I konsiderova humbje

“Megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë: u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise, sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm. Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje” (Filipianëve 3:4-7).

Parathënie

Ky pasazh i letrës drejtuar filipianëve na tregon se cila ishte gjëja më e rëndësishme në jetën dhe punën e apostullit Pal. Njeriu përpiqet ta kënaqë Perëndinë me anë të fesë dhe, ngaqë ai e di se shpirtin nuk e ka në rregull, mundohet të marrë jetë të përjetshme, duke kryer vepra bamirësie dhe duke praktikuar rite të ndryshme fetare. Në këtë mënyrë, ai e hedh poshtë rrugën e shpëtimit, që i ka siguruar Perëndia. Prandaj edhe njeriu fetar nuk është kurrë i sigurtë nëse i janë falur apo jo mëkatet, apo nëse Perëndia e ka pranuar apo jo plotësisht në gjirin e Tij. Një njeri i tillë ka shpresë se “do të shkojë një ditë në Parajsë”, por të gjitha përpjekjet e tij për t’ia arritur këtij qëllimi, nuk janë aspak të vlefshme. Në fund të jetës së tij, ai ka për të shkuar vetëm në Ferr.

Besimi

Siç e pamë edhe në studimin e kaluar, besimtari nuk duhet t’i kushtojë rëndësi mishit,d.m.th. të gjitha arritjet dhe sukseset tona janë të pavlefshme, nëse kujtojmë se Perëndia është i kënaqur me ne për shkak të tyre. Këtu përfshihen të gjitha ceremonitë dhe ritet e ndryshme fetare, për të cilat mburret pa pushim mishi (ose natyra jonë mëkatare). Kur lexojmë atë që na tregon Pali rreth jetës së tij, para se të bëhej i krishterë, e shohim se, edhe pse ai kishte lindur e ishte shkolluar si një hebre, prapëseprapë ai arriti ta kuptojë planin e shpëtimit të thurur prej Perëndisë vetëm atë ditë, kur takoi Jezus Krishtin. Edhe pse, pra, kishte patur njohuri të madhe rreth ligjit, nuk kishte arritur ta kuptonte dot thelbin e Shkrimeve të Shenjta. Feja e tij, me të gjitha festat, zakonet dhe përgjegjësitë e saj, nuk i kishte sjellë paqe në shpirt. Por paqja i erdhi, që në momentin kur e pranoi se Jezusi ishte Shpëtimtari. “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë” (Romakëve 5:1). Besimin e kishte tani në Krishtin, jo tek përpjekjet fetare dhe veprat mishore.

Pali meritonte medaljen e vetë-drejtësisë për faktin se i kishte praktikuar siç duhej ritet fetare. Në atë kohë, të paktë ishin ata njerëz, që mund të viheshin në pjedestal dhe të merreshin si shembull nga të tjerët. Pali e konsideronte veten si njeri shpirtëror dhe gëzonte privilegje të caktuara, thjesht ngaqë kishte lindur si hebre.

Rrethprerja

Mos, vallë, Pali ishte një hebre i vërtetë, ngaqë ishte rrethprerë si foshnjë, ashtu siç e kërkonte Ligji i Moisiut? Rrethprerja vërtetonte se ai ishte anëtar i “Popullit të Besëlidhjes”, d.m.th. ai ishte “i zgjedhuri i Perëndisë”. Pali mendonte se një ceremoni e tillë e bënte atë një fëmijë të vërtetë të Perëndisë. Kisha të ndryshme fetare kanë të njëjtin mendim, kur vjen puna tek pagëzimi i foshnjeve, d.m.th. ato kujtojnë se një pagëzim i tillë e bën beben të krishterë. Por Bibla nuk thotë kështu. Në ceremoninë e rrethprerjes, Palit ia kishin vënë emrin ‘Saul’ – një pikë simbolike kjo, që përfaqësonte trashëgiminë e tij si hebre. Ka të ngjarë, gjithashtu, që ai të jetë thirrur edhe me emrin ‘Pal’, ngaqë më vonë do të binte në kontakt edhe me botën greke.

Kultura

Është me rëndësi për t’u përmendur fakti se në Bibël gjejmë të përmendur dy njerëz me emrin ‘Saul’ dhe që të dy vijnë prej fisit të Beniaminit – fisi më i vogël i Izraelit. Mos, vallë, Palin e quajtën ‘Saul’ si shenjë nderimi ndaj mbretit të parë të Izraelit?

Pali e kishte ruajtur veten si një hebre të vërtetë, edhe pse familja e tij kishte emigruar në Tarsi, një qytet ky, në të cilin shumë prej hebrenjve e kishin përzjerë kulturën e tyre me atë të grekëve. Ka të ngjarë që familja e Palit ta ketë refuzuar një përzjerje të tillë, duke i qëndruar kështu besnikë gjuhës dhe zakoneve të tyre. E megjithatë, ngaqë ndodhej në një qytet kozmopolitan, Pali mund të fliste hebraisht, greqisht dhe latinisht. Ai na e bën mëse të qartë se e konsideronte veten superior si racë, më të mirë se të gjithë të tjerët nga ana fetare, elita dhe ajka e shoqërisë dhe, mbi themele të tilla, ai e quante veten të shpëtuar.

