Gjashtë kushte për paqen shpirtërore (Pjesa 1)

“Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur. Bëj thirrje Evodisë, bëj thirrje gjithashtu Sintikës, të jenë të një mendje në Zotin. Të lutem edhe ty, shok i vërtetë, ndihmoji ato, që kanë luftuar me mua në ungjill, edhe me Klementin dhe me bashkëpunëtorët e mi të tjerë, emrat e të cilëve janë në librin e jetës. Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!” (Filipianëve 4:1-4).

Parathënie

Qëllimi i kësaj pjese të letrës drejtuar Filipianëve (4:1-9) është paqja e Perëndisë në jetën e besimtarit. Pali dëshironte me gjithë shpirt që filipianët të vazhdonin të qëndronin të fortë në Krishtin. Kjo do të ishte kurora e tij e lavdishme në Qiell. “Cila në fakt është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e lavdisë? A nuk jeni pikërisht ju, përpara Zotit tonë Jezu Krisht në ardhjen e tij? Ju jeni në fakt lavdia dhe gëzimi jonë” (1 Thesalonikasve 2:19-20). Pali na paraqet gjashtë kushte, të cilat janë të nevojshme për të patur paqe. Ai na ndihmon gjithashtu për ta kuptuar se si mund të ruhet një paqe e tillë.

Kushti 1: Qëndroni të fortë!

Pali i ka inkurajuar lexuesit e tij edhe më parë që të qëndrojnë të fortë (Filipianëve 1:27). Këtu ai e ka fjalën rreth unitetit dhe besnikërisë. Shprehja “qëndroni” vjen nga fjala greke “stekete” dhe përshkruan ushtarin që nuk pranon ta lërë postin e tij madje edhe në mes të betejës së ashpër. Për ne, një shprehje e tillë do të thotë se duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të fortë dhe ta mbrojmë të vërtetën me çdo kusht. Si në kohën e Palit, ashtu edhe sot, të shumtë janë ata që kanë dezertuar tek fetë e rreme dhe tek mësimet e tyre të gabuara dhe janë bërë, si pasojë, skllevër të këtyre riteve dhe zakoneve të mbrapshta. “Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë” (Galatasve 5:1). E shohim, pra, pse të qëndruarit fort është një nga kushtet e të paturit të paqes. “Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë” (1 Korintasve 16:13).

Kjo shprehje ka të bëjë gjithashtu edhe me idenë e këmbënguljes dhe vendosshmërisë në jetën e krishterë. Pavarësisht sesa i fortë apo inteligjent mund të jetë armiku i së vërtetës, ne nuk duhet të tërhiqemi aspak nga fjala e Perëndisë. Pa dyshim, nuk ia dalim dot armikut me forcat tona – na duhet fuqia e Frymës së Shenjtë, jo thjesht vullneti ynë. Duhet të vazhdojmë të jetojmë për Krishtin në të gjitha situatat e jetës, duke mos harruar se paqja e Tij është e vlefshme për ne gjatë gjithë kohës. “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim” (Filipianëve 4:6). Çdo mendim, çdo veprim dhe çdo fjalë duhet të na përputhet me fjalën e Perëndisë – përndryshe është e pamundur të qëndrosh i fortë! “Që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit” (2 Korintasve 10:5). Shkurtimisht, pra, duhet të tregohemi të ndërgjegjshëm me ato që na mëson Bibla. “Prandaj, vëllezër, qëndroni dhe mbani porositë që mësuat, me anë të fjalës ose me anë të letrës sonë” (2 Thesalonikasve 2:15).

Kushti 2: Uniteti

Evodia dhe Sintika ishin dy gra, ndoshta dy plaka në kishë, që zhvillonin takime të ndryshme në shtëpitë e tyre. Ka të ngjarë që ato të kenë qenë mes grave, që ishin mbledhur për t’u lutur “jashtë qytetit anës lumit” (Veprat e Apostujve 16:13) dhe, si të tilla, ka mundësi të kenë qenë të krishteret e para në Filipe. Pali në këto vargje duket sikur po i qorton për ndonjë rivalitet apo debat që mund të kenë patur me njëra-tjetrën. Sidoqë të ketë qenë puna, apostulli prapëseprapë i inkurajon ato që të pajtohen dhe të kenë paqe në Zotin. Ka mundësi që këto dy gra të kenë qenë fajtore për debatet e ndryshme në kishë, të cilat gati sa nuk po e shkatërronin unitetin e kishës së filipianëve. Perëndia prapëseprapë po i përdorte ato për mbretërinë e Tij, edhe pse po grindeshin! Gjatë gjithë historisë njerëzore, ka patur më shumë gra sesa burra nëpër kisha. Gratë kanë qenë gati për t’i qëndruar besnike Krishtit deri në fund. Një fakt i tillë është akoma më i jashtëzakonshëm kur mendojmë se Zoti Jezus kurrë nuk zgjodhi një grua për të qenë dishepulli i Tij!

