Gënjeshtra e Davidit

Pastaj Davidi shkoi në Nob tek prifti Ahimelek; Ahimeleku i doli përpara Davidit duke u dridhur dhe i tha: “Pse je vetëm dhe nuk ka njeri me ty?”. Davidi iu përgjegj priftit Ahimelek: “Mbreti më urdhëroi diçka dhe më tha: “Asnjeri të mos dijë kurrgjë për çështjen për të cilën po të dërgoj dhe për atë që të kam urdhëruar”. Njerëzti e mi i kam drejtuar në filan vend” (1 Samuelit 20:35-42).

Parathënie

Ky kapitull na tregon një David, që nuk po jetonte sipas standarteve të Perëndisë. E shohim se si ai u soll në mënyrë të gabuar. Frika e bëri që ta harronte për një moment Perëndinë, duke vepruar si pasojë sipas mençurisë së botës, jo sipas asaj të Zotit.

Pasi u largua prej Jonathanit, Davidi shkoi në një qytet me emrin Nob. Në këtë qytet banonin disa priftërinj, të cilët shërbenin në tendën e Zotit, e ndodhur në veri të Jeruzalemit. Kryeprifti Ahimelek u habit, kur e pa Davidin dhe, kur e pyeti pse kishte ardhur, mori një përgjigje, që s’ishte gjë tjetër veçse një gënjeshtër. A është mirë të gënjejmë? A e ndëshkon Perëndia atë që gënjen?

Shqetësimi i Ahimelekut

Ahimeleku u drodh nga frika, kur e pa Davidin. Por pse kishte kaq shumë frikë prej tij? Puna qëndronte këtu se Davidi ishte vetëm. Në fakt, Davidi kishte shokë me vete, por ndoshta ata ishin fshehur, që të mos i shihte Ahimeleku. “Dhe ai u tha atyre: “A nuk keni lexuar vallë se ç’bëri Davidi kur pati uri, ai dhe ata që qenë me të? Si ai hyri në shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk lejohej t’i hante as ai e as ata që ishin me të, por vetëm priftërinjtë?” (Mateu 12:3-4). “Ishte për t’u çuditur, që një njeri me pozitë si Davidi, të udhëtonte vetëm” (Frederik Çarls Kuk). Davidi nuk kishte qëllime të këqija ndaj priftit, por mënyra sesi iu afrua atij, bëri që prifti të shqetësohej tej mase.

Ahimeleku, si kryeprift që ishte, e dinte se ç’kishte ndodhur në shtëpinë e Saulit. E dinte se sa keq ishte sjellë mbreti me Davidin. Ndoshta ai kishte frikë se mos e vrisnin, ngaqë po ndihmonte Davidin. Prandaj pra, prania e Davidit e vuri atë në pozitë shumë të vështirë. Davidi do të pendohej më vonë për gënjeshtrën, që i tha Ahimelekut. “Mbamë larg nga gënjeshtra” (Psalmi 119:29).

Mashtrimi i Davidit

Davidi, në vend që të tregonte të vërtetën dhe t’i shpjegonte Ahimelekut se si ishte puna, mori vendim për të gënjyer. Tha se e kishte dërguar mbreti me një mision aq sekret e aq urgjent, saqë s’kishte pasur dot kohë të merrte me vete as ushqim, as armë, as rroba. “Është gjë e trishtueshme ta shohësh të ulet kaq poshtë atë, besimi i të cilit mundi Goliathin. Davidi gënjeu, për ta mbrojtur veten, duke u kthyer kështu në një mashtrues” (Uilliam Gardën Blleiki). Në fakt, Davidi, duke gënjyer, po i sillte vetes edhe më shumë probleme.

Davidi e dinte se prifti nuk do ta ndihmonte nga frika. Prandaj edhe mendoi se mashtrimi do t’ia kthente mendjen. Po qe se Davidin e kishte urdhëruar mbreti Saul, atëherë Ahimeleku do të ndëshkohej prej vetë mbretit, po të mos i jepte Davidit gjithçka që kërkonte. Shumica e njerëzve sot veprojnë ashtu siç veproi Davidi, d.m.th. gënjejnë, për të marrë atë që duan. Edhe atëherë kur kemi shumë nevojë për diçka, nuk është kurrë e drejtë, që ta marrim atë gjë me metoda mashtruese, sepse, po të kapemi duke gënjyer, do të na njolloset njëherë e përgjithmonë karakteri.  

Përfundim

Davidi gënjeu përpara kryepriftit të Perëndisë, në një kohë që qëndronte nën hijen e tendës së Zotit dhe në praninë e Arkës së Besëlidhjes, e cila simbolizonte vetë praninë e Zotit. Ai po tregohej mashtrues në tokën e shenjtë. E kishte harruar se si, ashtu si edhe Anania dhe Safira, ai po gënjente Perëndisë. “Pse e shtive në zemër këtë gjë? Ti nuk ke gënjyer njerëzit, por Perëndinë!” (Veprat e Apostujve 5:4). E vërteta është shenjë karakteristike e Perëndisë. “Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë” (Numrave 23:19). Gënjeshtra e ka origjinën nga djalli. “Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj; ai ishte vrasës që nga fillimi dhe nuk qëndroi në të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë të rrema, flet nga vetvetja, sepse është gënjeshtar dhe ati i rrenës” (Gjoni 8:44). Kur gënjejmë, shfaqim karakterin e Satanait, jo të Perëndisë. Nuk i përmirësojmë gjërat, duke mashtruar. “Buzët gënjeshtare janë të neveritshme për Zotin, por ata që veprojnë me çiltërsi i pëlqejnë atij” (Fjalët e Urta 12:22).

Mbrapa

Advertisements