fjalët e Urta 4:23).

Perëndia na ka premtuar të na i plotësojë të gjitha nevojat, ndërkohë që ne e duam, e ndjekim dhe i shërbejmë Atij. Pak rëndësi ka se ç’lloj pengesash mund të na dalin përpara. Le të mos harrojmë se Ai e mban premtimin. “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Pavarësisht sesa të vështira mund të na duken problemet, le ta besojmë se “me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (Luka 1:37). Nganjëherë e bëjmë lëmsh jetën, por Perëndia vepron me besnikëri tek ne, për të na prurë në rrugën e duhur. “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6).

Përfundim                    

Perëndia nuk e toleron dështimin, sepse Ai e ka planifikuar që ne të fitojmë. Pa dyshim, që shpeshherë ne e lëmë Atë në baltë. Por Atij kurrë nuk i kthehet mendja, lidhur me qëllimet dhe planet që ka për jetën tonë. “Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten” (2 Timoteut 2:13). Dallimi më i madh mes nesh dhe atletëve, që marrin pjesë në Lojrat Olimpike, është ky: secili prej nesh ka për të qëndruar mbi podjumin e fitimtarit (d.m.th. ka për të fituar medaljen e artë), po qe se nuk dorëzohemi, por vrapojmë me besim. “Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:23).

Mbrapa