Hakmarrja

“Ky është një dëftim i gjyqit të drejtë të Perëndisë, që ju të çmoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë për të cilën edhe vuani, sepse është e drejtë, nga ana e Perëndisë, t’u jepet mundim atyre që po ju mundojnë” (2 Thesalonikasve 1:5-6).

Parathënie

Askush nuk ka qejf që të persekutohet, apo të vuajë për kauzën e Krishtit. A do t’i dukej e drejtë Zotit, po qe se ne hakmerremi kundër armiqve tanë? Në vargjet e mësipërme, Pali trajton tundimin e hakmarrjes ndaj atyre, që na ofendojnë.

Dëftimi

Në komentimin që i bën këtij vargu, Dhiata e Re e Popullit thotë kështu: “Vuajtjet tuaja janë provë e gjyqit që po afron. Të ligët nuk po marrin atë që meritojnë, kurse të drejtët po vuajnë. Prandaj, pra, gjyqi duhet që të vijë sa më parë, sepse Perëndia është i drejtë”.

Një persekutim i tillë vërtetonte faktin se besimtarët thesalonikas ishin vërtet të shpëtuar dhe të sigurtë në Krishtin. Nuk e kishin braktisur besimin dhe dashurinë e tyre ndaj Zotit, pavarësisht se po vuanin. Persekutimi (ose vuajtja) është një test i mirë, për të vërtetuar nëse një njeri beson vërtet në Krishtin: “Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s’kishte një tokë të thellë. Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha… Po ashtu ata që e marrin farën mbi një gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim; por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë” (Marku 4:5-6, 16-17). Pali e dinte se besimi dhe dashuria e fortë e thesalonikasve vërtetonte faktin se ata ishin me të vërtetë besnikë. Mateo Henri ka thënë: “Feja, që të ketë vlerë, duhet që të vlejë mbi gjithçka. Atyre që nuk kanë fe, apo që nuk ia dinë vlerën asaj, nuk iua bën zemra që të vuajnë për të”.

Thesalonikasit ishin të krishterë të vërtetë dhe, ngaqë Perëndia i mban premtimet e Tij, ata do të hynin një ditë në Mbretërinë e Tij si shërbëtorë “të mirë dhe besnikë” të Krishtit (Mateu 25:23). Durimi që treguan ata në vuajtje, vërtetoi se ata ishin nga natyra si vetë Krishti.

Perëndia është i drejtë

Ngaqë Perëndia është i drejtë, Ai do t’i gjykojë Vetë ata, që i persekutojnë dhe i ofendojnë njerëzit. Shpeshherë, na duket sikur Perëndia nuk na del në mbrojtje, kur na ofendojnë armiqtë, por, ashtu si Davidi tek Psalmi 73, edhe ne duhet t’i shohim gjërat me sytë e Perëndisë. Do të vijë dita, kur Ai do të derdhë gjykimin e Tij mbi ata, që e urrejnë Kishën e Krishtit: “Ti je i drejtë, o Zot, si mund të diskutoj me ty? Megjithatë do të flas me ty lidhur me gjykimet e tua. Pse udha e të pabesëve shkon mbarë? Pse jetojnë të qetë ata që veprojnë me pabesi?” (Jeremia 12:1). Ata që na persekutojnë, kanë për të patur një fund të tmerrshëm, po qe se nuk pendohen: “Gjë e tmerrshme është të bjerë njeriu në duart e Perëndisë së gjallë” (Hebrenjve 10:31)… “Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vënd për ata. Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre. Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta. Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë. Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit” (Zbulesa 20:11-15).

Duhet t’i nxjerrim mësim vetes, me qëllim që t’a lëmë hakmarrjen në duart e Zotit, sepse, përndryshe, bëhemi njëlloj si edhe ata që na persekutojnë. “Mos thuaj: “Do t’i përgjigjem së keqes me të keqen”; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë” (Fjalët e Urta 20:22). Gjatë gjithë historisë njerëzore, ka patur grupe të ndryshme kishtare, që janë kthyer në grupe militante kundra botës dhe kanë përhapur urrejtje, në vend që të përhapnin besim e dashuri. Nuk na është dhënë neve e drejta për t’u hakmarrë kundër armiqve tanë. “Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve. Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit. Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti”. “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur”. Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën” (Romakëve 12:17-21).

Përfundim

Nuk është gjë e jashtëzakonshme, që kisha e vërtetë e Krishtit të vuajë për hatër të emrit të Tij. Persekutimi, në vend që ta mposhtë kishën, e forcon atë, duke e bërë më të vendosur për t’i shërbyer Zotit: “Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë” (2 Korintasve 12:9)… “Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën” (Romakëve 5:3-4)… “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). E megjithatë, është e rëndësishme që ta theksojmë faktin se vuajtja nuk është çelësi, që na hap dyert e Mbretërisë së Perëndisë; përkundrazi, është besimi i vërtetë në Jezus Krishtin, që duron deri në fund: “Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë” (Mateu 10:22).

Mbrapa

Advertisements