Gjashtë Ditët e Krijimit

“Sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë” (Eksodi 20:11).

Parathënie   

Bibla nuk është një libër shkence, por Autori i saj është Mjeshtër Shkencëtar. Vetë Ai është përgjegjës për krijimin e gjithçkaje. Nga faktet që na paraqiten tek Zanafilla e shohim se universi nuk është produkt i një aksidenti evolucionar, por vepër e drejtpërdrejtë e Perëndisë. “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij” (Psalmi 19:1). Perëndia e përgatiti vetë lëndën materiale dhe i dha asaj lëvizje, me anë të fuqisë së Tij dhe sipas vullnetit të Tij. “Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen” (Hebrenjve 11:3). Puna krijuese e Perëndisë nuk zgjati për epoka të tëra me rradhë, por përkundrazi, gjithçka u krijua prej Tij vetëm brenda gjashtë ditëve 24-orëshe.

Java e Krijimit është shumë simetrike, d.m.th. pjesa e dytë e saj e plotëson më së miri pjesën e parë. P.sh. gjatë tre ditëve të para, Perëndia krijoi në fillim dritën, pastaj qiellin dhe detet, pastaj tokën e thatë. Kurse në tre ditët e tjera, Ai krijoi sunduesit e këtyre hapësirave, d.m.th. diellin, hënën dhe yjet (në ditën e katërt), zogjtë dhe peshqit (ditën e pestë) dhe kafshët dhe njeriun (ditën e gjashtë). E shohim, pra, se asgjë nuk ndodhi aksidentalisht, por Perëndia e pati një plan në mendje dhe këtë plan Ai e përfundoi brenda gjashtë ditëve.

Java e Krijimit

Puna e Perëndisë në krijimin e tokës dhe të gjithçkaje që ndodhet në të, u realizua brenda gjashtë ditëve të vërteta. Fjalët “mbrëmja dhe mëngjesi” përdoren për të përshkruar secilën prej ditëve të krijimit, e jo thjesht si metodë simbolike (Zanafilla 1:5, 8, 13, 19, 23, 31). Gjithashtu tek Zanafilla 2:2 lexojmë se si në “ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer”. Krijuesi, pra, ngaqë është i plotfuqishëm, qe në gjendje ta përfundonte një vepër kaq të mrekullueshme brenda një kohë kaq të shkurtër. “Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij” (Psalmi 33.6). Gjashtë ditët e Krijimit nuk mund të konsiderohen si gjashtë epoka miljona-vjeçare. Papa i Romës dhe shumë të tjerë si ai besojnë se tre kapitujt e parë të Zanafillës janë thjesht mitologji. Prej ideve të tilla, shumë njerëz janë larguar nga e vërteta biblike.

Tek Zanafilla, Bibla përdor fjalën ‘jom’, që në gjuhën hebraishte do të thotë ‘ditë’. Edhe pse kjo fjalë në vargje të tjera biblike ka gjithashtu kuptimin e fjalës ‘epokë’, prapëseprapë, përdorimi i fjalëve “mbrëmja dhe mëngjesi”, që i bashkangjiten fjalës ‘jom’, i japin asaj kuptimin e një dite normale diellore (24-orëshe). Këto fjalë vihen re në fund të çdo veprimi krijues të Perëndisë dhe së bashku me fjalët ‘dita e parë, dita e dytë, dita e tretë, etj’, mbështesin idenë e sapopërmendur më lart, d.m.th. çdo ditë e krijimit ishte 24-orëshe. Për më tepër, Moisiu, autori i Zanafillës, ishte një njeri me shkollë. “Kështu Moisiu u arsimua me gjithë diturinë e Egjiptasve dhe ishte i pushtetshëm në fjalë e në vepra” (Veprat e Apostujve 7:22). Prandaj ai e kuptonte mirë se ç’po kërkonte t’iu thoshte lexuesve të vet. Po të kishte dashur që ne t’i besonim teorisë së ditëve miljona-vjeçare, atëherë do të kishte përdorur fjalën ‘jamin’, e cila është shumësi i fjalës ‘jom’. Gjithashtu Moisiu mund të kishte përdorur fjalën ‘olam’, që do të thotë ‘epokë’, ose fjalën ‘dor’, që do të thotë ‘breza’. Përkundrazi, ai i formuloi fjalitë e tij në një mënyrë të atillë, për të na siguruar se Krijimi ishte një ngjarje e jo një proçes.

