Gjashtë kushte për paqen shpirtërore (Pjesa 2)

“Zemërbutësia juaj le të njihet nga të gjithë njerëzit; Zoti është afër. Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarësie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus” (Filipianëve 4:5-7).

Parathënie

Në këtë pjesë të dytë të studimit tonë mbi kushtet për paqen shpirtërore, do t’iu hedhim një sy dy temave: zemërbutësisë dhe lutjes. Mënyra se si sillemi në këtë botë ndikon për mirë ose për keq në jetën tonë shpirtërore. Ndaj, ashtu siç do ta shohim edhe më poshtë, zemërbutësia dhe lutja janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Kushti 4: Zemërbutësia

Zemërbutësia ka të bëjë me sjelljen tonë të durueshme ndaj të tjerëve. Të jesh zemërbutë do të thotë të mos mbash inat dhe, ashtu siç na thotë edhe Pali, një sjellje e tillë duhet vënë re nga të gjithë njerëzit, d.m.th. duhet të jemi zemërbutë me të gjithë njerëzit brenda dhe jashtë kishës. Nuk mund t’i shmangemi dot të shoqëruarit me ata që nuk janë besimtarë, por duhet të tregohemi të kujdesshëm, që t’i afrojmë ata tek Krishti, jo të imitojmë sjelljen e tyre. “Të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve” (Titit 3:2)… “Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën, dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij” (2 Timoteut 2:24-26).

Shprehja “Zoti është afër” do të thotë se Perëndia e shikon çdo veprim që bëjmë. Gjithashtu kjo shprehje i referohet edhe ardhjes së dytë të Krishtit dhe është e ngjashme me fjalën “maranatha” (1 Korintasve 16:22), që ka kuptimin: “Gjykatësi Zot po vjen shumë shpejt për t’i ndëshkuar të gjitha padrejtësitë”. “Jini të durueshëm edhe ju dhe forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit është afër. Mos u ankoni nga njeri tjetri, vëllezër, që të mos dënoheni; ja, gjykatësi është te dera” (Jakobi 5:8-9). Të gjithë besimtarët duhet të jetojnë në mënyrë të atillë, sikur ta prisnin Krishtin të vinte sot! Vetëm kështu ata do të silleshin në mënyrë të perëndishme ndaj të gjithëve. Pali, pra, na thotë se, ngaqë Krishti sheh dhe dëgjon gjithçka që themi e bëjmë, jetën duhet ta kemi të shenjtë dhe të drejtë. “Tashmë fundi i të gjithave u afrua; jini, pra, të përkorë dhe rrini zgjuar për t’iu kushtuar lutjeve” (1 Pjetrit 4:7). Si do të silleshim, vallë, po ta besonim vërtet se prania e Perëndisë është me ne? A do të flisnim, apo do të vepronim si mëkatarët, po ta shihnim vërtet me sytë tanë Jezusin, tek ecte me ne? Shumica e kishave të sotshme do të ndryshonin brenda natës, po qe se anëtarët e tyre do të adoptonin një mënyrë të tillë jetese! Shumë prej problemeve që kemi me të tjerët, do të zgjidheshin shpejt, po qe se do ta nderonim Krishtin, në vend që t’i përulnim të tjerët. A e shohim, pra, se si zemërbutësia është një nga kushtet për të patur paqe shpirtërore?   

Kushti 5: Lutja

Si mund ta kemi paqen e Perëndisë në zemër, nëse nuk lutemi?

