Guximi i Bathshebës

“Atëherë Nathani i foli Bath-Shebës, nënës së Salomonit, dhe i tha: “Nuk ke dëgjuar që Adonijahu, bir i Hagithit, është bërë mbret, dhe Davidi, zotëria ynë, nuk e di aspak? Prandaj më lejo të të jap një këshillë, që të shpëtosh jetën tënde dhe atë të birit tënd, Salomonit. Shko, hyr te mbreti David dhe i thuaj: “O mbret, o imzot, a nuk i je betuar vallë shërbëtores sate duke thënë: Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim? Pse, pra, u bë mbret Adonijahu?”. Pastaj, ndërsa ti do të jesh akoma duke folur me mbretin, unë do të hyj pas teje dhe do të mbështes fjalët e tua”. Kështu Bath-Sheba hyri në dhomën e mbretit. (Mbreti ishte shumë plak dhe shërbehej nga Shunamitja, Abishagai). Bath-Sheba u përul dhe ra përmbys përpara mbretit. Mbreti i tha: “Çfarë do?”. Ajo iu përgjigj: “O imzot, ti i je betuar shërbëtores sate në emër të Zotit, Perëndisë tënd, duke thënë: “Biri yt Salomoni ka për të mbretëruar pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim”. Tani përkundrazi Adonijahu është bërë mbret dhe ti, o mbret, o imzot as nuk e di fare. Ai ka flijuar një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh; ka ftuar tërë bijat e mbretit, priftin Abiathar dhe Joabin, komandantin e ushtrisë, por nuk ka ftuar Salomonin, shërbëtorin tënd. Tani sytë e tërë Izraelit janë kthyer nga ti o mbret, o imzot, që ti t’u tregosh atyre kush do të ulet në fronin e mbretit, zotit tim, mbas tij. Përndryshe ka për të ndodhur që kur mbreti, zotëria ime, do të flerë me gjithë etërit e tij, unë dhe biri im Salomon do të trajtohemi si fajtorë”. Ndërsa ajo fliste akoma me mbretin, arriti profeti Nathan. Atëherë ia njoftuan mbretit ngjarjen, duke thënë: “Ja profeti Nathan!”. Ky hyri në prani të mbretit dhe u shtri para tij me fytyrën për tokë. Nathani tha: “O mbret, o imzot, ndofta ke thënë: “Adonijahu do të mbretërojë pas meje dhe do të ulet mbi fronin tim”? Në fakt sot ai zbriti dhe flijoi një numër të madh qesh, viçash të majmë dhe delesh, ftoi tërë bijtë e mbretit, krerët e ushtrisë dhe priftin Abiathar; dhe ja tani ata po hanë e pinë përpara tij dhe thonë: “Rroftë mbreti Adonijah”. Por ai nuk më ka ftuar mua, shërbëtorin tënd, as priftin Tsadok, as Benajahun, birin e Jehojadit, as Salomonin, shërbëtorin tënd. Kjo, a u bë pikërisht nga mbreti, zoti im, pa i njoftuar shërbëtorit tënd kush do të ulet në fronin e mbretit, të zotit tim, mbas tij?” (1 Mbretërve 1:11-27).

Parathënie

Profeti Nathan e kuptoi se i duhej ta merrte vetë nën kontroll situatën, para se të shpërthente një luftë tjetër civile kombëtare. Nuk e dimë pse nuk shkoi vetë direkt tek mbreti. Sidoqoftë, këshilla që i dha Bath-Shebës, solli rezultatin e duhur.

Këshilla

Nathani i dha Bath-Shebës lajmin, lidhur me atë që kishte bërë Adonijahu dhe e këshilloi që të vepronte me shpejtësi të madhe, me qëllim që t’ia garantonte fronin mbretëror të birit, Salomonit, trashëgimtarit të ligjshëm. E paralajmëroi atë gjithashtu, duke i thënë se jeta e saj dhe e Salomonit do të vihej në rrezik, po qe se Adonijahu do të lejohej të vazhdonte në atë rrugë, që kishte nisur. Bath-Sheba nuk mund të priste derisa Davidi ta merrte vesh se ç’po ndodhte prej të tjerëve, sepse atëherë mund të ishte tepër vonë për ta zgjidhur problemin. Ka të ngjarë që Nathani e përdori me qëllim shprehjen “bir i Hagithit”, që ta nxiste Bath-Shebën si nënë që ishte, që të bënte të pamundurën për të birin.

