Gjetja e Perëndisë tek gjërat e zakonshme

Teksti i studimit: 2 Mbretërve 5:1-14

Parathënie   

Të gjithë duam që ta kemi jetën sa më të këndshme, sa më dramatike, sa më spektakolare. Kur jeta na duket monotone dhe e zakonshme, atëherë e konsiderojmë atë si të papërfillshme, apo të parëndësishme.

Naamani ishte leproz, por nuk do të ishte shëruar, nëse do të vazhdonte të kërkonte të shihte shenja e mrekulli të mahnitshme. Duhet të ketë qenë një luftëtar trim, që kishte marrë pjesë në shumë beteja spektakolare. Por e pa veten si njeriun më të ulët nga të gjithë, ngaqë kishte atë lloj sëmundjeje. Udhëtoi deri tek shtëpia e Eliseut në Izrael, për të parë një manifestim të madhërishëm të fuqisë së Perëndisë. Por, shumë shpejt, u zhdekurajua.

Spektakli

Naamani priste që të shihte diçka super-shpirtërore prej Eliseut dhe, për këtë qëllim, ai i dërgoi profetit dhurata të shtrenjta. Por kur arriti në Izrael, njeriu i Perëndisë as që nuk e mirëpriti fare. Përkundrazi, Naamanit iu dha urdhër, që të shkonte e të lahej shtatë herë në Lumin Jordan. Çfarë deziluzjonimi! Naamani u inatos dhe refuzoi që të lahej në një ujë të zakonshëm, sepse lumenjtë në Damask ishin të një cilësie edhe më të mirë. Donte të bënte diçka, që të binte shumë në sy, diçka spektakolare, e jo thjesht të zhytej në Jordan. Por, kur e këshilluan që të shkonte e të vepronte ashtu siç i kishte thënë Eliseu, atëherë ndodhi mrekullia.

Naamani po kërkonte të gjente përgjigje të jashtëzakonshme ndaj problemit të tij dhe, në fakt, edhe ne i ngjajmë shumë atij në këtë drejtim. I humbasim dhuratat dhe bekimet e Perëndisë, ngaqë duam të shohim dhe të përjetojmë gjëra dramatike dhe spektakolare. Duam të dëgjojmë fjalë të jashtëzakonshme prej Zotit, në vend që të dëgjojmë zërin e Frymës së Shenjtë tek lexojmë Biblën. Shpesh Perëndia vepron në jetën tonë në mënyra shumë të zakonshme, e megjithatë, ato mënyra janë shumë të fuqishme. “Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni” (Gjoni 4:48). Duke kërkuar gjënë spektakolare, mund të mos e ndjejmë sa duhet praninë e Perëndisë në jetën tonë të përditshme. Jezusi i gjykoi njerëzit e kohës së Tij, për shkak se ata e nënvlerësonin të zakonshmen. “Çfarë keni dalë të shikoni në shkretëtirë? Kallamin që e tund era? Por çfarë keni dalë të shikoni? Njeriun e mbështjellur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të buta banojnë në pallatet mbretërore. Atëherë, pra, ç’dolët të shikoni? Një profet? Po, ju them: ai është më shumë se një profet. Sepse ky është ai për të cilin është shkruar: “Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate; ai do ta bëjë gati rrugën tënde para teje”. Në të vërtetë po ju them: ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori” (Mateu 11:7-11).

Egoist

Naamanit nuk i shkuan për shtat fjalët e Eliseut. Ai kishte idetë e veta. U inatos dhe zuri të kthehej mbrapsht, ngaqë e konsideroi veten të ofenduar. Pa dyshim, kujtoi se, si njeri i pasur që ishte, e meritonte të nderohej prej profetit. Shërbëtori i vet u tregua më i matur, sesa komandanti egoist sirian. Naamani, me mendjemadhësinë e tij, iu bë vetë pengesë vetes.

Edhe ne duhet të tregohemi të matur. Në një farë mënyre, kjo do të thotë se duhet ta pranojmë faktin se Perëndia di më shumë sesa ne. Ai e di se si të na i japë bekimet më të mëdha. Shpesh këto bekime vijnë si rezultat i vështirësive, apo vuajtjeje të ndryshme. Jemi ekspertë, kur vjen puna për ta penguar Zotin, kur Ai kërkon të veprojë në jetën tonë. Sapo fillojmë të kërkojmë që të jemi të famshëm, apo të respektuar prej të gjithëve, atëherë Perëndia e tërheq dorën e Tij prej nesh, derisa të na vijnë mendtë. “Sepse kushdo që e larton veten do të poshterohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartohet” (Luka 14:11). Duhet ta lejojmë Atë, që të na drejtojë madje edhe drejt anonimitetit (d.m.th. kur s’na njeh askush), në mënyrë që vetëm Ai (e askush tjetër) të arrijë ta shikojë punën që bëjmë dhe përkushtimin që tregojmë ndaj Tij. Nëse duam lavdërimin dhe adhurimin e të tjerëve, atëherë kurrë nuk do të marrim gjë prej Zotit. “Sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë” (Gjoni 12:43). 

