I konsideroj humbje

“Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin, dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit, që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish” (Filipianëve 3:8-11).

Parathënie

Titulli i këtij studimi është pothuajse i ngjashëm me atë të studimit të mëparshëm, por, siç do ta shohim, të dyja nuk janë njëlloj. Për Palin, jeta e krishterë ishte një përvojë e vazhdueshme dhe jo statike (në vend numëro!). Tek vargu 7, vëmë re se ai përdor shprehjen “i konsiderova humbje”, kurse tani ai na thotë se vazhdon akoma t’i “konsiderojë humbje” gjërat e jetës së tij mëkatare. Folja “konsideroj” është në kohën e tashme, d.m.th. Pali kishte marrë vendim t’i qëndronte besnik Krishtit deri në fund.

Hedhja poshtë

Madje edhe suksesi më i madh në jetën e një besimtari nuk mund të krahasohet aspak me shkëlqimin e lavdisë së Jezus Krishtit, sepse, a i vlen të kesh gjithçka e të mos kesh jetën që ta jep Ai? “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?” (Mateu 16:26). Pali me vetëdashje e hodhi poshtë botën dhe mençurinë e saj, sepse kishte zbuluar se njohuria e Krishtit ishte e një klasi më të lartë. Feja me rregullat e saj nuk mund të na ofrojë dot njohurinë më të rëndësishme nga të gjitha – njohurinë shpëtim-prurëse të Krishtit Jezus, Zotit tonë. Është budallallëk shpirtëror, kur një besimtar e hedh poshtë rrugën e së vërtetës si shkëmbim për gjërat e kësaj bote.

Shprehja “i humba të gjitha” do të thotë se Pali qëllimisht dhe vullnetarisht e hodhi poshtë jetën e tij të vjetër. “Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im” (Luka 14:33). Pali e pati të lehtë ta hidhte poshtë jetën e tij të vjetër, pozitën dhe diturinë e tij, ashtu siç e pati të lehtë tregtari ta hidhte poshtë pasurinë e vet tek shëmbëlltyra e margaritarit me vlerë të madhe (Mateu 13:45-46). Të dy këta persona kishin gjetur një thesar akoma edhe më të madh! Prandaj edhe Pali e krahason atë që kishte dikur, me atë që ka tani. Vazhdonte ta konsideronte jetën e tij të vjetër si “pleh”. Edhe mund t’i humbasim gjërat e çmuara, por Pali nuk iu vinte vlerë aspak gjërave që kishte “humbur”. Përkundrazi, i konsideronte ato si të shkuara, të harruara! Vërtet që ishte edukuar prej njërit prej mësuesve më të mëdhenj të historisë njerëzore, Gamalielit (Veprat e Apostujve 5:34, 22:3), por tani ai e konsideronte madje edhe këtë fakt si absolutisht të pavlerë e të pakrahasueshëm me ato që kishte mësuar prej Mjeshtrit të vërtetë, Krishtit. Pali e konsideronte, pra, prejardhjen e tij të shkëlqyer si diçka absolutisht të pavlefshme. Fjala “pleh” mund të përkthehet ndryshe edhe si diçka “e papërshtatshme për konsumim njerëzor”.

Përdorimi i fjalës “fitoj” nuk do të thotë ta fitosh shpëtimin me anë të meritave të tua personale. Përkundrazi, Pali na thotë se u bë fitimtar, që prej momentit kur u rilind dhe, për më tepër, ai fitoi falas “pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit” (Efesianëve 3:8). S’ka dyshim, pra, se humbësi më i madh, është ai që i shtrëngon fort gjërat që prishen, në vend që të fitojë atë që është e përjetshme. “Fitojmë vlerën e madhe të njohjes së Krishtit”. “Njohja” [e vërtetë] e Krishtit” ka të bëjë me të dëgjuarit e zërit të Tij, të ndjekurit e Frymës së Tij, të përgjigjurit ndaj vullnetit dhe planeve të Tij. Ta njohësh vërtet Krishtin do të thotë ta duash e t’i bindesh Atij dhe të kujdesesh për ato gjëra, për të cilat kujdeset edhe Ai vetë.

