I gjendur në një situatë të vështirë

“Pastaj Jonathani i tha: “Nesër fillon hëna e re dhe mungesa jote do të bjerë në sy, sepse vendi yt do të mbetet bosh. Do të lësh të kalojmë tri ditë, pastaj do të zbresësh me të shpejtë dhe do të shkosh në vendin ku u fshehe ditën e ngjarjes, dhe do të rrish pranë gurit të Ezelit. Unë do të hedh tri shigjeta përbri gurit sikur të gjuaja në shenjë. Pastaj do të dërgoj një djalosh, duke i thënë: “Shko të kërkosh shtigjeta”. Në rast se i them djaloshit: “Shiko, shigjetat janë nga ana jote, prandaj merri!” atëherë eja sepse, ashtu si Zoti jeton, punët të ecin mbarë ty dhe nuk ka asnjë rrezik. Në qoftë se përkundrazi i them djaloshit: “Shiko, shigjetat janë matanë teje,” atëherë shko, sepse Zoti të bën të ikësh. Sa për gjërat për të cilat kemi folur midis nesh, ja, Zoti qoftë dëshmitar midis teje dhe meje për gjithnjë” (1 Samuelit 20:18-23).

Parathënie

Mund ta imagjinojmë se si Davidi priste me padurim të merrte lajm prej Jonathanit, për të parë nëse kishte të drejtë të frikësohej apo jo. Kishte besim tek shoku i tij, por çfarë do të ndodhte, po qe se mbreti do ta zbulonte planin dhe do të dërgonte ushtarë, për ta kapur? Davidi ndodhej vërtet në një situatë të vështirë.

Detajet

Davidit i duhej, që të fshihej në vendin, që i kishte caktuar Jonathani. Sapo ta merrte vesh se ç’qëllime kishte i ati rreth Davidit, Jonathani do të vinte tek ky vend dhe do të gjuante disa shigjeta në drejtim të shokut të tij. Plani i Jonathanit ishte i mirë, sepse askush nuk do të dyshonte gjë. Do të dukej sikur ai po praktikohej se si të gjuante në shenjë me shigjetat e veta. Gjithashtu, ky plan i jepte mundësi Davidit, që, nëse lajmi ishte i keq, ai mund të largohej sa më shpejt, pa e vënë jetën e Jonathanit në rrezik.

Jonathani, tek i dha Davidit detajet e planit të vet, përmendi edhe fuqinë dhe mbrojtjen e Zotit, sepse kot që lodheshin të sajonin një plan të mirë, po qe se Perëndia nuk ishte me ta. “Në qoftë se Zoti nuk ndërton shtëpinë, me kot lodhen ndërtuesit; në qoftë se Zoti nuk ruan qytetin, më kot e ruanë rojet” (Psalmi 127:1). Jonathani e kishte kuptuar tanimë se, edhe nëse Davidit do t’i duhej të largohej me vrap, për t’i shpëtuar ligësisë së Saulit, prapëseprapë ky do të ishte plani i Perëndisë, për ta bërë një ditë Davidin mbret.

Durimi

Po të ballafaqoheshim edhe ne me një situatë të tillë jete a vdekjeje si Davidi, ka shumë të ngjarë që s’do të tregoheshim aq të duruar sa ai, duke ndenjur e duke pritur lajm nga çasti në çast. Disa komentatorë të Biblës sugjerojnë se ka mundësi që Davidi të ketë kaluar tre ditë me familjen e tij në Bethlehem, pastaj të jetë fshehur në shpellë ditën e tretë, vetëm për pak orë. Davidin e kishte zënë frika. Por, prapëseprapë, për tre ditë me rradhë, ai duhej të tregohej i duruar, duke pritur sa të kthehej Jonathani e t’i thoshte se ç’po ndodhte në pallatin mbretëror. Ndoshta Jonathani e zgjodhi vendin, ku të fshihej Davidi, ngaqë e pa se ai nuk po gënjente. Guri i Ezelit ishte një shpellë e vogël, e njohur me emrin “vendi i largimit”, ose “vendi, që ta tregon rrugën”, “një gur, që iu tregonte rrugën kalimtarëve, ose një shpellë e vogël, apo një vend i përshtatshëm afër kësaj shpelle” (Gjon Uesli). Davidi edhe mund të kishte hequr dorë prej së priturit, ngaqë ishte i bindur se Sauli kishte ndërmend për ta vrarë. Ai mund të ishte fshehur edhe diku tjetër. Por Davidi dinte se si të tregohej i duruar në situata të vështira. “Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time. Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia. Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit” (Psalmi 40:1-3). 

Përfundim

Po prapë, Jonathani përmend lidhjen e ngushtë, që egzistonte midis tij dhe Davidit. Miqësia e tyre nuk ishte e kësaj bote, por e kishte themelin tek dashuria dhe besimi ndaj Perëndisë. Një bashkim i tillë gjen bekim prej Zotit. “Ja, sa e mirë dhe e kënaqshme është që vëllezërit të banojnë bashkë në unitet! Është si vaji i çmuar i shpërndarë mbi krye, që zbret mbi mjekrën e Aaronit, që zbret deri në cep të rrobave të tij. Është si vesa e Hermonit, që zbret mbi malet e Sionit, sepse atje Zoti ka vënë bekimin, jetën në përjetësi. Ja, bekoni Zotin, ju, të gjithë shërbëtorët e Zotit, që e kaloni natën në shtëpinë e Zotit. Ngrini duart në drejtim të shenjtores dhe bekoni Zotin. Të bekoftë Zoti nga Sioni, ai që ka krijuar qiejtë dhe tokën” (Psalmi 133:1-3).

Edhe ne mund të ndodhemi në një situatë të vështirë. Por, ashtu si edhe Davidi, duhet ta vëmë edhe ne besimin tek Perëndia. Ai i di të gjitha rrethanat dhe përdor metodat e Tij, për të na sjellë bekimin më të madh prej këtyre situatave të vështira. “Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi, sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë. Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë. Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate. Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar. Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita. Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij” (Psalmi 37:1-7).

Mbrapa

Advertisements