Hidhërimi për Absalomin

“Ahimatsi, bir i Tsadokut, i tha Joabit: “Lermë të shkoj me vrap dhe t’i çoj mbretit lajmin që Zoti i siguroi drejtësi kundër armiqve të tij”. Joabi iu përgjigj: “Ti nuk do ta çosh lajmin sot; do ta çosh një ditë tjetër; nuk do ta çosh lajmin sot, sepse biri i mbretit ka vdekur”. Pastaj Joabi i tha Etiopasit: “Shko dhe tregoja mbretit atë që ke parë”. Etiopasi u përul para Joabit dhe iku me vrap. Ahimatsi, bir i Tsadokut, i tha prapë Joabit: “Sido që të ndodhë, të lutem, më lejo të fugoj prapa Etiopasit”. Joabi i tha: “Po pse dëshiron të fugosh, biri im? Sidoqoftë nuk do të kesh asnjë shpërblim për lajmin që çon”. Dhe tjetri tha: “Sido që të ndodhë, dua të vrapoj”. Joabi i tha: “Vrapo!”. Atëherë Ahimatsi filloi të vrapojë nëpër rrugën e fushës dhe e kaloi Etiopasin. Davidi ishte ulur midis dy profetëve; roja hipi në çatinë e portës pranë mureve; ngriti sytë dhe shikoi, dhe ja, një njeri vraponte krejt vetëm. Roja bërtiti dhe njoftoi mbretin. Mbreti tha: “Në rast se është vetëm, sjell lajme”. Dhe ai po afrohej gjithnjë e më tepër. Pastaj roja pa një njeri tjetër që vraponte dhe i thirri rojes së portës: “Ja një tjetër njeri që vrapon vetëm!”. Mbreti tha: “Edhe ky sjell lajme”. Roja shtoi: “Mënyra e të vrapuarit të të parit më duket si ajo e Ahimatsit, e birit të Tsadokut!”. Mbreti tha: “Éshtë një njeri i mirë dhe vjen me lajme të bukura”. Ahimatsi i bërtiti mbretit dhe tha: “Paqe!”. Pastaj u shtri përpara mbretit me fytyrën për tokë dhe tha: “I bekuar qoftë Zoti, Perëndia yt, që ka lënë në pushtetin tënd njerëzit që kishin ngritur duart kundër mbretit, zotërisë tim!”. Mbreti tha: “A është mirë i riu Absalom?”. Ahimatsi u përgjigj: “Kur Joabi dërgoi shërbëtorin e mbretit dhe mua, shërbëtorin tënd, pashë një rrëmujë të madhe, por nuk e di përse bëhej fjalë”. Mbreti i tha: “Kthehu dhe qëndro këtu”. Dhe ai u kthye dhe mbeti aty. Pikërisht në atë çast arriti Etiopasi, i cili tha: “Lajme të mira, o mbret, o imzot. Zoti të ka siguruar sot drejtësi, duke të çliruar nga duart e të gjithë atyre që kishin ngritur krye kundër teje”. Mbreti i tha Etiopasit: “A është mirë i riu Absalom?”. Etiopasi u përgjigj: “Armiqtë e mbretit, zotërisë tim, dhe tërë ata që ngriheshin kundër teje për të të bërë të keqe qofshin si ai i ri!”. Atëherë mbreti, duke u dridhur i tëri, u ngjit në dhomën që ishte mbi portën dhe qau; dhe thoshte: “O biri im Absalom; biri im, biri im Absalom! Të kisha vdekur unë në vendin tënd, o Absalom, biri im, biri im!”” (2 Samuelit 18:19-33).

Parathënie

Lufta civile mbaroi, por la pasoja të mëdha. Për momentin, Joabi përpiqet ta marrë vetë përsipër zgjedhjen e metodës më të përshtatshme, për t’i dhënë mbretit lajmin e vdekjes së Absalomit. Ai dërgon dy lajmëtarë, të cilët i japin mbretit dy lajme të ndryshme. Në këtë studim do të shohim gjithashtu se si Davidi, i zhytur në hidhërim për vdekjen e Absalomit, e harroi fare rëndësinë e mbretërisë së tij, të vetes së tij si mbret dhe të ushtarëve besnikë, që luftuan për të.