Drejtësia

“Të gjendem në Të” – e ç’jemi, vallë, pa Krishtin? Mos kujtojmë se drejtësia jonë është e pranueshme në sytë e Perëndisë? Të jesh “në” Krishtin, do të thotë të qëndrosh përpara Tij pa patur qoftë edhe një pikë drejtësie, mirësie apo vlere tënden. Është uniteti ynë me Krishtin ai, që na jep një drejtësi të tillë dhe këtë kuptim ka edhe besimi, që përmendet në Bibël. Është drejtësia e Krishtit ajo (jo e jona), që na bën të pranueshëm para Perëndisë. Prandaj edhe ata, që mundohen të vijnë tek Ai nëpërmjet një rruge tjetër, kanë për t’u zhgënjyer përjetësisht. “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një” (Romakëve 3:10)… “Jemi të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tona të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur” (Isaia 64:6). Pali ishte çliruar prej robërisë ligjore dhe ishte bërë i lirë shpirtërisht. Ishte shpëtuar dhe transformuar menjëherë. Nuk iu desh shumë kohë që ta hidhte poshtë drejtësinë e tij.

Besimtarët e vërtetë kanë drejtësinë që mund t’iua japë vetëm Jezusi. “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Korintasve 5:21). Shprehja “të gjendem në Të” na shfaq gjithashtu dëshirën e madhe të Palit për të qenë me Krishtin, kur jetës së tij tokësore t’i vinte fundi. Ai e dinte se kjo ishte e mundur, vetëm nëse ai vazhdonte ta ndiqte Zotin. “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka 9:23).

Ringjallja

Themeli i shpëtimit biblik është vdekja sakrifikuese e Jezus Krishtit mbi kryqin e Kalvarit. Ata që i përgjigjen mesazhit të ungjillit, duhet ta pranojnë këtë të vërtetë të rëndësishme, sepse, përndryshe, nuk do të kenë kurrë besim shpëtim-prurës. Ky është hapi i parë i të njohurit të Krishtit si Shpëtimtar. Nëse nuk e “njohim” Krishtin si të tillë, atëherë nuk do të jemi kurrë të sigurtë se kemi jetë të re në Të. E si mund të jemi të krishterë të vërtetë, nëse në jetën tonë nuk mbizotëron “fuqia [transformuese] e ringjalljes së Tij”? “Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4)… “Edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus” (Efesianëve 2:5-6). Fjalë të tilla na mësojnë qartë se na duhet të jetojmë një jetë të re në Krishtin. “Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë” (Kolosianëve 3:1). Një fuqi e tillë nuk mund të jetë efikase, nëse nuk e praktikojmë atë çdo ditë në jetën tonë. Jeta e ringjalljes na ndryshon, prandaj edhe po nuk qemë të ndryshuar, nuk jemi as të shpëtuar! “Dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij, të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore” (Efesianëve 1:19-20).

Me shprehjen “pjesëmarrjen në mundimet e Tij”, Pali na vë në dukje vuajtjet e Krishtit për hir të tij (të Palit), e jo vuajtjet e tij (të Palit) për Krishtin. Pali e kuptonte se çdo lloj vuajtje e tija nuk mund të krahasohej dot me ato që kishte duruar Zoti, me qëllim që t’iu sillte të humburve shpëtim. “Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne” (Romakëve 8:18). Vuajtja është bashkëudhëtar i ngushtë i të krishterit, por nuk duhet ta lëmë atë, që të na e grabisë besimin tonë tek Krishti. “Sepse për këtë ju u thirrët, sepse edhe Krishti e vuajti për ne, duke ju lënë një shembull, që të ecni pas gjurmës së tij” (1 Pjetrit 2:21)… “Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të” (Filipianëve 1:29). Të marrësh pjesë në mundimet e Krishtit do të thotë ta mohosh vetveten, ta kryqëzosh mishin (natyrën mishore) dhe të jesh i gatshëm t’i bësh ballë me besim çfarëdo lloj sprove e tundimi.

