Gimeli – Fjala ndriçuese

Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde. Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd. Unë jam i huaji mbi dhe; mos m ‘i fshih urdhërimet e tua. Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë. Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua. Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua. Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua. Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi” (Psalmi 119:17-24).

Parathënie

Bekimet e Perëndisë janë mbi ata, që i besojnë Atij aq shumë, saqë i binden fjalës së Tij. Ç’gjë e mrekullueshme është t’i lexosh në Bibël bekime të tilla! Pa dyshim që Perëndia kënaqet kur i ndan thesaret e Tij me ata që e duan dhe i shërbejnë.

Shpërblimi

Shprehja “bëji të mirë” i referohet bekimit të bollshëm apo shpërblimeve që Perëndia i jep secilit prej nesh. Është me rëndësi për t’u theksuar marrëdhënia që egziston mes bollëkut dhe domosdoshmërisë për t’i shërbyer Zotit. Perëndia vërtet që i shpërblen shërbëtorët e Tij. Zoti Jezus i quan shërbëtorët miq të Tij, por me një kusht. “Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj” (Gjoni 15:14). Nuk është për t’u habitur, pra, që Ai na jep bekimet e jetës së përjetshme. “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Çdo bekim që Perëndia sjell në jetën tonë, na jep fuqi për ta ruajtur të fortë përkushtimin tonë ndaj Tij. Por si do të mund t’i kuptonim bekime të tilla, po qe se Ai nuk na e ndriçon mendjen me fjalën e Tij? Fakti qëndron këtu: sa më shumë që e lexojmë, e studjojmë dhe i besojmë së vërtetës së Perëndisë, aq më e madhe ka për të qenë dëshira jonë për t’i sjellë Atij lavdi. Lexojmë, p.sh. rreth mrekullive të ndryshme që bëri Jezusi dhe mënyrës sesi ndërhyri Ai në jetën e njerëzve dhe, menjëherë, besimi na shtohet dhe zemra na thotë se Ai është akoma në gjendje të bëjë po të njëjtat mrekulli edhe për ne sot. Ata që nuk e vrasin mendjen për t’i hapur fletët e Biblës, nuk mund të presin dot prej Zotit bekime të tilla të mrekullueshme. “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t ‘i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14).

Zbulesa

Shumica e besimtarëve kujtojnë se mund t’i marrin automatikisht shpërblimet e Perëndisë, por në fakt, ashtu si edhe autori i këtij psalmi, ne duhet ta kërkojmë Zotin dhe t’i lutemi Atij që të na i hapë sytë tanë shpirtërorë. Për t’i parë vërtet mrekullitë e së vërtetës, na duhet që ta kuptojmë se gjithçka që na ofron kjo botë, as që nuk mund të krahasohet dot me mrekullitë e Zotit. Duhet ta shohim veten si të huaj në këtë botë mëkatare, e cila nuk ka ç’të na ofrojë. “Shumë të dashur, unë ju këshilloj, si të huaj dhe shtegtarë, të hiqni dorë nga lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit. Silluni mirë ndër johebrenjtë, që aty ku do t ‘ju paditin si keqbërës, të përlëvdojnë Perëndinë ditën e ardhjes së tij, për shkak të veprave tuaja të mira” (1 Pjetrit 2:11-12). Duhet të dëshirojmë që të dimë më shumë për Perëndinë dhe për fjalën e Tij, sesa për këtë botë. Këtu e kishte fjalën edhe autori i psalmit, kur iu lut Perëndisë që të mos ia fshihte fjalën, ngaqë e dinte se kishte më shumë nevojë për të sesa për bukën. “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë” (Mateu 4:4). Po ne, a do të dëshpëroheshim, po të na e hiqnin Biblën nga dora?

Qortimi

Autori i psalmit vazhdon të lutet për ata, që janë bërë armiq të Perëndisë. Le të mos e harrojmë faktin se armiqtë e së vërtetës mund të gjenden si në botë ashtu edhe brenda kishës. Tallen, i përqeshin dhe i vënë në lojë ata, që duan të jetojnë një jetë të drejtë. Janë mendjemëdhenj për vete, në një kohë që i quajnë besimtarët fanatikë. “Prandaj u duket çudi që ju nuk rendni me ta në po ato teprime shthurjeje dhe flasin keq për ju” (1 Pjetrit 4:4). Le të na tallin, se Perëndia gjithashtu një ditë ka për t’i tallur. Ai nuk ka për t’i qortuar ata, që i zbatojnë dhe që i duan urdhërimet e Tij. Ata, që na pengojnë në rrugën tonë me Krishtin, nuk na kundërvihen neve, por vetë Perëndisë. Mund të na persekutojë qeveria, mund të na fusë në burg, apo të na ndalojë së shpalluri të vërtetën, por kurrë nuk ka për të na e marrë besimin tonë tek Shpëtimtari. Shpata jonë është më e fuqishme sesa shpata e tyre. “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe” (Hebrenjve 2:12)… “Shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë” (Efesianëve 6:17). Kur Zoti një ditë të na thotë: “Të lumtë!”, kemi për t’i harruar fare tërë talljet dhe përbuzjet e jetës sonë tokësore (Mateu 25:21). 

Përfundim

Si shërbëtorë të Perëndisë që jemi, jemi thirrur për të medituar mbi fjalën e Tij dhe për ta vënë atë në praktikë në jetën tonë. Ata që na rrethojnë, mund të na e kthejnë kurrizin në kohë nevoje, por Perëndia na ka premtuar se do të jetë  me ne në çdo situatë. “Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata” (Psalmi 23:6)… “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5). Në këtë botë të errët, kemi një dritë që na e ndriçon rrugën dhe na udhëheq drejt Qiellit. Gjatë kësaj rruge, Perëndia na zbulon gjëra të mrekullueshme nga fjala e Tij. Ç’bekim me bollëk është ky! 

Mbrapa

Advertisements