Nuk e dimë me saktësi se kush është “shoku i vërtetë”, por ai duhet të ketë qenë një drejtues besnik i kishës dhe një njeri i respektuar prej të gjithëve. Ky plak i kishës kishte mençurinë e Frymës së Shenjtë për t’i pajtuar këto dy gra që po ziheshin. Mençuria e tij shpirtërore dhe këshilla e perëndishme ishin të nevojshme për pajtim. “Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti. Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit” (Galatasve 6:1-2). Kishte edhe të tjerë që mundoheshin me gjithë shpirt të sillnin paqe në kishë. Klementi ishte njëri prej tyre, një njeri të cilit mund t’i zihej besë për t’i drejtuar të tjerët në rrugën e drejtësisë. Secili prej tyre po punonte së bashku me Palin, për t’i zhdukur smirën dhe grindjet, me qëllim që paqja e Perëndisë të mbizotëronte në kishë. Pali përmend këtu “librin e jetës”, ngaqë Filipeu, ashtu si edhe shumë qytete të tjera romake të asaj kohe, kishte një libër, që përmbante emrat e të gjithë qytetarëve të tij të pasur dhe me pozitë. Perëndia i njihte, pra, të gjithë ata njerëz të panjohur, të cilët po punonin besnikërisht për hatër të ungjillit. “Kush fiton do të vishet me rroba të bardha dhe unë nuk do ta fshij emrin e tij nga libri i jetës, por do të rrëfej emrin e tij përpara Atit tim dhe para engjëjve të tij” (Zbulesa 3:5).

Kushti 3: Gëzohuni

Vargu 4 i këtij pasazhi, edhe pse më i shkurtri, është bërë burim i shumë predikimeve dhe fjalëve inkurajuese. Gjithmonë, në çdo situatë, duhet të gëzohemi në Zotin. Duhet të gëzohemi, ngaqë Krishti është me ne gjithmonë, në çdo situatë. “Sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis” (Hebrenjve 13:5)… “Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mateu 28:20).

E pse pushojmë së gëzuari në Zotin, kur ballafaqohemi me situata të këqija? Në krahasim me të tjerët, ne duhet të jemi të mbushur me adhurime dhe falenderime, pavarësisht nga problemet që mund të kemi. “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim. Zoti, Zoti, është forca ime; ai do t’i bëjë këmbët e mia si ato të durëve dhe do të më bëjë të ecë mbi lartësitë e mia” (Habakuku 3:17-19)… “Por gëzohuni, duke qenë pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni” (1 Pjetrit 4:13)… “Të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje” (Romakëve 12:12). Kemi pse të gëzohemi! “Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri; ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja” (Psalmi 103:1-5). Besimi na forcohet, kur sjellim ndërmend hirin, dashurinë, dhembshurinë dhe bekimet që na ka dhënë Perëndia në jetë.

Mos, vallë, Pali po na thotë se të gëzuarit në Zotin shërben si ilaç kundra grindjeve dhe smirës? Vërtet, të gëzohesh në Zotin do të thotë ta përqëndrosh vëmendjen tek Ai dhe t’i largosh nga mendja debatet dhe zënkat e parëndësishme. Të gëzuarit në Zotin i ndihmon besimtarët t’i afrohen edhe më shumë njëri-tjetrit në kishë. “Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time. Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen. Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij” (Psalmi 34:1-3). Le të jemi, pra, “gjithmonë të gëzuar” (1 Thesalonikasve 5:16).    

Përfundim                     

Fjalët “vëllezër të dashur”, “fort të dëshiruar” dhe “gëzimi dhe kurora ime” na tregojnë sesa shumë i donte Pali besimtarët filipianë. Donte që ata të ishin shembull për krishtërimin. Por ai gjithashtu i kushtonte rëndësi edhe problemeve me të cilat ballafaqoheshin ata si kishë. Qëndroni të fortë, kini unitet dhe gëzohuni – këto janë tre prej gjashtë kushteve që përmend Pali lidhur me paqen e Perëndisë në jetën tonë. E shohim, pra, sesa të rëndësishme janë këto kushte për mirëqënien e kishës. 

Mbrapa

Advertisements