Hedhja poshtë e Zotit

Kemi të drejtë, kur themi se ata që e mohojnë fjalën e Perëndisë, nuk janë të krishterë. Po ne vetë, a nuk jemi, vallë, fajtorë, kur e nënvlerësojmë rëndësinë e Biblës? Sa herë e kemi dëgjuar Frymën e Shenjtë të na flasë nëpërmjet Biblës, por nuk i jemi bindur? Sa herë nuk i kemi zbatuar me vetëdashje urdhërimet dhe mësimet e Perëndisë? Mos, vallë, kemi frikë t’i dalim në mbrojtje Zotit, sa herë që emrin e Tij e marrin nëpër gojë? Jakobi 4:17 thotë: “Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat”. Është mëkat, pra, ta mohosh Zotin!

Me të dëgjuar këto fjalë, Fryma e Perëndisë përfshiu Saulin, zemërimi i të cilit u rrit me të madhe” (1 Samuelit 11:6). Sauli pati të drejtë të inatosej tej mase, kur mori vesh rreth planeve të liga të Amonitëve. Ky fakt na vërteton se dikur ai kishte qenë një fëmijë i Perëndisë. Por, më vonë, fatkeqësisht, mbreti i parë i Izraelit e hodhi poshtë fjalën e Perëndisë dhe Zoti vetë e hodhi poshtë Saulin për shkak të një veprimi të tillë.

Hedhja poshtë e Zotit

Perëndia kishte dhënë urdhër që të gjithë armiqtë e Izraelit të shkatërroheshin plotësisht. Ky urdhërim ishte fjala e Tij dhe si i tillë, duhej zbatuar pikë për pikë. “Pastaj Samueli i tha Saulit: “Zoti më ka dërguar që të të vajos mbret mbi popullin tënd, mbi Izraelin; tani dëgjo fjalët e Zotit. Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë do ta dënoj Amalekun për atë që i bëri Izraelit kur i preu rrugën, ndërsa po dilte nga Egjipti. Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë” (1 Samuelit 15:1-3). Sauli vendosi që ta nënvlerësonte rëndësinë e fjalës së Perëndisë. “Sauli i mundi Amalekitët nga Havilahu deri në Shur, që ndodhet përballë Egjiptit. Ai e zuri të gjallë Agagun, mbretin e Amalekitëve, dhe vendosi shfarosjen e të gjithë popullit, duke i vrarë me shpatë. Por Sauli dhe populli kursyen Agagun dhe pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve, të kafshëve të majme, të qengjave dhe të kafshëve më të mira, duke mos vendosur shkatërrimin e tyre; por vendosën zhdukjen e tërë sendeve që ishin të një cilësie të dobët dhe pa asnjë vlerë” (1 Samuelit 15:7-9). Ndoshta Sauli kujtoi se bindja e tij gjysmake do ta kënaqte Perëndinë. Të shumtë janë ata besimtarë të sotshëm, të cilët mendojnë të njëjtën gjë, por harrojnë faktin se të njëjtin gjykim dhe ndëshkim që mori Sauli, do të marrin edhe ata.

Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Samuelit, duke i thënë: “Unë jam penduar që e kam bërë Saulin mbret, sepse ai është larguar nga unë dhe nuk ka zbatuar urdhërat e mia”. Samueli u trishtua dhe i klithi tërë natën Zotit” (1 Samuelit 15:10-11). Sauli ishte i lumtur, për atë që kishte bërë dhe kujtoi se profeti po vinte për ta uruar për fitoren e arritur. Por në vend të urimit, mori ndëshkimin. “Atëherë Samueli shkoi te Sauli dhe ky i tha: “Qofsha i bekuar nga Zoti! Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit”. Por Samueli tha: “Ç’është kjo blegërimë dhensh që më vjen në vesh dhe kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?”. Sauli u përgjegj: “Këto janë kafshë që ua kemi marrë Amalekitëve, sepse populli kurseu pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve për t’i ofruar si flijime Zotit, Perëndisë tënd; por pjesën tjetër e kemi caktuar të shfaroset” (1 Samuelit 15:13-15). Sapo Samueli i tha Saulit se veprat e tij të mira ishin në fakt vepra të liga, mbreti e harroi menjëherë bekimin që donte të merrte prej Zotit. “Pse, pra, nuk iu binde zërit të Zotit, por u hodhe mbi plaçkën dhe bëre atë që është e keqe në sytë e Zotit?” (1 Samuelit 15:19). Ashtu si shumë të krishterë të sotshëm, edhe Sauli nuk e kuptonte dot arsyetimin e Perëndisë, ngaqë e konsideronte veten si shërbëtor të vërtetë e të bindshëm ndaj Zotit. “Sauli i tha Samuelit: “Por unë iu binda zërit të Zotit, plotësova misionin që Zoti më kishte ngarkuar, solla Agagun, mbretin e Amalekut, dhe caktova për shfarosje Amalekitët” (1 Samuelit 15:20). Me vetëdashje, ai e nënvlerësoi faktin se kishte zbatuar vetëm gjysmën e urdhërimit të Perëndisë.

