I Lavdëruar në Shenjtorët e Vet

“Kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kanë besuar, sepse dëshmia jonë tek ju u besua” (2 Thesalonikasve 1:10).

Parathënie

Pali predikoi rreth ardhjes së ardhshme të Zotit Jezus Krisht në këtë tokë, në përputhje me atë, që beson çdo i krishterë i vërtetë. Është më se e qartë se Pali nuk besonte në idenë se ardhja e dytë e Krishtit kishte ndodhur ditën e Pentikostit, apo në idenë se Zoti e kishte themeluar tashmë Mbretërinë e Tij në kishë. Teksti i mësipërm flet rreth një ngjarjeje, që do të përmbushet në të ardhmen, d.m.th. rreth Ditës së Zotit. Kjo ditë po afrohet gjithnjë e më shumë.

Dita

Kjo fjalë ka të bëjë, në përgjithësi, me një kohë të së ardhmes, kur Zoti Jezus do të kthehet, për të rrëmbyer shenjtorët e Vet dhe për të filluar ditët e fundit të historisë botërore. Por, ngaqë Ai duhet të vijë në një ditë të caktuar, fjala ‘ditë’ duhet t’i referohet edhe ditës, që ka paracaktuar vetë Perëndia. Ka shumë të ngjarë, që Pali të ketë patur në mendje të gjithë periudhën, që ne sot e quajmë ‘Ditët e Fundit’.

Kjo ditë do të jetë Dita e Zotit, jo e jona. E megjithatë, ne, si pjesëmarrës të kësaj dite, do të bekohemi dhe do të marrim lavdi. Pali, me të drejtë, e quan këtë ditë “dita e Krishtit” (2 Thesalonikasve 2:2)… “Sepse ai ka caktuar një ditë në të cilën do të gjykojë me drejtësi botën me anë të atij njeriu të cilin ai e ka caktuar; dhe për këtë u ka dhënë të gjithëve një provë të sigurt, duke e ringjallur prej të vdekurit” (Veprat e Apostujve 17:31).

Zemërimi i Perëndisë do të derdhet po në këtë ditë. “Sepse është e drejtë, nga ana e Perëndisë, t’u jepet mundim atyre që po ju mundojnë” (2 Thesalonikasve 1:6)… “Që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë” (2 Thesalonikasve 2:12)… “Sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën. Sepse, kur thonë: “Paqe dhe siguri,” atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë” (1 Thesalonikasve 5:2-3).

Shenjtorët e Tij

Një shprehje e tillë mund t’iu referohet vetëm atyre, të cilët Krishti i ka rrëmbyer prej tokës, në momentin e ardhjes së Tij të dytë. Shenjtorë janë ata, që kanë jetuar për Krishtin. “Që të ecni denjësisht për Perëndinë, që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij” (1 Thesalonikasve 2:12). Vetëm ata që kanë jetuar si shenjtorë në tokë, do të mbretërojnë me Krishtin si shenjtorë në Qiell. Shenjtorëve të rrëmbyer në Qiell kjo ditë do t’iu duket si mrekulli. Ata do ta adhurojnë dhe admirojnë Zotin, të Cilin do ta shohin me sytë e tyre. Për më tepër, do të lavdërohen në Të. “Sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi” (1 Korintasve 15:52)… “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjonit 3:2)… “Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne” (Romakëve 8:18). Në Dhiatën e Re të Popullit thuhet: “Shenjtorët e ringjallur, të lavdëruar, të gëzuar me shpëtimin, do të jenë lavdi për Zotin”.

Dëshmia

Në këto vargje, Pali na thotë se besimtarët thesalonikas do të lavdërohen në praninë e Krishtit, ngaqë ata e pranuan atë, që iu tha ai, Sila dhe Timoteu. Kaq i sigurtë, pra, ishte Pali, rreth faktit se po iu mësonte të tjerëve të vërtetën absolute, lidhur me jetën e krishterë dhe Ardhjen e Dytë të Zotit. Si ka mundësi që ai të ketë qenë kaq i sigurtë lidhur me të vërtetën e Ditëve të Fundit? Si Pali, ashtu edhe apostulli Gjon morën zbulime prej Perëndisë, por as njëri, as tjetri nuk u përpoqën t’i ndryshonin detajet e atyre zbulimeve, por iua dëshmuan ato njerëzve pikërisht ashtu siç i kishin marrë edhe vetë. “Sigurisht nuk kam dobi nga të mburrurit; prandaj do t’ia filloj me vegimet dhe zbulesat e Zotit. Unë njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh (a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di), u rrëmbye gjer në të tretin qiell. Dhe e di se ai njeri (a me trupin ose pa trupin, nuk e di, Perëndia e di), u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri” (2 Korintasve 12:1-4). Thesalonikasit besuan dhe u shpëtuan. Po të mos kishin besuar, atëherë kurrë nuk do ta prisnin shpresën e lume: “Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (Titit 2:13). Në komentimin biblik të tyre, Xhejmisën, Foset dhe Braun thonë kështu: “Jeta e shenjtë është lavdi e sapoçelur. Lavdia është shenjtëri e shfaqur”.

Përfundim

Pali kurrë nuk i pa me sy të krishterët thesalonikas, por e dinte se po vinte një ditë, kur të gjithë besimtarët do të mblidheshin rreth Zotit, në momentin e ardhjes së Tij, apo kur të ri-bashkoheshin të gjithë së bashku në Qiell, pas vdekjes.

Mbrapa

Advertisements