Hedhja poshtë e traditave

Farisenjtë e përgjonin vazhdimisht Jezusin, për ta parë nëse Ai apo dishepujt e Tij i zbatonin apo jo siç duhej rregullat e Ligjit. Ata e interpretonin Ligjin e Perëndisë, sipas mendjes së tyre dhe donin që të gjithë të bindeshin me atë lloj interpretimi e t’iu përuleshin autoritetit të tyre. Mjerë ata që vepronin ndryshe! Por, në vend që ta ngrinin lart Ligjin e Moisiut, farisenjtë lartësonin vetveten, duke iua vështirësuar kështu edhe më shumë jetën atyre, që donin t’i shërbenin Perëndisë. Këta drejtues fetarë ishin aq mendjemëdhenj, saqë i përçmonin të gjithë ata, që kishin nevojë për ndihmë.

Doktrinat e njerëzve

Atëherë rreth tij u mblodhën farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jeruzalemi. Ata vunë re se disa nga dishepujt e tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara, dhe i paditën. Në fakt farisenjtë dhe të gjithë Judenjtë nuk hanë pa i larë më parë me shumë kujdes duart, duke iu përmbajtur traditës së pleqve; dhe, kur kthehen nga tregu, nuk hanë pa u pastruar më parë. Ka shumë gjëra të tjera që ata duhet të respektojnë për shkak të traditës: larjen e kupave, të brokave, të enëve prej bakri dhe të shtretërve. Pastaj farisenjtë dhe skribët e pyetën: “Përse dishepujt e tu nuk sillen sipas traditës së pleqve, por hanë bukë pa i larë duart?”. Por ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Mirë profetizoi Isaia për ju, hipokritë, siç është shkruar: “Ky popull me buzë më nderon, por zemra e tyre rri larg meje. Por kot më bëjnë një kult, duke mësuar doktrina, të cilat janë porosi nga njerëzit”. Duke lënë pas dore, pra, urdhërimin e Perëndisë, ju i përmbaheni traditës së njerëzve: larje brokash dhe kupash; dhe bëni shumë gjëra të tjera të ngjashme” (Marku 7:1-8).   

Farisenjtë donin t’i kritikonin si dishepujt, ashtu edhe vetë ato mësime, që Jezusi iu kishte mësuar. Ia vunë gishtin gjoja domosdoshmërisë së larjes së duarve para ushqimit. Ata nuk ishin shumë të interesuar për higjenën personale, apo për shëndetin e dishepujve. Përkundrazi, thjesht donin që njerëzit t’i zbatonin me përpikmëri të gjitha ato rregulla të detajuara dhe të komplikuara, që ata vetë kishin sajuar për këtë qëllim. Mendjen e kishin aq shumë tek duart e dishepujve, saqë harruan fare sesa të pista ishin zemrat e tyre në sytë e Perëndisë. Madje edhe duart i kishin të pista, sepse ishin gati t’i përdornin për ta vrarë vetë Zotin!

Zoti Jezus iua bëri të qartë se mësimet e tyre ishin thjesht tradita dhe doktrina njerëzish, të pabazuara në fjalën e Perëndisë. Ashtu si edhe shumë njerëz të tjerë fetarë, edhe farisenjtë ishin më shumë të interesuar me gjërat sipërfaqësore, si p.sh. me larjen e mikrobeve, sesa me të vërtetat shpirtërore, që kanë të bëjnë me mëkatin. Ata shikonin duart, por Perëndia shikon zemrën. “Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën” (1 Samuelit 16:7). Edhe farisenjtë, pra, që zbatonin Ligjin, ishin mëkatarë. Vini re se si Jezusi nuk e përqëndroi shumë vëmendjen tek mësimet e farisenjve, por përkundrazi, Ai iu tregoi njerëzve ato që thoshte Bibla. I bëri ata ta kuptonin se Perëndia nuk kërkon thjesht fjalë të mira, por një sakrificë prej zemre. Më pas, Ai i gjykoi farisenjtë për hipokrizinë, që tregonin, duke iu thënë se në fakt, ata nuk e kuptonin fare fjalën e Perëndisë. Çfarë fjalësh të vështira për t’u gëlltitur prej njerëzve fetarë! 

Ndotja e njeriut

Pastaj thirri gjithë turmën rreth vetes dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe kuptoni: Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi janë ato gjëra që dalin prej tij që e ndotin” (Marku 7:14-15).

Farisenjtë ishin munduar t’i kritikonin dishepujt hapur, në sytë të të gjithëve, ndaj edhe Jezusi nuk i la ata të largoheshin si pa u vënë re fare. Jezusi ia vuri gishtin tani të vërtetës. Po të mos kishte vepruar kështu, njerëzit do të kujtonin se farisenjtë kishin patur të drejtë, që i kishin akuzuar dishepujt. Me shumë kujdes, Jezusi i zbërthen mësimet e farisenjve, lidhur me larjen e duarve, duke treguar kështu se sa e marrë ishte doktrina e tyre.

Drejtuesit fetarë kishin besim tek ligjet sanitare, kurse Jezusi iu thotë dëgjuesve të Tij se të jetosh për Perëndinë nuk është thjesht diçka sipërfaqësore, sa për sy e faqe, por ka të bëjë me vetë shpirtin e njeriut. Ta ndjekësh Zotin nuk do të thotë thjesht të zbatosh vetëm disa rregulla e tradita. Ky nuk është besimi i vërtetë. Në fakt, mësimet e farisenjve nuk kishin të bënin aspak me besimin. Ia bëjmë qejfin vetes, kur i zbatojmë pikë për pikë rregullat, që kanë vënë njerëzit. S’kemi nevojë për besim atëherë!

Vërtet që mund të sëmuremi prej duarve të palara, por nuk janë mikrobet ato, që na çojnë në Ferr! Mëkati dhe hipokrizia e ndotin njeriun, duke e ndëshkuar atë në sytë e Perëndisë. Shenjtëria e njeriut nuk varet nga fakti sesa të pastra apo të bukura i ka duart, por nga karakteri dhe mënyra e tij e jetesës. Nëse zemrën e ka të ndotur prej mëkatit, atëherë është i gjithi i papastër. “Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë e nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës” (Luka 6:45)… “Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriun” (Marku 7:21-23). Çështja kryesore, pra, është zemra, jo duart.

Përfundim                      

Jezusi i hodhi poshtë traditat e njerëzve dhe iu shpjegoi atyre më qartë se ç’kërkonte vërtet Perëndia prej tyre. Shenjtëria dhe dlirësia janë çështje shpirtërore e jo thjesht detyrime të imponuara prej drejtuesve fetarë. Nuk kemi pse të vishemi me rrobat më të mira, me qëllim që ta kënaqim Perëndinë. Ai kërkon prej nesh diçka akoma më të mirë. “Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme. Ai do të marrë bekimet e Zotit dhe drejtësinë nga Perëndia e shpëtimit të tij” (Psalmi 24:3-5). Vetëm ata, që janë të pastruar prej Zotit, i kanë duart me të vërtetë të pastra.

Mbrapa

Advertisements