I braktisur nga të gjithë

“Rreth orës nëntë, Jezusi briti me zë të lartë duke thënë: “Eli, Eli, lama sabaktani?”. Domethënë: “Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46).

Parathënie
Në studimin tonë duhet të përfshijmë edhe faktin se Zoti Jezus Krisht vuajti për mëkatet tona vetëm për vetëm. Katoliçizmi nuk kënaqet vetëm duke e dëmtuar sakrificën e Krishtit nëpërmjet doktrinës së tyre të transubstancës (d.m.th. gjatë meshës, buka bëhet trupi i Jezusit, kurse vera bëhet gjaku i Tij), por e vendos gjithashtu Marien pranë Jezusit (në skenën e kryqit), në mënyrë që hidhërimi i saj të bëhet hir për mëkatarin. Vërtet që Maria dhe ca nga dishepujt e Jezusit qëndruan tek këmbët e kryqit, ca të tjerë pak më larg, por Ai ishte i braktisur plotësisht nga të gjithë. 

I braktisur nga dishepujt e Tij
Jezusi e mori Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin me vete tek Kopshti i Gjetsemanisë për t’u lutur. Ishte nata para se Ai të kryqëzohej dhe shpirti i Tij ishte plot me agoni dhe hidhërim të thellë, ndërkohë që Ai po përgatitej për këtë sakrificë (Marku 14:34). Jo vetëm që të tre dishepujt nuk mund të rrinin zgjuar, qoftë edhe për një orë të vetme, por e lanë dhe ikën menjëherë sapo panë ushtarët, që erdhën për të arrestuar Jezusin (Mateu 26:56). Në ato momente, hidhërimi i Jezusit do të ishte shtuar edhe më shumë, kur e ndjeu se e kishin braktisur plotësisht.

Ç’mund të bënte më shumë Zoti, që ta fitonte besnikërinë dhe besimin e tyre? Ai ishte miku dhe Shpëtimtari i tyre (Gjoni 15:15) dhe i donte ata me gjithë shpirt (Gjoni 13:1). Ai i kishte zgjedhur ata për ta ndjekur Atë, edhe pse e dinte se ç’do të bënin (Mateu 26:31; Zakaria 13:7). Ata të gjithë e braktisën Jezusin, atëherë kur Ai kishte më shumë nevojë për ta (Isaia 53:3).

I braktisur nga Ati i Tij
Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë kishin qenë të bashkuar me njëri-tjetrin që prej fillimit të kohës. Por tani po ndodhte ngjarja më e keqe në historinë e botës. Në momentet para vdekjes së Tij, Jezusi ndjeu atë që ndjejnë të gjithë mëkatarët që nuk janë të shpëtuar, kur Perëndia e fsheh fytyrën e Tij prej tyre dhe ata janë të dënuar me ndëshkim të përjetshëm. Bibla na mëson se mëkati na ndan nga Perëndia (Isaia 59:2; 64:7). 

Tërë pesha e mëkatit të njeriut ra mbi Jezusin, kur Ai ishte mbi kryq (Isaia 53:6); Ai që nuk njihte mëkat, u bë të jetë mëkat për ne (2 Korintasve 5:21). Ai e ndjeu se ishte i braktisur plotësisht, prandaj edhe thirri: “Perëndia im, përse më ke braktisur?” (Mateu 27:46). Ajo lidhje e gëzueshme dhe e përjetshme mes Tij dhe Atit ishte prishur. Ne ndoshta kurrë nuk do të arrijmë ta kuptojmë se sa shumë pagoi Jezusi për ne, por gjithmonë do ta pranojmë se ishim ne ata që e shkaktuan këtë dhimbje, nëpërmjet mëkatit tonë. 
Apostulli Pal na mëson se Perëndia donte që të ndodhte kështu, në mënyrë që Ai të mund t’i ofronte njeriut një rrugë për t’u kthyer prapë tek miqësia me Të (Kolosianëve 1:19-22), si edhe në mënyrë që të përmbushej profecia tek Isaia 53:10. 

Përfundim
Megjithëse Krishti është Perëndia Bir, Ai vuajti vdekjen dhe braktisjen për hatrin tonë. E bëri këtë vetëm për një arsye, arsyen e dashurisë: dashuri për Atin e Tij (Hebrenjve 5:8-9), dhe dashuri për ne (Zbulesa 1:5; 1 Gjonit 4:19; Efesianëve 5:2). 

Ka pasur raste kur ndoshta të tjerët na kanë braktisur, por kur i kthejmë sytë pas, e kuptojmë se deri diku mund ta kemi pasur ne fajin, dhe duhej të kishim vepruar ndryshe. Nuk kishte asnjë arsye të drejtë pse Jezusi duhej të ndjente një braktisje të tillë; Ai gjithashtu s’kishte si të vepronte ndryshe për ta mënjanuar ndëshkimin, s’ishte faji i Tij. Vdekja e Tij mbi kryqin e Kalvarit ishte e vetmja mënyrë, me anë të së cilës njeriu mund të pajtohej me Perëndinë. Jezusi e përjetoi gjithë këtë vuajtje në vend të mëkatarit të penduar me të vërtetë. Ai u bë zëvendësi ynë dhe ishte sakrifica e përsosur për shlyerjen e mëkatit tonë.

Mbrapa

Advertisements