Karakteri

Le t’i hedhim një sy sukseve fetare të Palit. Kishte qenë farise, d.m.th. kishte qenë anëtar i sektit më strikt të fesë së judenjve. Fjala “farise” do të thotë “i veçuar”. Ndryshe nga saducenjtë, farisenjtë i pranonin si të vërteta të gjitha kapitujt e Shkrimeve të Shenjta e jo vetëm disa prej tyre. Sot Palin mund ta quajmë “një hebre ortodoks”. Edhe pasi u bë i krishterë, Pali prapë u mundua ta distanconte veten prej saducenjve, të cilët i konsideronte më heretikë sesa farisenjtë. “Pali, pra, duke ditur se një pjesë ishte nga saducenj dhe tjetra nga farisenj, i thirri sinedrit: “Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh; për shkak të shpresës dhe të ringjalljes të së vdekurve unë po gjykohem”. Sapo tha këtë, lindi një grindje ndërmjet farisenjve dhe saducenjve, dhe kuvendi u përça; sepse saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë, ndërsa farisenjtë pohojnë edhe njërën dhe tjetrën” (Veprat e Apostujve 23:6-8).

Pali e konsideronte veten të zellshëm për Perëndinë dhe mendonte se Zotit i bëhej qejfi, kur ai (Pali) i persekutonte të krishterët (Veprat e Apostujve 8:3, Galatasve 1:23). Ishte vërtet i zellshëm si persekutues, por zemrën e kishte gur. Në Bibël lexojmë sesi ai e miratoi vrasjen e Stefanit (Veprat e Apostujve 8:1, 22:20). Pikërisht, gjatë një ekspedite të tillë persekucjoni, Pali u takua me Zotin dhe Shpëtimtarin e ringjallur, Jezus (Veprat e Apostujve 22:2-21, 26:4-33, 1 Korintasve 15:8-10). “Sepse ju keni dëgjuar për sjelljen time të atëhershme në judaizëm, si e përndiqja me egërsi të madhe kishën e Perëndisë dhe e shkatërroja” (Galatasve 1:13).

Pali e konsideronte veten të drejtë e të pafajshëm në sytë e Perëndisë, shembull me fjalë dhe me vepra. Por në fakt, ai thjesht mundohej të ishte i pastër nga ana fetare, me qëllim që të tjerët të mahniteshin dhe ta quanin “shenjtor”. Mburrej shumë për shkollimin që kishte marrë dhe fenë që praktikonte. “Dhe si përparoja në judaizëm më tepër se shumë bashkëkohës të kombit tim, duke qenë jashtëzakonisht i zellshëm për traditat e etërve të mi” (Galatasve 1:14). Ai ishte ylli i judaizmit (i fesë së judenjve) dhe një ditë do të bëhej udhëheqësi i këtij sekti, po qe se Perëndia s’do të kishte ndërhyrë në jetën e tij. Ka nga ata komentatorë të Biblës, që na sugjerojnë se Pali ishte anëtar i Sanhedrinit, por sidoqë të ketë qenë e vërteta, ai e meritonte një pozitë të tillë. Zoti Jezus kishte tjetër mendim rreth drejtësisë së farisenjve. “Prandaj unë po ju them: në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve” (Mateu 5:20).

Kthimi në besim

Për të na shprehur faktin se jeta e tij, para se të bëhej i krishterë, ishte e pavlerë, Pali përdor këto fjalë: “Gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje”. A e shohim, pra, sesi Zoti Jezus, jo vetëm që ia hoqi Palit mëkatet, por gjithashtu edhe mendjemadhësinë? Fjala “humbje” ka kuptimin “shkatërrim”. Jeta e tij e vjetër u shkatërrua dhe u bë e pavlefshme. Më përpara, Pali i konsideronte shumë gjëra si ‘fitim’, por tani ai i quan ato ‘humbje’. Perëndia nuk na e riparon kurrë jetën e vjetër. Përkundrazi, Ai na jep një jetë komplet të re. “Dhe unë do t’ju jap atyre një zemër tjetër dhe do t’u shtie përbrenda një frymë të re, do të heq nga mishi i tyre zemrën prej guri dhe do t’u jap një zemër prej mishi, me qëllim që të ecin sipas statuteve të mia dhe të respektojnë ligjet e mia dhe t’i vënë në praktikë; atëherë ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre” (Ezekieli 11:19-20)… “Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja” (2 Korintasve 5:17). Të gjitha ato të ashtu-quajtura ‘lavdi të së kaluarës’ nuk mund të krahasoheshin fare me ato, që Pali kishte tani në Krishtin.           

Përfundim                                          

Pas përvojës së tij në rrugën drejt Damaskut, Pali nuk e lejoi kurrë krenarinë e tij fetare, që t’i bëhej pengesë në marrëdhënien e tij me Krishtin. Kthimi i tij në besim ishte një transformim radikal jete dhe karakteri. Tani ai përpiqej të jetonte një jetë të shenjtë, ashtu siç thoshte Perëndia e jo sipas riteve fetare. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6).

Në studimin e ardhshëm, do të vazhdojmë t’i bëjmë një krahasim jetës së vjetër të Palit në fenë e judenjve me jetën e tij të re në Krishtin.

Mbrapa

Advertisements