Adami dhe mëkati

Adami u krijua në ditën e gjashtë të Javës së Krijimit (Zanafilla 1:26-28). Kjo do të thotë se, ai së bashku me Evën, jetuan gjatë gjithë ditës së gjashtë dhe ditës së shtatë. Por kjo nuk do të ishte e vërtetë, nëse secila prej ditëve të Zanafillës 1 do të ishte miljona-vjeçare. Tek Zanafilla 5:5 na thuhet: “Kështu Adami jetoi gjithsej nëntëqind e tridhjetë vjet; pastaj vdiq”. A duhet të besojmë, vallë, se ditët e Adamit ishin periudha të gjata kohe? Jo. Prandaj, pra, as ditët e Krijimit nuk ishin periudha të gjata kohe. Ata që i besojnë si Perëndisë, ashtu edhe teorisë së evolucionit thonë se jeta dhe vdekja kanë egzistuar së bashku për miljona vite me rradhë, para se Adami (dikur një krijesë primitive që notonte në ujë) të kthehej në trajtë njerëzore. Por Bibla na thotë se njeriu i parë u krijua në ditën e gjashtë dhe shumë shpejt pas kësaj, ai mëkatoi dhe solli vdekjen në botë. “Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” (Romakëve 5:10). Mëkati solli si vdekjen shpirtërore, ashtu edhe atë fizike. Nuk kishte vdekje fare para Adamit. Kjo do të thotë se fosilet e kafshëve dhe të njerëzve i referohen Përmbytjes, që ndodhi në kohën e Noeut, jo kohës pri-historike të njeriut.

Tek Zanafilla 1:31 lexojmë: “Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë”. E si mund të përshkruhej toka si ‘shumë e mirë’, po qe se u themelua pas miljarda viteve plot vdekje? Vdekja erdhi pas mëkatit të Adamit. Po qe se bota nuk u krijua ashtu siç thotë Bibla, atëherë njeriu nuk mëkatoi dhe, nëse kjo është e vërtetë, atëherë nuk ka asnjë arsye pse Jezusi duhet të vdiste në kryq për të shpëtuar mëkatarët. “Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin” (1 Korintasve 15:21-22).  

Përfundim                    

Nëse ditët e Zanafillës 1 janë periudha kohe pa mbarim, atëherë ajo që na mëson Jezusi lidhur me Krijimin e botës, nuk ka kuptim fare. Tek Mateu 19:4, Ai thotë: “A nuk keni lexuar ju, se ai që i krijoi që në fillim, i krijoi mashkull dhe femër?” Nëse ndonjëhera prej ditëve të Javës së Krijimit do të ishte miljona-vjeçare, atëherë Adami dhe Eva nuk u krijuan në fillim. Por Jezusi përdor fjalët ‘që në fillim’, gjë që na tregon se Ai vetë i besonte asaj që thotë Bibla lidhur me Krijimin e botës, d.m.th. Ai besonte se ditët e Javës së Krijimit ishin ditë 24-orëshe. Po ta shtrembërojmë kuptimin e fjalëve të autorit të Zanafillës, ose po t’i konsiderojmë ato thjesht si fjalë simbolike, atëherë nuk bëjmë gjë tjetër veçse e kompromentojmë dhe e korruptojmë të vërtetën e Biblës. Ata që veprojnë kështu, janë fajtorë, ngaqë po i heqin ose po i shtojnë fjalës së Perëndisë. “Nuk do t’i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t’u hiqni asgjë, por zotohuni të zbatoni urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj, që unë ju porosis” (Ligji i Përtërirë 4:2)… “Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri, se nëse ndokush do t’i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër. Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t’i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër” (Zbulesa 22:18-19). A mund të jetë i krishterë ai që nuk beson tek Zanafilla, ashtu siç na përshkruhet në Bibël? Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë tek Eksodi 20:1-20 (në këtë pasazh ndodhet edhe vargu në hyrje të këtij studimi). A mund të jetë i krishterë ai që është vrasës, hajdut, apo ai që shkel kurorën? Kështu pra, Dhjetë Urdhërimet na thonë se ai që është pasues i Perëndisë, duhet të besojë tek Krijimi i botës (ashtu siç na përshkruhet në Bibël), sepse është e pamundur të jesh i krishterë dhe në të njëjtën kohë t’i besosh edhe teorisë së evolucionit. Ose i pranojmë, ose i mohojmë mësimet e Biblës lidhur me Krijimin. Ata që e hedhin poshtë fjalën e Perëndisë, pavarësisht se për çfarë mund të ketë lidhje ajo, nuk mund të kenë dot një marrëdhënie personale me Zotin Perëndi dhe Shpëtimtarin e njerëzimit.

Mbrapa