Faltoret

Naamani kujtoi se Perëndia vepronte vetëm në mënyrë spektakolare, apo se Ai mund të adhurohej vetëm në vende të mahnitshme. Ndoshta dy lumenjtë e Damaskut konsideroheshin si vende të shenjta për popullin sirian, vende pelegrinazhi, në të cilat festoheshin festat fetare. Atij nuk iu duk shumë i shenjtë lumi i zakonshëm i Jordanit. Por fakti është se një vend mund të jetë i shenjtë, vetëm nëse prania e Perëndisë ndodhet aty.

Të krishterët udhëtojnë lart e poshtë, për të parë se ku lindi Uesli, apo se ku e gozhdoi Luteri tezën e tij, apo se ku e predikoi Spërxhëni mesazhin e tij të fundit. Disa shkojnë në Izrael, për të ecur në gjurmët e Jezusit, apo për të vizituar vendet ku predikoi Pali. Por Perëndinë s’kanë për ta gjetur në vende të tilla, të cilat mund të konsiderohen si vende të jashtëzakonshme, por në të vërtetë, nuk janë as të jashtëzakonshme, as nuk ta ndryshojnë jetën. Perëndia mund të kishte përdorur këdo lloj ferrishtjeje e ta kishte bërë të digjej nga zjarri, por të mos konsumohej, për hir të lavdisë së Tij. E megjithatë, Ai nuk priste që Moisiu të shkonte e ta vizitonte çdo vit atë ferrishte, prej së cilës i foli Zoti. ““Dil dhe ndalu mbi malin përpara Zotit. Dhe ja, po kalonte Zoti. Një erë e fortë dhe e furishme çante malet dhe thyente shkëmbinjtë përpara Zotit, por Zoti nuk ishte në erë. Mbas erës ra një tërmet, por Zoti nuk ishte në tërmet. Mbas tërmetit ra një zjarr, por Zoti nuk ishte në zjarr. Mbas zjarrit u dëgjua një zë, si një shushuritje e ëmbël” (1 Mbretërve 19:11-12).

Përfundim                      

Ajo që duhej të bënte Naamani ishte punë e lehtë, madje edhe disi monotone. E megjithatë, Perëndia e preku me këtë lloj urdhërimi të zakonshëm. Jetojmë në një epokë, kur gjithçka duhet të jetë super e madhe, ekstravagante dhe shumë e shndrritshme. Edhe kishat janë bërë pre e ideve të tilla, ngaqë pastorët kujtojnë se njerëzit kanë për të ardhur tek Krishti, kur dëgjojnë ngjarje dramatike. Thuhet madje se edhe godinat e kishave duhet të jenë tepër të mëdha, me qëllim që të vihen në dukje prej të gjithëve. Por, në mes të gjithë kësaj ujdie, Perëndia është harruar fare. Duhet ta kuptojmë se gjërat më të rëndësishme në jetë gjenden tek ato më të zakonshmet.

Mes nesh, Perëndia mund të veprojë edhe në mënyra spektakolare, por, po nuk e pamë Atë tek rutina e jetës së përditshme, kemi për ta humbur bekimin. Sepse vetëm në këtë mënyrë, e zakonshmja kthehet në të jashtëzakonshmen. Përveç mrekullive të dukshme e spektakolare, Perëndinë e shohim të punojë edhe në jetën e njerëzve të zakonshëm, të cilët bëjnë gjëra të zakonshme. “Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë, por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë, që asnjë mish të mos mburret përpara tij” (1 Korintasve 1:26-29). Me bukën dhe peshqit e zakonshëm Jezusi bëri gjëra të jashtëzakonshme. Por vini re se e zakonshmja ishte kryesorja. Le të fillojmë ta shohim të jashtëzakonshmen tek gjërat e zakonshme. Atëherë jeta jonë ka për të ndryshuar në mënyrë dramatike.

Mbrapa

Advertisements