Hethi – Fjala ruajtëse

Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua. Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate. Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua. Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua. Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd. Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta. Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua. O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.” (Psalmi 119:57-64).

Parathënie  

Tema kryesore e këtij pasazhi prej Psalmit 119-ë është mëshira e Perëndisë. Autori e di mirë se jeta e tij s’ka kuptim pa mëshirën e Zotit, ndaj edhe i thërret Atij për më shumë mëshirë, kur sulmohet prej armikut.

Rrëfimi

A është Zoti pjesë e jetës sonë të përditshme, apo i japim Atij thjesht një pjesë të vogël të kohës sonë të lirë? Fjala “pjesë” këtu ka kuptimin e “plotësisë” apo të trashëgimisë. Një ide e tillë përshkruhet edhe tek Ligji i Përtërirë 10:9, ku na thuhet se të gjitha fiset e Izraelit morën pjesën e tyre të trashëgimisë, kur hynë përfundimisht në Tokën e Premtuar, me përjashtim të fisit të Levit, të cilit Perëndia i tha: “Prandaj Levi nuk ka pjesë, as trashëgimi me vëllezërit e tij; Zoti është trashëgimia e tij, ashtu si Zoti, Perëndia yt, u kishte premtuar”. Nuk është për t’u habitur, pra, që autori i psalmit deklaron se ka vendosur t’i bindet me besnikëri fjalës së Zotit, sepse Ai është vetë Perëndia i jetës së tij. Po ne a i bindemi Atij vërtet, kur rrëfejmë se “Jezus Krishti është Zot”? (Filipianëve 2:11).

Urdhërimet

Autori i psalmit na thotë se i është lutur shumë Perëndisë, me gjithë zemër. “Por aty do të kërkosh Zotin, Perëndinë tënd; dhe do ta gjesh, në rast se do ta kërkosh me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt” (Ligji i Përtërirë 4:29)… “Do të më kërkoni dhe do të më gjeni, sepse do të më kërkoni me gjithë zemrën tuaj” (Jeremia 29:13).

Ai që i lutet Zotit me gjithë zemër, duhet të jetë gati për të jetuar sipas parimeve biblike. Në këtë mënyrë, ai do të ketë një spirancë në kohë stuhie dhe një themel të fortë në vështirësi. Autori ishte i sigurtë se Perëndia i mëshirshëm do t’i mbante premtimet, ngaqë fjala e Perëndisë është e vërteta absolute. Edhe ne adhurojmë po të njëjtin Perëndi dhe Ai është gati të na shfaqë mëshirën e Tij dhe të na bekojë sot, njëlloj siç bekoi dikur edhe autorin e psalmit 119-ë. Tek solli ndërmend të kaluarën e tij, autori e pa sesi dora e mëshirshme e Zotit e kishte udhëhequr gjatë gjithë rrugës, por vini re sesi ai na thotë se i kishte “shqyrtuar” rrugët e veta dhe i kishte “kthyer hapat” e tij ndaj urdhërimeve të Zotit. Ndoshta, deri në ato momente, ai kishte jetuar si gjithë njerëzit e tjerë fetarë, d.m.th. i kishte kthyer sytë nga Perëndia vetëm kur kishte patur ndonjë problem. “Kërkoni Zotin ndërsa mund të gjendet, e thirrni ndërsa është afër. I pabesi le ta lërë rrugën e tij dhe njeriu i padrejtë mendimet e tij, dhe le të kthehet tek Zoti që të ketë dhembshuri për të, tek Perëndia ynë që fal bujarisht. “Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia”, thotë Zoti. “Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja” (Isaia 55:6-9). 

Nuk mund të mos e vëmë re faktin se autori, jo vetëm që e ktheu mendjen e tij ndaj Zotit, por gjithashtu i ktheu edhe hapat e tij për ta ndjekur Zotin. Nuk janë fjalët, por veprat ato, që tregojnë se jemi vërtet besimtarë në Krishtin. “Kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Autori nuk premtoi, p.sh. se do të jetonte nesër (apo një ditë tjetër) sipas fjalës së Zotit. Përkundrazi, “nxitoi” menjëherë, para se t’ia kthente mendjen djalli. Po ne, a tregojmë një urgjencë të tillë për gjërat, që kanë lidhje me Perëndinë? “O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë” (Psalmi 63:1).

Shoku

Tek 2 Timoteut 3:12, Pali na thotë: “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen”. Gjëja kryesore është që të mos i lejojmë taktikat e liga të njerëzve apo të djallit, që ta na e grabisin atë me të cilën na ka bekuar Zoti. “Por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë. Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove” (2 Timoteut 3:13-14). Bota ka për të na ngritur kurthe nga më të ndryshmet, sidomos ata që thonë se janë “shokët” tanë. Pse? Përgjigjen na e jep Salomoni. “Që të mos mësosh rrugët e tij dhe të mos gjesh një kurth për shpirtin tënd” (Fjalët e Urta 22:25). Apostulli Jakob na thotë të njëjtën gjë. “A nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë” (Jakobi 4:4). Është më mirë të kemi për shokë njerëzit e Perëndisë. Ata, ngaqë e respektojnë Zotin dhe i binden urdhërimeve të Tij, na inkurajojnë edhe neve, që të vazhdojmë të ecim në rrugën e Tij. Një shprehje e vjetër thotë: “Më thuaj kë ke mik, të të them se cili je”. Ata që i kemi shokë, kanë ndikim tek ne ose për mirë, ose për keq. “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit” (Psalmi 1:1).         

Përfundim

Këtu shohim, pra, një besimtar, që, kur nuk e zinte gjumi, lexonte Biblën “në mes të natës”, në vend që të ndizte televizorin! Pikërisht në mes të natës, Pali dhe Silasi i kënduan këngë Perëndisë në burg (Veprat e Apostujve 16:25). Autori i psalmit kënaqej me fjalën e Zotit dhe meditonte mbi të ditë e natë. Nuk ishte njeri fetar, përkundrazi, e adhuronte dhe e ndiqte Zotin me gjithë zemër. Këndvështrimin e jetës e kishte shumë pozitiv, edhe pse vuante dhe persekutohej. Gjatë gjithë vështirësive të tij, kishte besim se Perëndia do ta ruante nëpërmjet fjalës së Tij, ndaj edhe ai do të vazhdonte ta lavdëronte Perëndinë e mëshirës. “Toka është e mbushur me mirësinë tënde”.

Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt! Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja” (Psalmi 117).

Mbrapa

Advertisements