Gjashtë kushte për paqen shpirtërore (Pjesa 3)

“Së fundi, vëllezër, të gjitha gjërat që janë të vërteta, të gjitha gjërat që janë të ndershme, të gjitha gjërat që janë të drejta, të gjitha gjërat që janë të pastra, të gjitha gjërat që janë të dashura, të gjitha gjërat që janë me famë të mirë, nëse ka ndonjë virtyt dhe nëse ka ndonjë lëvdim, këto mendoni. Ato gjëra që keni mësuar, marrë dhe dëgjuar nga mua dhe patë në mua, i bëni, dhe Perëndia i paqes do të jetë me ju” (Filipianëve 4:8-9).

Parathënie

Nuk duhet ta lejojmë djallin, që të na ndalojë së menduari ashtu siç na mëson Perëndia. Në këtë studim, Pali na sugjeron gjashtë ideale të krishtera, të cilat përfaqësojnë bukurinë dhe paqen e Perëndisë në jetën tonë. Ideale të tilla largojnë prej nesh frikën, mëkatin dhe dyshimin. Pali na kërkon që ta përqëndrojmë vëmendjen tek idealet e mëposhtme:

1.     E vërteta

Çdo besimtar duhet të dëshirojë, së pari, që të jetë i mbushur plot e përplot me njohurinë e Perëndisë. Kjo arrihet duke e lexuar dhe duke e studjuar Biblën. “Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës” (2 Timoteut 2:15). Në momentin kur e pranojmë se fjala e Perëndisë “është e vërteta” (Gjoni 17:17), atëherë Fryma e Shenjtë na udhëheq “në çdo të vërtetë” (Gjoni 16:13). Dorën e Perëndisë e vëmë re kudo në natyrë (Psalmi 19), por natyra nuk është një burim aq i besueshëm njohurie, saç është Bibla, sepse vetëm fjala e Tij mund të na çlirojë prej iluzjoneve të botës. “Do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë të lirë… Pra, nëse Biri do t’ju bëjë të lirë, do të jeni me të vërtetë të lirë” (Gjoni 8:32, 36).

2.     Ndershmëria

Duhet t’i ngremë lart ato gjëra që ia vlejnë për t’u nderuar dhe për t’u lavdëruar. Gjëra të tilla janë të bazuara gjithmonë tek standartet e vërteta të drejtësisë dhe të shenjtërisë, jo tek standartet e ndryshueshme të botës. Gjithashtu, nëse bëjmë një veprim, që nuk kemi qejf që të tjerët të na shikojnë kur e bëjmë, atëherë ai veprim nuk është i ndershëm, por mëkatar. “Sepse kujdesemi të veprojmë mirë jo vetëm përpara Zotit, por edhe përpara njerëzve” (2 Korintasve 8:21)… “Silluni mirë ndër johebrenjtë, që aty ku do t’ju paditin si keqbërës, të përlëvdojnë Perëndinë ditën e ardhjes së tij, për shkak të veprave tuaja të mira” (1 Pjetrit 2:12). Besimtari gjithmonë duhet të jetë i ndershëm si me fjalë, ashtu edhe me vepra.

3.     Drejtësia

Drejtësia është themeli i krishtërimit të vërtetë, sepse të gjithë ata, që e duan Perëndinë, janë të drejtë në mendje dhe në zemër. “Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve” (Fjalët e Urta 2:20). E si mund të jetojmë një jetë të drejtë, nëse nuk ia përkushtojmë veten të bindurit ndaj vullnetit të Perëndisë? “Që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës” (Romakëve 8:4). Gjithashtu, nuk duhet ta neglizhojmë domosdoshmërinë për drejtësi dhe mëshirë ndaj të tjerëve. “O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?” (Mikaeu 6:8).

4.     Pastërtia

Ky ideal është komplet i kundërt me sjelljen imorale të botës. Nuk duhet të veprojmë si të tjerët, apo të flasim si ata, apo madje edhe të mendojmë si ata. “Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22). Nëse merremi me të njëjtat gjëra që merret edhe bota, atëherë shumë shpejt kemi për t’u bërë pis! Jezusi pret që, kur të vijë përsëri, ta gjejë të pastër kishën e Tij. “Që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme” (Efesianëve 5:27). Duhet ta mbajmë mendjen të pastër, jo të papastër. “Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër, por asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë; madje edhe mendja, edhe ndërgjegja e tyre janë të ndotura” (Titit 1:15). Mendjen e kemi të pastër, vetëm atëherë kur i vëmë pikësynim vetes, që të jemi të pastër, “siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:3).

