Harpisti i talentuar

“Fryma e Zotit ishte larguar nga Sauli dhe një frym i keq e terrorizonte nga ana e Zotit. Shërbëtorët e Saulit i thanë “Ja, një frym i keq të shqetëson nga ana e Perëndisë. Zoti ynë të urdhërojë, pra, që shërbëtorët e tu që rrinë përpara teje të gjejnë një njeri që i bie mirë harpës; kur pastaj fryma e keq nga ana e Perëndisë do të të zotërojë, ai do t’i bjerë harpës dhe ti do ta ndjesh veten mirë”. Sauli u tha shërbëtorëve të tij: “Më gjeni një njeri që i bie mirë dhe ma sillni”. Atëherë një nga shërbëtorët filloi të thotë: Ja, unë pashë një nga bijtë e Isait, Betlemitit, që i bie mirë dhe që është një njeri i fortë dhe trim, i shkathët në luftim, gojëtar i hijshëm; dhe Zoti është me të”. Sauli, pra, i dërgoi lajmëtarë Isait për t’i thënë: “Më dërgo birin tënd Davidin, që është me kopenë”. Atëherë Isai mori një gomar të ngarkuar me bukë, një calik me verë, një kec dhe ia dërgoi Saulit me anë të Davidit, birit të tij. Davidi arriti te Sauli dhe hyri në shërbim të tij; Saulit i hyri në zemër dhe e bëri shqyrtar të tij. Sauli dërgoi pastaj t’i thonë Isait: “Të lutem, lëre Davidin në shërbimin tim, sepse ai gëzon hirin tim”. Kur fryma e keq nga ana e Perëndisë sundonte mbi Saulin, Davidi merrte harpën dhe i binte; atëherë Sauli e ndjente veten të qetësuar dhe më mirë dhe fryma e keqe largohej prej tij” (1 Samuelit 16:14-23).

Parathënie

Perëndia e kishte bërë plan ta vinte Davidin në fronin mbretëror. Ky plan i Perëndisë filloi të bëhej realitet shumë kohë më përpara, sesa Davidi të shkelte këmbë në pallatin e Saulit e të bëhej muzikanti i tij personal. Nga pamja e jashtme, nuk ishte aspak e mundur që një djalë bari të mund të hynte në pallatin e mbretit. “Por për Perëndinë çdo gjë është e mundur” (Mateu 19:26).

Fryma e keqe

Në fund të studimit tonë të mëparshëm, pamë se si Fryma e Shenjtë zbriti mbi Davidin (1 Samuelit 16:23), por, në fund të po të njëjtit kapitull, vëmë re se si Fryma e Shenjtë u largua përgjithmonë prej Saulit. Fryma e Perëndisë banon brenda një zemre të pastër dhe largohet prej asaj, që është e ligë. “Ti i ke sytë tepër të pastër për të parë të keqen dhe nuk e shikon dot paudhësinë” (Habakukut 1:13). Sauli e kishte hidhëruar Frymën e Perëndisë, me anë të mosbindjes së tij të vazhdueshme, të mëkatit dhe mungesës së besimit.

Egzistojnë tre mundësi, përsa i përket “frymës së keqe“, që zuri vend në jetën e Saulit:

1. Kjo frymë ishte një frymë demoni (ose djalli), që e mbushi boshllëkun, që ishte krijuar prej largimit të Frymës së Shenjtë. E dimë që një gjë e tillë është e mundshme. “Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot” (Luka 22:3). Por, nëse Sauli ishte i demonizuar, atëherë si shpjegohet fakti, që demoni nuk e terrorizonte gjithnjë Saulin, por largohej nganjëherë prej tij?

2. Shpirti i Saulit kaloi në depresion, d.m.th. Sauli e humbi fare edhe atë pak siguri shpëtimi që kishte dhe filloi të ndihej plotësisht i braktisur prej Perëndisë. Kështu, pra, ai ishte i lëkundur nga ana mendore, shpirtërore dhe fizike.