Ahimatsi

Ahimatsi ishte i biri i Tsadokut (2 Samuelit 15:36) dhe i kishte sjellë edhe më parë lajm Davidit, lidhur me Absalomin (2 Samuelit 17:17-22). Por, edhe pse në të shkuarën ai ishte treguar i ndershëm, fatkeqësisht në këtë studim Ahimatsi e turpëron veten. Ishte gati t’ia çonte mbretit lajmin e vdekjes së Absalomit, por një zell i tillë mund t’i shkaktonte probleme Joabit, ndaj edhe ai u mundua për ta vonuar Ahimatsin. Bibla Studimore e Gjenevës na sugjeron se Joabi e vlerësonte shumë Ahimatsin dhe ndoshta donte ta mbronte marrëdhënien e mirë që ai (Ahimatsi) kishte me Davidin. “Sepse Joabi e donte Ahimatsin dhe kishte frikë se mos Davidi do ta vriste atë, që do t’i sillte lajm të keq për Absalomin”. Ka të ngjarë që Ahimatsi të jetë ndjerë i dëshpëruar, kur e mori vesh se Joabi kishte dërguar Etiopasin si lajmëtar, në një kohë që ai vetë donte ta bënte një detyrë të tillë. Por, më në fund, pas lutjeve të vazhdueshme të Ahimatsit, Joabi e lejoi atë që të shkonte tek Davidi, edhe pse ndoshta, me mendjen e tij, Joabi kujtonte se do të ishte Etiopasi ai, që do të arrinte i pari dhe, si pasojë, lajmi i Ahimatsit do të konsiderohej i pavlefshëm.

Joabi nuk e parashikoi se Ahimatsi do të vraponte më shpejt sesa Etiopasi. Por, siç e vëmë re edhe nga pasazhi i studimit tonë, Ahimatsi nuk i tregoi shumë Davidit, ndaj edhe mund të nxjerrim si konkluzjon se ai thjesht donte të dilte i pari në garën e lajmëtarëve dhe të merrte nderin e shpalljes së fitores ndaj armikut. Në fakt, Ahimatsi u kthye në një dëshmitar të rremë, sepse e gënjeu Davidin lidhur me Absalomin. Pa dyshim se Davidi do të shqetësohej më shumë për të birin sesa për rezultatin e betejës, ndaj edhe Ahimatsi, duke e kuptuar këtë gjë, pati frikë dhe nuk i tregoi dot mbretit të vërtetën. Ka të ngjarë që ai ta kishte ditur mirë se ç’i ndodhi atij, që i pruri lajm Davidit rreth vdekjes së Saulit. Ahimatsi nuk donte që e njëjta gjë t’i ndodhte edhe atij vetë (2 Samuelit 1:1-16). Në fakt, Ahimatsi nuk i tregoi gjë Davidit dhe, si rrjedhim, u vu mënjanë prej tij.

Etiopasi

Për këtë Etiopas nuk dimë gjë tjetër, përveçse asaj që na thuhet në tekstin e studimit. Ai u tregua i ndershëm dhe i respektueshëm në gjithçka që bëri e në gjithçka që tha. Nuk iu lut Joabit, që t’i jepte mundësinë për të shkuar e për t’i dhënë lajmin Davidit, por, në të njëjtën kohë, kur i thanë që të shkonte, ai shkoi dhe i tregoi mbretit të vërtetën. Joabi i tha që t’i tregonte Davidit gjithçka që kishte parë dhe Etiopasi veproi kështu, pa i shtrembëruar fare detajet e ngjarjes.

Edhe pse Etiopasi, pra, nuk ishte vrapuesi më i shpejtë, prapëseprapë ai ishte lajmëtari më besnik, që nuk priste të merrte shpërblim për detyrën e kryer. Etiopasi mund të mos e ketë kaluar i pari vijën e finishit, por atij ia përkushtoi më shumë vëmendjen Davidi. Mesazhi i Etiopasit nuk ishte i sheqerosur, apo i mbushur me lajka, me qëllim për ta fshehur të vërtetën. Për më tepër, ai as nuk u mburr për aftësitë e tij, si Ahimatsi.      

Përfundim                      

Mesazhi i Etiopasit, i dhënë me besnikëri e pa frikë, ia theu zemrën Davidit. Ai qau në dhomën e rojtarit, tepër i hidhëruar për Absalomin. Jemi të bindur se Absalomi nuk do të kishte treguar një hidhërim të tillë, po të kishte vdekur Davidi. Mbreti kishte vërtet të drejtë të vajtonte për të birin, por e shohim se me një vajtim të tillë të tepruar, Davidi po i largonte prej vetes të gjithë ata, që kishin luftuar me heroizëm për të. Bibla na thotë se Davidi u drodh i tërë, duke qarë, gjë që na tregon se Davidi nuk po e kontrollonte dot veten dhe ndoshta po kalonte një depresjon nervor. Ai nuk ishte në gjendje, pra, për ta drejtuar shtetin. Fatkeqësisht, Davidi ishte aq i hidhëruar për vdekjen e djalit, saqë e kishte harruar se mijëra izraelitë u vranë atë ditë në fushën e betejës. S’ka dyshim se ushtarët e tij mund të thoshin me vete: “Kot që shkuam të luftojmë, në një kohë që Davidi dëshiron të vdesë në vend të Absalomit”. Mos, vallë, e kishte harruar Davidi arsyen e vajosjes së tij si mbret i Izraelit? Duhet ta merrte, pra, shpejt veten, me qëllim që ta udhëhiqte siç duhej popullin. Vajtimi i tepruar i Davidit tregonte se ai nuk kishte shumë besim tek Perëndia. Këtë ide do ta shtjellojmë edhe më mirë në studimin tonë të ardhshëm.  

Mbrapa

Advertisements