Si të krishterë që jemi, themi se i besojmë Zotit, ndaj edhe nuk ka asnjë arsye pse të kemi frikë, apo të merakosemi tej mase për diçka, sepse të gjitha problemet duhet t’ia paraqesim Zotit në lutje dhe atëherë kemi për të gjetur paqe. Lutja është ilaçi më i mirë i merakut. Kohën që e kalojmë duke u merakosur, duhet ta kalojmë duke u lutur! “Dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju” (1 Pjetrit 5:7)… “Hidh mbi Zotin barrën tënde, dhe ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet” (Psalmi 55:22)… “Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen” (Fjalët e Urta 16:3)… “Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, për atë që do të hani ose do të pini, as për trupin tuaj, për atë që do të vishni. A nuk është vallë jeta më me vlerë se ushqimi dhe trupi më me vlerë se veshja?” (Mateu 6:25). Meraku sjell veç dështim, kurse lutja sjell fitore dhe paqe në zemër. Kur lutemi për problemet tona, dëshmojmë se e duam Zotin aq shumë, saqë jemi gati ta ndajmë me Të çdo merak. “Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri” (1 Gjonit 4:18). Meraku nuk na i largon dot problemet, që mund të na sjellë e nesërmja. Meraku na vjedh paqen e së sotshmes.

“Përgjërimi” është lutja që përqëndrohet tek një problem i veçantë dhe është i lidhur drejtpërsëdrejti me “kërkesat” për gjëra të caktuara. Duhet të lutemi për gjithçka, pavarësisht se sa e parëndësishme mund të na duket situata. Perëndia është i interesuar për çdo aspekt të jetës sonë, madje edhe për detajet më të vogla. “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet” (Mateu 7:7)… “Duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur” (Luka 18:1)… “Duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën” (Efesianëve 6:18).

Tek lutja përfshihet edhe “falenderimi”. A i jemi mirënjohës Zotit për gjithçka që bën për ne? Po t’i sillnim ndërmend vazhdimisht mrekullitë që Ai ka bërë për  ne, do ta inkurajonim edhe më shumë veten, ngaqë do ta dinim se Ai do të jetë me ne edhe në të ardhmen. “Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju” (1 Thesalonikasve 5:18)… “A vuan ndonjë nga ju? Le të lutet. A është i gëzuar ndokush? Le të këndojë psalme!” (Jakobi 5:13).

Përfundim                     

Të gjithë kemi nevojë për paqen, që na jep Perëndia. Ai dëshiron shumë, që ne ta kemi këtë paqe në zemër. “Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës!” (Kolosianëve 3:15). Në greqisht, fjala “paqe” (“eirene”) do të thotë “të jesh i lidhur me një nyje të pashkëputshme”. Pali, pra, në letrën drejtuar filipianëve, jo vetëm që na përshkruan sigurinë që kemi në Krishtin, por edhe na e tërheq vëmendjen tek uniteti që duhet të kemi si një trup i vetëm i Krishtit. “Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!”. Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë” (Romakëve 8:15-16)… “Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër” (2 Timoteut 2:22)… “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14).

Një paqe e tillë është e mundshme, vetëm atëherë kur “Princi i Paqes” banon tek ne (Isaia 9:6). “Dhe vetë Zoti i paqes ju dhëntë vazhdimisht paqe në çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë” (2 Thesalonikasve 3:16). Nëse Zoti është me ne, atëherë paqja e Tij, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do t’i ruajë zemrat dhe mendjet tona, ashtu siç e ruan muri i kalasë qytetin nga sulmi. Paqja e Perëndisë i ngjan rojtarit, që i del përpara çdo sulmi të armikut. Një paqe e tillë qëndron roje tek dera e zemrës dhe e mendjes sonë, duke e penguar merakun, apo zhgënjimin, që të na e vjedhë besimin. Armiku kërkon të na frikësojë, apo të na e shkatërrojë besimin, por paqja e Perëndisë na jep fuqi, që të jemi “më shumë se fitimtarë” (Romakëve 8:37). Vetë Perëndia na qëndron roje, si ushtar shembullor. Nuk është për t’u habitur, pra, që paqja e Tij ia tejkalon çdo lloj zgjuarsie, e megjithatë, kjo paqe është mëse e vërtetë dhe gati për të na u dhuruar prej Zotit. Një paqe e tillë është efikase, vetëm atëherë kur qëndrojmë “në Krishtin Jezus”. “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë” (Gjoni 14:27)… “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1)… “Mëndjes që pushon te ti, ti i ruan një paqe të përsosur, sepse kjo ka besim te ti” (Isaia 26:3).

Mbrapa

Advertisements