Me shprehjen “duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e Tij”, Pali kërkon të na thotë se ia kishte përkushtuar veten Perëndisë dhe se ishte i gatshëm t’i bindej planit të Tij e jo ëndrrave e aspiratave të veta. Kishte dëshirë t’i shërbente Zotit, edhe pse kjo mund t’i sillte vdekjen. “Ne që jetojmë, jemi vazhdimisht të dorëzuar në vdekje për Jezusin, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në mishin tonë të vdekshëm” (2 Korintasve 4:11)… “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20). Tek i shërbejmë përditë Zotit, vëmë re se duhet t’i bindemi edhe më shumë vullnetit të Tij. “Përditë unë po vdes…në Krishtin Jezu, Zotin tonë” (1 Korintasve 15:31). Kur tregohemi kokëmushkë dhe e shtrëngojmë fort vullnetin tonë, ka të ngjarë që ta humbasim besimin në Krishtin. Ai që e konsideron veten të drejtë, nuk e kupton këtë gjë, sepse nuk e kupton Krishtin.

Shprehja “që në ndonjë mënyrë” nuk do të thotë se mund të përdorim çfarëdo lloj mënyre për të ardhur tek Perëndia. Jo, ka vetëm një mënyrë të mundshme. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Kjo shprehje na tregon dëshirën e Palit për të mbretëruar përjetësisht me Krishtin, si edhe besimin, që ka ai se një ditë ka për ta parë Perëndinë sy për sy. Këtë qëllim kishte ai, këtë motivacjon. Të njëjtën gjë tha dikur edhe Jobi: “Por unë e di që Shpëtimtari im jeton dhe që në fund do të ngrihet mbi tokë. Mbas shkatërrimit të lëkurës sime, në mishin tim do të shoh Perëndinë. Do ta shoh unë vetë; sytë e mi do ta sodisin, dhe jo një tjetër. Po më shkrihet zemra” (Jobi 19:25-27).

Pali besonte se të shpëtuarit, kur vdisnin, shkonin direkt tek Zoti. Tek vargu 11-ë, kur përmend ringjalljen, ai e ka fjalën për ringjalljen e madhe në fund të epokave. Kjo është dita e lavdishme, fillimi i ngjarjeve që kanë për të sjellë Qiellin e Ri dhe Tokën e Re. Krishti ka për të mbretëruar dhe vuajtjeve dhe turpit do t’iu vijë fundi (shiko Gjoni 5:28-29, 6:40, Veprat e Apostujve 24:15, 1 Thesalonikasve 4:16-17, 2 Pjetrit 3:10-13, Zbulesa 21:1). Në këtë “ringjallje” përfshihet edhe transformimi i trupave tanë tokësore (shiko 1 Korintasve 15:42-54, 2 Korintasve 5:1-4). 

Përfundim 

Hedhja poshtë, Drejtësia, Ringjallja – këto janë tre pjesë përbërëse të shpëtimit, të cilat duhet t’i përjetojë çdo besimtar. Pa këto pjesë, jeta e krishterë është e cekët dhe e varfër. Nëse duam me të vërtetë që ta “njohim” Krishtin, atëherë duhet të jemi gati ta “konsiderojmë humbje” jetën tonë të vjetër, të kemi “drejtësinë e Tij” dhe çdo ditë ta përjetojmë “fuqinë e ringjalljes së Tij”. Vetëm kështu mund ta dimë se “gjendemi në Të” dhe jemi të sigurtë se kemi një vend në Mbretërinë e Tij.

Mrapa

Advertisements