Gëzohuni në Krishtin Jezus!

“Së fundi, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin; për mua nuk është e rëndë t’ju shkruaj të njëjtat gjëra, po për ju është siguri. Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët. Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish” (Filipianëve 3:1-3).

Parathënie

Ka të ngjarë që Pali t’iu kishte shkruar dikur filipianëve edhe një letër tjetër me po të njëjtën temë, prandaj edhe vargu 1 i referohet përsëritjes së të njëjtave gjëra. Ka të ngjarë gjithashtu që ai thjesht po i inkurajon ata, që të vazhdojnë të gëzohen në Krishtin, një temë kryesore kjo e kësaj letre drejtuar filipianëve. 

Ata që gëzohen

Domosdoshmëria për t’u gëzuar bëhet edhe më e rëndësishme, kur mendojmë se Pali e shkroi këtë letër, ndërkohë që ishte në burg. Duhet ta lavdërojmë dhe ta adhurojmë Zotin, pavarësisht se në ç’situatë mund të ndodhemi. Ishte pikërisht në vetë burgun e qytetit të Filipeut, që Pali dhe Sila “i këndonin himne Perëndisë” në mes të natës dhe vetë themelet e burgut u tundën! Kjo solli si pasojë shpëtimin e rojtarit të burgut dhe të gjithë familjes së tij (Veprat e Apostujve 16:23-32).

Para se t’iu hedhim një sy mësuesve të rremë që përmenden në këtë pasazh, e shohim se Pali e përfshin këtu temën e gëzimit, për të na thënë se ata, që me të vërtetë e adhurojnë Perëndinë, as nuk mashtrohen kollaj, as nuk shkatërrohen në situate të vështira. “Adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:23). Tek ballafaqohemi me realitetin e vështirë të jetës së përditshme, le të vazhdojmë të gëzohemi në Krishtin e të mos i lejojmë të tjerët që të na e dobësojnë besimin tek Ai. “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim” (Habakukut 3:17-18)… “Sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj” (Nehemia 8:10). Jeta kurrë nuk ka për të qenë pa vështirësi dhe pa probleme, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të ecim dot si fitimtarë, pa kënduar e pa lavdëruar. Është e pamundur të ecim pa adhuruar dhe pa e ditur se jemi të sigurtë në Krishtin. “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar: “Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje”. Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:35-39)… “Jini gjithmonë të gëzuar” (1 Thesalonikasve 5:16)… “Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Por gëzohuni, duke qenë pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni” (1 Pjetrit 4:12-13). Profeti Isaia na thotë se, pavarësisht nga gjendja në të cilën mund të ndodhemi, prapëseprapë mund ta lavdërojmë Perëndinë. “Të përulurit do të mund të gëzojnë akoma te Zoti dhe të varfërit e njerëzimit do të ngazëllohen tek i Shenjti i Izraelit” (Isaia 29:19).

Mësuesit e rremë

Pali tani na e tërheq vëmendjen tek mësuesit e rremë. Ai përdor fjalën “ruhuni”, ose “kini kujdes prej tyre”. Por tek Filipianëve 3:17, ai përdor fjalën “vëreni”, kur kërkon të na thotë që të ndjekim shembullin e atyre që janë me të vërtetë besimtarë të devotshëm. Pali nuk na thotë asnjë fjalë të mirë për ata, që përpiqen ta shkatërrojnë ungjillin e Krishtit. Përkundrazi, ai përdor fjalë, që sot mund të na duken disi të ashpra. Ai rradhit tre tipe njerëzish, të cilëve duhet t’iu shmangemi. Çdo mësues i rremë futet në kategori të tilla. Duhet të jemi vigjilentë ndaj këtyre njerëzve, sepse ata na rrinë gjithmonë afër, gati për të na zënë në kurth. Djalli i përdor mësuesit e rremë për të na e helmuar besimin tonë të pastër.