Nathani i mençur i tha Bath-Shebës fjalë për fjalë se ç’t’i thoshte Davidit, duke i premtuar se, ndërsa ajo do ta informonte mbretin lidhur me mëkatin e Adonijahut, edhe ai do të shkonte vetë tek mbreti e do të binte dakort me Bath-Shebën, duke e bërë Davidin që të merrte masa të shpejta. Ndërkohë, Adonijahu mezi priste të merrte ndonjë lajm lidhur me vdekjen e Davidit.

Lutja

Bath-Sheba shkoi tek Davidi, ashtu siç i tha Nathani. Kjo histori i përngjan sadopak asaj të Esterit, e cila i shpëtoi judenjtë prej Hamanit të ligë, sipas këshillës së xhaxhait të saj, Mardokeut. Bath-Sheba i solli ndërmend të shoqit premtimin që ai kishte bërë dikur, lidhur me Salomonin si mbret të ardhshëm. Pastaj i dha lajmin, lidhur me Adonijahun, që e kishte marrë me forcë fronin mbretëror dhe kishte shtruar gosti për ta festuar një ngjarje të tillë. Bath-Sheba i shpjegoi mirë Davidit se Adonijahu po thurte plane pas shpinës së mbretit, duke menduar se i ati ishte i dobët fizikisht dhe nuk mund ta ndalonte dot. I tha gjithashtu se ajo dhe Salomoni nuk ishin ftuar në gosti, gjë që vërtetonte se Adonijahu po thurte plane të liga kundra tyre.

Plot guxim, Bath-Sheba i tha Davidit që ta deklaronte hapur se kush do të ishte mbreti i ardhshëm. Kjo ishte një detyrë, të cilën ai e kishte lënë pas dore, ndaj edhe po ndodhnin këto probleme tani. Ai vërtet që ishte në pragun e vdekjes, por, duke e vonuar një deklarim të tillë mbretëror, ai po ia vinte jetën në rrezik tërë familjes së tij. Bath-sheba e kishte kuptuar (ndoshta pasi kishte folur edhe me Nathanin) se Adonijahun nuk do ta vriste ndërgjegja po t’i vriste të gjithë ata, që nuk do të binin dakort me të, kur të bëhej mbret. 

Nathani priti derisa Bath-Sheba e mbaroi lutjen e saj ndaj Davidit, pastaj hyri vetë në dhomë. Pa i lënë, pra, fare kohë mbretit për t’u menduar, profeti e përforcoi atë që i kishte thënë atij Bath-Sheba. E pyeti se pse nuk e kishin informuar, si profet që ishte, se kush do të bëhej mbreti i ardhshëm. I tha se jeta e shumë vetave ishte në rrezik, nëse mbreti nuk do të vepronte me shpejtësi të madhe për ta ndaluar menjëherë Adonijahun. Le të mos e harrojmë faktin se ishte Nathani ai, që dikur i kishte transmetuar Davidit fjalën e Perëndisë lidhur me mbretin e ardhshëm (2 Samuelit 7:1-17).

Përfundim   

Problemi qëndronte këtu: as Davidi, as Adonijahu, as prifti Abiathar nuk po vepronin sipas vullnetit të Perëndisë. U desh një njeri i vërtetë i Perëndisë, që ta merrte në dorë situatën, për ta ndihmuar Davidin ta kuptonte përsëri fjalën e Perëndisë. Problemi u zgjidh, sapo u prezantua fjala e Zotit. “Njerëzit e mirë veprojnë ashtu siç duhet, kur shtyhen prej dikujt, apo kur iu thuhet se sa e rëndësishme është gjendja në të cilën ndodhen. Ata që bëhen ‘shtyes’ të tillë, kryejnë një mirësi të madhe, ashtu siç veproi edhe Nathani ndaj Davidit.

Mbrapa

Advertisements