I hedhur poshtë prej Zotit

Sauli ishte fajtor, ngaqë e kishte hedhur poshtë fjalën e Perëndisë, ndaj edhe tani Zoti do ta hidhte poshtë vetë atë. “Samueli i tha: “Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve. Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret” (1 Samuelit 15:22-23). Sauli e kuptoi menjëherë gabimin, që kishte bërë, por prapëseprapë, atij iu desh të vuante pasojat e një rebelimi të tillë ndaj Zotit. Ky fakt na vërteton se nuk mund të luajmë me zjarrin e të kujtojmë se nuk do digjemi! Tani Sauli nuk ishte më i famshëm si dikur. Perëndia e hodhi poshtë atë si mbret dhe fronin e tij ia dha dikujt tjetri. “Atëherë Samueli i tha: “Zoti hoqi sot nga duart e tua mbretërinë e Izraelit dhe ia dha një tjetri, që është më i mirë se ti” (1 Samuelit 15:28). Një ndëshkim i tillë do ta pikëllonte Saulin për gjithë jetën.

Ata që e hedhin poshtë atë që thotë Perëndia, duhet të marrin ndëshkimin që iu takon. Bota kujton se është e zgjuar, ngaqë e mohon Krishtin, por një ditë ka për ta parë tmerrin që e pret, për mëkatin që ka bërë. “Jezusi u tha atyre: “A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet: “Guri, që ndërtuesit e nxorën të papërdorshëm, u bë guri i qoshes. Kjo është vepër e Zotit, dhe është e mrekullueshme në sytë tonë”? Prandaj unë po ju them se juve do t’ju hiqet mbretëria e Perëndisë dhe do t’i jepet një kombi që do ta bëjë të japë fryt. Dhe ai që do të bjerë mbi këtë gur do të bëhet copëcopë; dhe ai mbi të cilin do të bjerë ai do të jetë i thërrmuar” (Mateu 21:42-44).

Le t’i drejtohemi vetes tani. Mos, vallë, sjellja dhe veprimet tona vërtetojnë se po e hedhim poshtë fjalën e Perëndisë dhe vullnetin e Tij? Është kollaj të mendosh se pak rëndësi ka, nëse nuk i bindemi plotësisht fjalës së Perëndisë, duke kujtuar se, prapëseprapë, Ai ka për të na bekuar. “Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qenë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si prifti im; duke qenë se ti ke harruar ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do të harroj bijtë e tu” (Osea 4:6). Mos, vallë, e kemi harruar atë që na thotë Jezusi tek Mateu 7:21-23? “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej. Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”. Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi“. E njëjta gjë i ndodhi edhe mbretit Saul. Nëse e hedhim poshtë qoftë edhe sadopak fjalën e Perëndisë, atëherë jemi të pabesë ndaj Tij dhe nuk i përkasim Mbretërisë Qiellore. Nuk ia vlen ta hedhësh poshtë të vërtetën! Jo më kot e kanë thënë se lutja më e vështirë është: “U bëftë vullneti Yt!” (Mateu 6:10, 26:42).

 Përfundim                    

Bota e ka hedhur poshtë fjalën e Perëndisë. Kisha e ka hedhur poshtë fjalën e Perëndisë. Besimtarë të ndryshëm nuk pranojnë t’i binden asaj që thotë Zoti. Vetëm ai që është i marrë, vazhdon të besojë se ka për t’u pranuar prej Perëndisë, në një kohë që me vetëdashje i kundërvihet Atij. Duhet të pendohemi për një mëkat të tillë dhe t’i bindemi plotësisht Mbretit, para se Ai të na e marrë Mbretërinë nga dora. “Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para; në mos do të vi së shpejti te ti dhe do ta luaj shandanin tënd nga vendi i vet, nëse nuk pendohesh” (Zbulesa 2:5).

Mbrapa