  1. Qentë. Ta quaje dikë ‘qen’ në atë kohë ishte ofendim i madh. E shohim, pra, se Pali jo vetëm që nuk donte që besimtarët të përziheshin me mësuesit e rremë, por madje as nuk priste që ata t’iua vinin sadopak veshin atyre. Isaia i konsideronte mësues të tillë si “qen memecë” (Isaia 56:10-11). Edhe Zoti Jezus përdori një shprehje të ngjashme, kur bëri fjalë për ata që i kundërviheshin së vërtetës. I quajti njerëz të tillë “ujqër” (Mateu 7:15). Apostulli Pjetër i quan ata qen dhe derra (2 Pjetrit 2:19-22), të cilët paguhen prej “luanit vrumbullues…[që] sillet rreth e qark…duke kërkuar cilin mund të përpijë” (1 Pjetrit 5:8). Kjo do të thotë se nuk duhet të hyjmë në debate me ata, që i kundërvihen Biblës, por duhet t’iua fitojmë zemrën njerëzve, duke iu predikuar atyre fjalën e së vërtetës. “Qen” të tillë janë të neveritshëm për Perëndinë dhe nuk kanë për të hyrë në Parajsë, po qe se nuk pendohen. (Zbulesa 21:18).
  2. Punëtorë të këqij. Kjo shprehje është e njëjtë me atë që gjendet tek 2 Korintasve 11:13, që thotë: “punëtorë hileqarë”. Përshkrime të tilla që iu bëhen mësuesve të rremë, na tregojnë se nuk ka asgjë të mirë që mund të themi për njerëz të tillë. Pali mund ta ketë fjalën këtu për ata, që thonë se po predikojnë të vërtetën, ndërkohë që, me marifet, i shmangen temës së shenjtërisë. Zakonisht, vetë mënyra e tyre e jetesës na dëshmon se njerëz të tillë ose nuk e kuptojnë, ose nuk e quajnë të rëndësishme drejtësinë e Perëndisë. “Punëtorë të këqij” janë gjithashtu edhe ata, që predikojnë një ungjill të veprave të mira, jo një ungjill që bazohet tek hiri i Perëndisë. Nuk kemi pse të habitemi, kur ta shohim se edhe në kishat e sotshme ka “punëtorë të tillë të këqij”. “Dhe nuk është për t’u çuditur, sepse Satanai vet shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre” (2 Korintasve 11:14-15). Njerëz të tillë nuk e studjojnë Biblën për të mësuar atë që iu thotë ajo, por e lexojnë atë me paragjykime, ndaj edhe ngatërrohen në doktrina heretike. “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës” (2 Timoteut 2:15).
  3. Të prerit. Kjo fjalë iu referohet atyre që besojnë se rrethprerja është e nevojshme për shpëtim. E njëjta fjalë (në greqisht “katatome”) gjendet edhe tek Levitikut 21:5 dhe 1 Mbretërve 18:28 dhe ka të bëjë me veprimet e paganëve, të cilët e prisnin mishin e trupit të vet, për ta kënaqur perëndinë e tyre. Pali e ka fjalën për ata, që thonin se besimtarët që nuk ishin judenj, duhej të praktikonin të njëjtat rite dhe ceremoni të fesë së judenjve, për të qenë pasues të vërtetë të Krishtit. Njerëz të tillë festonin festat e shenjta të judenjve, gjë kjo që Bibla na paralajmëron që të mos e bëjmë. “Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite. Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju” (Galatasve 4:10-11). Njerëz të tillë e mallkojnë vetë veten. “Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë” (Romakëve 10:3). Për më tepër, as që nuk e kuptojnë se ç’bëjnë. “Duke dashur të jenë mësues të ligjit, nuk kuptojnë as ato që thonë, as ato që pohojnë” (1 Timoteut 1:7). Mësues të tillë i përngjanin atyre sot, që duan që të krishterët t’i kthejnë sytë tek “Rrënjët e judenjve” dhe të zbatojnë Ligjin e Moisiut.     

Të drejtët

Besimtarët në Krishtin Jezus, pavarësisht nëse janë judenj apo jo, janë rrethprerja e vërtetë, d.m.th. ata e kanë prerë veten prej mishit, në vend që ta presin mishin prej vetes! Është e qartë, pra, se Pali e ka fjalën tek rrethprerja shpirtërore. “Në fakt Jude nuk është ai që duket i tillë nga jashtë, dhe rrethprerja nuk është ajo që duket në mish; por Jude është ai që është i tillë përbrenda, dhe rrethprerja është ajo e zemrës, në frymë dhe jo në shkronjë; dhe për një Jude të tillë lavdërimi nuk buron nga njerëzit, por nga Perëndia” (Romakëve 2:28-29)… “Në të cilin ju edhe u rrethpretë me një rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e KrishtitKëtu nuk ka më Grek e Jud, rrethprerje dhe parrethprerje, Barbar e Skithas, shërbëtor e i lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë” (Kolosianëve 2:11, 3:11).

Për këtë arsye, adhurimi ynë nuk bazohet tek ritet apo ceremonitë e ndryshme, por është adhurim shpirtëror. “Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën” (Gjoni 4:24)… “Sepse u bletë me një çmim! Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë” (1 Korintasve 6:20. Le të mos e harrojmë faktin se për shekuj me rradhë, para se ligji të jepej prej Moisiut, besimi i Abrahamit ishte i mjaftueshëm për ta bërë atë të drejtë (Romakëve 4:9-10). Nuk është për t’u habitur, pra, që ne quhemi bij të Abrahamit dhe jo bij të Moisiut! Të krishterët e vërtetë nuk e bazojnë besimin e tyre tek ritet dhe ceremonitë fetare, pavarësisht sesa të shenjta mund të duken ato nga ana e jashtme. Besimi ynë qëndron tek puna e përfunduar e Krishtit në kryq e jo tek ligjet e paarritshme të Moisiut. “Sepse Ligji u dha nëpërmjet Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën nëpërmjet Jezu Krishtit” (Gjoni 1:17). Adhurimi ynë është i frymëzuar prej Frymës së Shenjtë e jo prej riteve dhe ceremonive, të cilat e kanë bazën tek Ligji. Drejtësia biblike i ka rrënjët thellë në zemër dhe në shpirt e jo tek rregullat e njërit apo tjetrit. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2).

Përfundim 

Është për të të ardhur keq që, disa prej atyre që praktikojnë fenë e judenjve, e quajnë veten të krishterë të klasit të parë, ndërkohë që të tjerët i konsiderojnë si njerëz, që nuk mund të arsyetojnë dot nga ana shpirtërore. Në këtë mënyrë, ata shkaktojnë përçarje nëpër kisha, ngaqë mendimet e tyre bien në kundërshtim me atë që thotë Bibla. Si farisenjtë, ashtu edhe njerëz të tillë e konsiderojnë veten më të drejtë sesa të tjerët. Le të gëzohemi me faktin se Jezusi na çliron vërtet plotësisht. “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë… Pra, nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë” (Gjoni 8:32, 36). Jemi një krijesë e re në Krishtin. “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17)… “Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re” (Galatasve 6:15). 

Mbrapa

Advertisements