Gjigandët e mëdhenj

“Filistejtë i shpallën përsëri luftë Izraelit dhe Davidi zbriti me gjithë shërbëtorët e tij për të luftuar kundër Filistejve; dhe Davidi u lodh; Ishbi-Benobi, një nga pasardhësit e gjigantëve që kishte një shtizë që peshonte treqind sikla bronzi dhe mbante në brez një shpatë të re, kishte ndër mend të vriste Davidin; por Abishai, bir i Tserujahut, shkoi në ndihmë të mbretit, goditi Filisteun dhe e vrau. Atëherë njerëzit e Davidit u betuan: “Ti nuk do të dalësh më me ne për të luftuar dhe nuk do ta shuash llambën e Izraelit”. Pas kësaj u bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; atëherë Hushathiti Sibekai vrau Safin, një nga pasardhësit e gjigantëve. U bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; dhe Elhanani, bir i Jaare-Oregimit nga Betlemi, vrau vëllanë e Goliathit nga Gathi; shkopi i shtizës së tij ishte shuli i vegjës së endësit. U bë një betejë tjetër në Gath, ku ishte një njeri me shtat të lartë, i cili kishte gjashtë gishtërinj në çdo dorë dhe gjashtë gishtërinj në çdo këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve. Ai e fyu Izraelin, por Jonathani, bir i Shimeahut, vëlla i Davidit, e vrau. Këta të katër ishin pasardhësit e gjigantëve në Gath. Ata u vranë nga dora e Davidit dhe e shërbëtorëve të tij” (2 Samuelit 21:15-22).

Parathënie

Siç e pamë edhe në studimin e kaluar, komentatorë të ndryshëm të Biblës na sugjerojnë se ky pasazh biblik nuk është i rradhitur në mënyrë kronologjike, por ka mundësi t’i përkasë periudhës së kohës, kur Davidi ishte më i ri në moshë. Teksti i studimit tonë ka të bëjë me tre beteja të caktuara kundër filistenjve. Nuk e dimë me saktësi, pra, se kur u zhvilluan këto ngjarje. Është e mundur që këto beteja të jenë kryer gjithashtu edhe në fillim të sundimit të Davidit si mbret. Tek 1 Kronikave 20, këto beteja janë të rradhitura pas marrjes së qytetit të Rabahut prej Amonitëve (shiko 2 Samuelit 10). Autori Mateo Henri na sugjeron se “këto ngjarje duhet të kenë ndodhur nga fundi i jetës së Davidit”.

Lodhja

Vargu në hyrje të studimit na tregon se Davidi u lodh shumë gjatë betejës me filistenjtë, një fakt ky, që u vu shpejt në dukje prej armiqve, të cilët donin ta shfrytëzonin këtë rast për ta vrarë mbretin. “Davidi u lodh, por nuk u tërhoq nga fusha e betejës, ndaj edhe Perëndia i solli ndihmë në kohë rreziku” (Mateo Henri). Gjigandi Ishbi-Benobi e pa që Davidi ishte i lodhur dhe do ta kishte vrarë, po të mos kishte qenë Abishai, i cili u tregua i shkathët, guximtar dhe mendjemprehtë. Mos, vallë, Davidit i kishte hyrë frika në zemër, tek po ballafaqohej me këtë Goliath të ri? Ushtarët e Davidit e panë se lodhja e mbretit nuk ishte gjë e mirë, ndaj edhe i kërkuan që të largohej prej fushës së betejës. Historjani hebre, Jozefus na sugjeron se Davidi ishte i lodhur, ngaqë i kishte ndjekur filistenjtë këmba-këmbës. Ushtarët e tij e panë se “drita e Izraelit” dalëngadalë po shuhej, ndaj edhe nuk donin që ajo të fikej fare. Duke i dhënë Davidit titullin “llamba e Izraelit”, ushtarët po e pranonin faktin se ai ishte udhëheqësi i vërtetë i popullit. “Davidi na konsiderohet këtu si llamba, që udhëhiqte tërë Izraelin dhe pa të cilën i gjithë kombi do të binte në errësirë. Llamba është simbol udhëheqjeje dhe mbështetjeje” (Adam Klark). “Tërë lavdia dhe pasuria e kombit varej tek jeta e gjykatësit të perëndishëm” (Bibla Studimore e Gjenevës). Kishin kaluar rreth 45 vjet, që nga koha, kur Davidi kishte vrarë Goliathin. Por, edhe pse egzistonin akoma gjigandë, ata nuk u përpoqën për t’iu kundërvënë Davidit gjatë gjithë asaj kohe. Ndoshta ata e kishin marrë vesh tani se Davidi ishte i plakur e i lodhur dhe e konsideronin këtë moment si kohë të përshtatshme për t’u hakmarrë.

Eliminimi

A duhej medoemos që Davidi të ishte i pranishëm në fushën e betejës, me qëllim që Izraeli të korrte fitore kundra filistenjve? Siç e shohim prej këtij pasazhi, përgjigja është “jo”. Gjigandët e filistenjve ishin pasardhës të Nefilimëve, të cilët ishin banorë të tokës para përmbytjes, prej të cilëve doli një racë gjigandësh me përmasa të jashtëzakonshme, njerëz të lashtë e të famshëm (Zanafilla 6:4, Juda, vargu 6). Të gjithë këta gjigandë ka mundësi të kenë qenë pasardhës të bijve të Anakut të tmerrshëm. Na përmenden këtu disa gjigandë dhe secili prej tyre vritet prej ushtarëve të Davidit. Filistenjtë, pra, i kishin varur shpresat tek gjigandët e tyre, por sa herë që një gjigand dilte në fushën e betejës, ai eliminohej menjëherë prej izraelitëve. Filistenjtë ishin armiq kokëfortë, që nuk hiqnin dorë kollaj. Sapo kujtonin se kishin një hero të denjë për ta mundur Izraelin, nuk hezitonin të shpallnin luftë kundra popullit të Perëndisë. Gjigandi i Gathit na përmendet i fundit, për shkak të gjatësisë dhe deformimeve trupore të tij. Ashtu si Goliathi, edhe atë e kishin dërguar për ta frikësuar Izraelin, por Perëndia përsëri iu dha izraelitëve fitore kundra gjigandëve të mëdhenj të filistenjve. Është për t’u theksuar fakti se pas këtyre ngjarjeve, gjigandët nuk i shikojmë më të përmendur në Bibël. Gjithashtu, as Davidin nuk e shohim më të përmendur si udhëheqës në fushën e betejës, gjë që na vërteton se këto ngjarje duhet të kenë ndodhur nga fundi i jetës së tij.    

Përfundim

Në këtë pasazh biblik shohim të përmendur emrat e ca njerëzve të famshëm, të cilët vranë gjigandë. Këta emra i shohim të përmendur edhe tek libri i parë i Kronikave. Na duhet vërtet një kohë e gjatë, për ta studjuar me hollësi heroizmin e këtyre burrave. Ka mundësi që Davidi i zgjodhi ata si ushtarë të tij, ngaqë ishin trima dhe besnikë, gati për të luftuar për mbretërinë e Izraelit. Ky pasazh biblik na mëson se Perëndia e mbrojti Davidin, në një kohë rreziku të madh, kur ai po ballafaqohej me armiq shumë të fuqishëm. Edhe ne, ashtu si Davidi, mund të deklarojmë: “Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?” (Psalmi 118:6).

Mbrapa

Advertisements