Hei – Fjala e fuqishme

Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund. Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër. Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time. Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë. Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua. Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty. Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira. Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde” (Psalmi 119:33-40).

Parathënie  

Perëndia na e dha fjalën e Tij për të na mësuar të vërtetën. “Fjala jote është e vërteta” (Gjoni 17:17). Ky fakt na paraqitet tek lutja e autorit të psalmit 119-ë. E si mund të vazhdojë të jetë i ringjallur besimtari, nëse ai nuk i bindet me besnikëri fjalës së Zotit dhe nuk e vë në praktikë atë?

Më mëso

Një nga karakteristikat e një njeriu vërtet të shpëtuar është fakti se ai ka një shpirt, që kërkon të mësohet. “Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore. Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t ‘i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:13-14) . Një besimtar i tillë dëshiron të vërtetën dhe është gati për t’i qëndruar besnik asaj deri në fund. Sepse ç’vlerë ka dituria dhe mençuria e perëndishme, po qe se nuk vihet në praktikë në jetën e përditshme? “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten. Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte. Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet” (Jakobi 1:22-25). Si studentë që jemi në shkollën e Krishtit, na duhet të lutemi vazhdimisht që të na udhëzojë e të na mësojë Zoti. Kështu i përkushtohemi plotësisht Atij.

Më bëj

Fëmija i vogël në fillim mëson të ecë, pastaj të vrapojë. Të shumtë janë ata të krishterë, që kujtojnë se mund të “ngrihen me krahë si shqiponja” (Isaia 40:31), pa ecur në fillim pa u lodhur! Të ecurit vërteton se jemi shpirtërisht të pjekur. Do të kemi raste, kur e ndjejmë veten sikur po fluturojmë me shqiponjën, por edhe shqiponjës i duhet të zbresë nganjëherë në tokë! Jezusi i mësonte dishepujt e Tij, ndërkohë që ecte me ta. Edhe ne duhet të jemi gati për ta ndjekur Atë në të njëjtën mënyrë. “Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim” (Galatasve 5:25)… “Kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Ata që veprojnë kështu, e vërtetojnë se “gjejnë kënaqësi” në fjalën e Perëndisë dhe, si rezultat, i shmangen gjithçkaje, që është “e kotë”. E shohim, pra, se na duhet të gjejmë kënaqësi në Perëndinë dhe të mos lakmojmë gjërat e botës. Të dyja nuk mund t’i bëjmë dot. “Asnjë shërbëtor nuk mund t ‘u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njerin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njerin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t’ i shërbeni Perëndisë dhe mamonit” (Luka 16:13). Duhet t’i shërbejmë Zotit “me gjithë zemër” (Psalmi 119:34). “Por qoftë falenderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar” (Romakëve 6:17).

Më ringjall

Autori i psalmit e dinte se kishte ndryshuar si njeri, sepse e dëshironte edhe më shumë Perëndinë dhe fjalën e Tij. Ringjallja personale nuk ndodh vetëm një herë, por mund ta përjetojmë atë çdo ditë, përsa kohë që i afrohemi gjithnjë e më shumë Zotit. Mana në shkretëtirë, p.sh. na e vërteton mirë këtë fakt (shiko Eksodi 16). Nuk mund të rritemi dot shpirtërisht me ushqimin e djeshëm. Përvojat e së kaluarës, edhe pse mund të kenë qenë të mrekullueshme, nuk ia zënë dot vendin asaj që mund të bëjë sot Zoti për ne. Zemrat tona mund të ngurtësohen “prej mashtrimit të mëkatit” (Hebrenjve 3:13) dhe prej “mashtrimeve të pasurisë” (Marku 4:19). Tek Psalmi 119, vargu 36, vëmë re të përmendur fjalën “lakmi”, e cila ka fuqinë për të na e larguar zemrën prej Zotit. Apostulli Pal e përshkruan lakminë si idhujtari tek Efesianëve 5:5. E dimë se lakmia nuk ia zë dot kurrë vendin të vërtetës absolute. Duhet të na dhembin sytë kur shohim gjëra të kota. Shpirtin nuk mund ta mbajmë dot të ringjallur, nëse mendjen dhe zemrën e kemi të mbushur me kotësira. Duhet të jemi të gatshëm për ta ndjekur rrugën e Krishtit, sepse vetëm kështu kemi për të marrë bekime të mëdha prej Tij. “Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka” (1 Timoteut 6:6). “Sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë” (1 Gjonit 2:16-17).

Të rrënjosur

Pikësynimi i çdo pasuesi të Jezusit duhet të jetë që t’i qëndrojë besnik fjalës së Tij dhe të jetë i mbushur me të. Nëse tregohemi të përkushtuar ndaj Zotit në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme, atëherë pa dyshim që jemi duke ecur në rrugën e jetës. “Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të, duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falenderim” (Kolosianëve 2:6-7). Nuk jemi të rrënjosur në të vërtetën, nëse nuk kemi një jetë të shenjtë. “Për të bërë të pa tundura zemrat tuaja, pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij” (1 Thesalonikasve 3:13). Autori i psalmit e respekton Perëndinë, ndaj edhe bën një jetë të shenjtë. Ata që e nderojnë Zotin, nuk duan që ta turpërojnë Atë me sjelljen e tyre të keqe.

Gjallëromë

Duke e ditur se fjala është “e mirë”, le të lakmojmë më shumë prej saj. Fryma e Shenjtë na gjallëron, kur e lexojmë dhe e studjojmë fjalën e Zotit. Fjala “gjallëromë” ka të bëjë me ringjalljen personale, por ka gjithashtu edhe kuptimin e të qënit i gjallë. Autori i psalmit na mëson se, nëse ecim me Zotin, atëherë kemi për t’u kënaqur vazhdimisht me bekimin e ringjalljes. Një domosdoshmëri e tillë për një freskim të përditshëm shpirtëror vjen si pasojë e rritjes në Krishtin. Një jetë të tillë me bollëk na premtoi edhe vetë Jezusi: “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). A nuk kemi, pra, të gjithë nevojë për një gjallërim të tillë? “Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t ‘u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju” (Romakëve 8:11). Nganjëherë jemi të etur dhe kemi nevojë për mëshirën dhe hirin freskues të Perëndisë. “Vendi i thatë do të bëhet pellg dhe toka e etur për ujë burim ujërash” (Isaia 35:7).   

Përfundim

Ky pasazh prej Psalmit 119-ë ka të bëjë me domosdoshmërinë për fuqi në jetën tonë të përditshme, një fuqi që vetëm Perëndia na e jep. Na duhet një fuqi e tillë për ta mposhtur tundimin dhe për t’i rezistuar atij. Pa një fuqi të tillë nuk mund të ecim në shenjtëri dhe drejtësi. Autori i psalmit e mori një fuqi të tillë prej Zotit, ndërkohë që ia përkushtoi kohën të lexuarit dhe të studjuarit të fjalës së Tij, duke e vënë gjithashtu atë përditë në praktikë. I shërbejmë një Perëndie, që jo vetëm na e restauron shpirtin, por edhe na e ripërtërin atë. Perëndia na flet nëpërmjet fjalës së Tij. Le t’i afrohemi edhe më shumë Atij.

Mbrapa

Advertisements