Hushai ndihmues

“Dikush erdhi t’i thotë Davidit: “Ahithofeli figuron me Absalomin në mes të komplotistëve”. Davidi tha: “O Zot, të lutem, bëji të kota këshillat e Ahithofelit!”. Kur Davidi arriti në majë të malit; ku adhuroi Perëndinë, ja që doli përpara Hushai, Arkiti, me rroba të grisura dhe kokën të mbuluar me dhe. Davidi i tha: “Po të jetë se vazhdon rrugën me mua, do të më bëhesh barrë; por në rast se kthehesh në qytet dhe i thua Absalomit: “Unë do të jem shërbëtori yt, o mbret; ashtu si kam qenë shërbëtor i atit tënd në të kaluarën, kështu do të jem shërbëtori yt”; ti do ta bësh të kotë në favorin tim këshillën e Ahithofelit. Nuk do të kesh atje pranë teje priftërinjtë Tsadok dhe Abiathar? Të gjitha ato që do të dëgjosh që të thuhen nga ana e shtëpisë së mbretit, do t’ua bësh të njohura priftërinjve Tsadok dhe Abiathar. Ja, ata kanë atje me vete dy bijtë e tyre, Ahimats, birin e Tsadokut, dhe Jonathanin, birin e Abiatharit; me anë të tyre do të më njoftoni të gjitha ato që do të dëgjoni”. Kështu Hushai, miku i Davidit, u kthye në qytet dhe Absalomi hyri në Jeruzalem” (2 Samuelit 15:31-37).

Parathënie

Ky pasazh na tregon se Davidi kishte si armiq, të cilët ishin gati ta tradhtonin, ashtu edhe miq të fshehtë, të cilët ishin gati ta jepnin jetën për të. E kemi parë tanimë se si Davidi kishte spiunët e vet në kampin e Absalomit, kurse tani shohim Hushain, i cili do të ishte ai, që do të mblidhte informacion për Davidin.

Armiqtë

Ahithofeli, gjyshi i Bathshebës, ishte një nga pjesëtarët më të ngushtë të familjes së Davidit, që u ngrit kundra tij, duke i mbajtur anën Absalomit. Ahithofeli po mundohej të bënte ç’të ishte e mundur, për ta shkatërruar Davidin. Davidi lutet, që çfarëdo lloj këshille që Ahithofeli të mund t’i ofrojë Absalomit, të kthehet në një këshillë të pavlefshme. “Këshilla e jobesimtarëve të zgjuar shkakton më shumë dëm, sesa forca e dukshme e armikut” (Shënime nga Bibla Studimore e Gjenevës).

Davidi, në vend që të hakmerret kundra tradhtarit, i lutet Zotit. E vëmë re gjithashtu se ai i ngjitet Malit të Ullinjve për ta adhuruar Zotin, një vend ky, nga i cili ai mund “të shikonte Jeruzalemin, në të cilin ndodhej Arka e Zotit dhe tabernakulli” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun). Kur iu ngjit malit për herë të parë, Davidi po qante, kurse tani e shohim atë duke adhuruar. Mateo Henri shkruan kështu: “Të qarit nuk duhet t’i bëhet pengesë adhurimit, përkundrazi, duhet ta ringjallë atë”. Shpeshherë, të krishterët i lejojnë problemet e tyre personale, apo dilemat familjare, që t’i bëhen pengesë marrëdhënies së tyre me Perëndinë, duke e dobësuar kështu besimin që kanë. Davidi nuk ia lejoi vetes, që t’i ndodhte diçka e tillë.

Miqtë

Në kohën që Davidi po adhuronte Perëndinë dhe po mundohej ta kuptonte vullnetin e Tij për të ardhmen, Hushai i del përpara. Ja, ku ishte përgjigja e lutjeve të Davidit! Perëndia do ta përdorte këtë njeri, për ta bërë që të dështonte këshilla e Ahithofelit (shiko 2 Samuelit 17). Hushai ishte prej Arkitit, tokë e fisit të Efraimit. Tek 1 Kronikasve 27:33, ai njihet me emrin “mik i mbretit”.

Davidi mendoi se Hushai do t’i gjendej më shumë për ndihmë në Jeruzalem. Ka të ngjarë që Hushai të ketë qenë një njeri i thyer në moshë, që nuk do të mund ta përballonte dot udhëtimin deri në Mahanaim, duke u bërë kështu një barrë për Davidin. Nuk ishte e nevojshme, që Davidi ta urdhëronte Hushain të gënjente përpara Absalomit, por këtu e shohim se, edhe pse ai e dinte se Hushai ishte përgjigja e lutjeve të tij, prapëseprapë, Davidi po mundohej ta ndihmonte vetë Perëndinë. Perëndia nuk kishte nevojë të përdorte metoda mashtruese, për t’ia arritur qëllimit të vet. “Një sugjerim i tillë i kësaj këshille dinake të Davidit duhet konsideruar si mëkat” (Gjon Uesli). Hushai do të kishte mundësi ta realizonte detyrën e tij, pa u përpjekur për ta bindur Absalomin se do t’i qëndronte besnik. Për Absalomin, thjesht prania e Hushait në pallatin mbretëror vërtetonte faktin se ai nuk ishte më mik i të atit, ashtu siç nuk ishin më miq as edhe Tsadoku, as Abiathari.

Hushai do të punonte brenda pallatit mbretëror, duke mbajtur shënim të gjitha planet dhe vendimet e Absalomit. Bijtë e rinj të priftërinjve, për të cilët askush nuk do të dyshonte dot gjë, do të bëheshin lajmëtarët, që do t’i çonin mesazhe Davidit rreth gjithçkaje, që po ndodhte. Hushait, ngaqë respektohej dhe nderohej prej Absalomit, do t’i jepej liria, për ta kundërshtuar çdo lloj këshille, që mund të ofronte Ahithofeli. “Ai i bën këshilltarët të ecin zbathur, i bën gjyqtarët të pamend” (Jobit 12:17).

Përfundim   

Ky ishte fillimi i planit të Perëndisë, për ta nënshtruar e për ta shkatërruar Absalomin. Edhe pse kjo mënyrë ishte e ashpër dhe tragjike, prapëseprapë, ishte e nevojshme për t’i shkatërruar të gjitha përpjekjet e Satanait, i cili nuk donte që profecitë, që kishin lidhje me ardhjen e Mesisë, të bëheshin realitet. Ajo që kishte rëndësi këtu, nuk ishte vetëm mbretëria dhe fama e Davidit, por i tërë plani i shpëtimit, të cilin Perëndia e kishte thurur që në Kopshtin e Edenit.

Mbrapa

Advertisements