5.     Dashuria

Kemi dashuri e zemërbutësi, atëherë kur bëjmë ato gjëra që e kënaqin Perëndinë. Një dashuri të tillë e kemi në zemër, atëherë kur duam t’i shërbejmë Zotit dhe të jemi në praninë e Tij. “Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive! Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë” (Psalmi 84:1-2). Të tjerët duhet të shohin dashurinë e Zotit nga mënyra sesi sillemi. Me pak fjalë, pra, të krishterët duhet të jenë njerëz të dashur.

6.     Fama e mirë

Të gjithë kemi qejf të dëgjojmë nganjëherë ndonjë thashethem, por në fakt, të marrurit me thashetheme është si kanceri, që na e grabit paqen e Perëndisë. Në më të shumtat e rasteve, thashethemet kanë të bëjnë me gjëra të këqija, ndaj edhe nuk janë të vërteta, të ndershme, të pastra, apo të dashura. Thashethemi ia shkatërron reputacjonin tjetrit, kurse “fama e mirë” ia rrit. Le të dëshmojnë mirë të tjerët për ne, ashtu siç dëshmuan edhe për Demetrin (3 Gjonit, vargu 12). Më në fund, fama jonë e mirë do të shfaqet hapur, kur të qëndrojmë me besim përpara fronit të Perëndisë. “Sepse me anë të saj të moçmit morën dëshmimin” (Hebrenjve 11:2).

Përfundim                     

Në fund të studimit, Pali shton fjalët “virtyt” dhe “lëvdim”, për të na treguar se i krishteri duhet t’i vërë pikësynim vetes, për të qenë i shkëlqyer nga ana shpirtërore dhe morale. “Që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit” (Filipianëve 1:10)… “Që nga fuqia e Perëndisë me anë të besimit jeni të ruajtur, për shpëtimin gati për t’u zbuluar në kohët e fundit. Për këtë gëzohuni, ndonëse, në qoftë se duhet, për pak kohë, tani duhet të trishtoheni nga prova të ndryshme, që prova e besimit tuaj, që është shumë më i çmuar nga ari që prishet, edhe pse provohet me zjarr, të dalë për lëvdim, nder e lavdi në zbulesën e Jezu Krishtit, të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme, duke arritur përmbushjen e besimit tuaj, shpëtimin e shpirtrave” (1 Pjetrit 1:5-9).

Pali na thotë, pra, që të mendojmë rreth këtyre gjërave, sepse kështu do të kemi stabilitet në jetën tonë të krishterë. “Sepse, ashtu si mendon në zemër të tij, ashtu është ai” (Fjalët e Urta 23:7)… “Që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit” (2 Korintasve 10:5). Në greqisht, fjala “mendoj” (‘logizesthe’) do të thotë “ të bësh llogari”, “të arsyetosh” si nga ana shpirtërore, ashtu edhe nga ajo llogjike. Kjo do të thotë se ne, të krishterët, duhet t’i marrim mirë parasysh virtyte të tilla, sepse, pa i patur ato në jetën tonë të përditshme, nuk mund të themi dot se jemi të krishterë. Nuk është keq, po të themi se duhet të mendojmë në mënyrë “pozitive”, por është edhe më mirë po të themi, siç na mëson Bibla, se duhet të mendojmë në mënyrë “të shenjtëruar”. “Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja! Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij” (Kolosianëve 3:16-17)… “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi. Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan. Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve. Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim” (Psalmi 1)… “Dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj” (Efesianëve 4:23)… “Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës” (Romakëve 8:5).

Së fundi, Pali na thotë se këto ideale duhet vënë në praktikë, nëse duam vërtet që të kemi në zemër paqen e Perëndisë. Ç’vlerë ka e vërteta, nëse nuk e vëmë në praktikë? “Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat” (Jakobi 4:17). Mendja e drejtë prodhon fryte të shenjta. Le t’i praktikojmë, pra, këto virtyte që na mëson Bibla.

Mbrapa

Advertisements