3. Mundësia e tretë është kombinim i dy të parave, d.m.th. Sauli nuk ishte i demonizuar, por i rënduar (i munduar) prej djallit. Lidhur me këtë çështje, Gjon Uesli ka thënë: “Perëndia e lejoi Satanain ta godiste Saulin, duke bërë që në zemrën e tij të çliroheshin pasione të pabindura e terrorizuese, si p.sh. smira, inati, frika dhe dëshpërimi. Sauli filloi të dridhej gjithnjë e më shumë nga frika, të ishte i pakënaqur e t’i dyshonte vazhdimisht të tjerët”.

Harpisti i talentuar

Shërbëtorët e këshilluan Saulin, që të punësonte një muzikant të mirë, për t’ia qetësuar mendjen, sa herë që ta terrorizonte “fryma e keqe“. Në komentimin që i bëjnë Biblës, autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun shkruajnë se “të vjetërit besonin se muzika kishte një ndikim misterioz në shërimin e sëmundjeve mendore”. Por, si mund të ndikohej një djall prej terapisë muzikore? Po qe se Sauli ishte i demonizuar, atëherë, mos vallë, qëllimet e Perëndisë u shkatërruan prej Davidit, tek i binte bukur harpës? Ky pasazh, pra, ka më shumë kuptim, kur e konsiderojmë “frymën e keqe” si depresion. Një varg i një kënge të vjetër, thotë: “Muzika ka veti për ta zbutur bishën e egër, për t’i thërrmuar shkëmbinjtë e për ta rrëzuar lisin e trashë” (nga Uilljam Kongriv, 1629-1670).

Tanimë, Davidi ishte bërë i famshëm me këngët dhe muzikën e tij. Banorët e Bethlehemit e dinin se ai ishte një harpist i talentuar, se po bëhej gjithnjë e më i pjekur dhe se ishte një luftëtar trim, gjë që tregon se vajosja e tij prej Samuelit kishte kohë që kishte ndodhur. Sauli e pëlqeu menjëherë Davidin, sapo filloi t’i binte harpës. Në momentet e depresionit, kur Davidi i binte harpës, Sauli shpejt bëhej “më mirë” dhe e ndiente veten “të qetësuar“. “Edhe pse muzika nuk mund të ndikojë drejtpërsëdrejti tek një frymë e keqe e ta largojë fare atë, prapëseprapë, ngaqë kjo frymë nuk e kishte pushtuar plotësisht Saulin, por ishte në zotërim vetëm të pasioneve të mendjes dhe të gjymtyrëve të trupit të tij, dhe gjithashtu, ngaqë muzika ka fuqi të madhe për ta qetësuar njeriun e për ta bërë atë të lumtur, nuk është për t’u habitur, pra, që djalli nuk kishte të njëjtën fuqi mbi Saulin, kur mendja e tij ishte më e kthjellët” (Gjon Uesli). Por, muzika arriti t’i bëjë mirë Saulin vetëm për një farë kohe, derisa erdhi çasti, kur ajo s’kishte çfarë t’i bënte më karakterit të tij të ligë.

Davidi nuk jetonte në pallatin mbretëror, por shpesh kthehej në shtëpi, pranë familjes së tij, duke u kujdesur për delet. Ka të ngjarë që Davidin ta thërrisnin në pallat, sa herë që Saulin ta zinte depresioni, apo sa herë që ai të ishte në gjendje të keqe. Sidoqoftë, talenti i Davidit e ndihmoi mbretin, i cili e bëri muzikantin shqyrtarin e tij. “Dhurata e njeriut i hap rrugën dhe e çon në prani të të mëdhenjve” (Fjalët e Urta 18:16). 

Përfundim 

Fryma e keqe” e Saulit qetësohej për një farë kohe, sa herë që Davidi i binte harpës. Influenca e Davidit po ndihej si në Bethlehem, ashtu edhe në pallatin mbretëror. Rrotat e planit të Perëndisë mund të duken sikur po rrotullohen ngadalë, por ato gjithnjë rrotullohen në rrugën e saktë, në kohën e caktuar, duke arritur gjithmonë në destinacionin e duhur. Davidi nuk kishte nevojë të thurte plane si e si të bëhej mbret i Izraelit. Përkundrazi, detyra e tij ishte thjesht të vazhdonte t’i shërbente Perëndisë dhe Zoti do t’ia hapte rrugën. Sauli dhe shërbëtorët e tij e vunë re se Perëndia ishte me Davidin. Po të tjerët, ç’vënë re tek ne?

Mbrapa

Advertisements